Build Skills with our trainings

Sign up now!

Gratë vazhdojnë të përbëjnë vetëm 20% të tregut të punës

Shk 23, 2022

Interesimi e mundi për t’u shkolluar, nuk po ju paguhet vajzave e grave në Kosovë. Ndonëse ato prijnë për nga shkollimi universitar në Kosovë me 58.5 për qind, krahasuar me djemtë me 41.5 për qind, kur vie puna te punësimi, ato po mbesim prapa.

Këtë më së miri e tregojnë statistikat e publikuara vit pas viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas kësaj Agjencie, gjatë vitit 2019 si të punësuar aktivë në Kosovë ishin regjistruar 488 mijë e 485 persona të moshës 15-64 vjeçare. Prej tyre 361 mijë e 514 ishin burra, ndërsa 126 mijë e 971 ishin gra. Një gjendje e njëjtë ishte edhe në vitin 2020, kur numri i burrave të punësuar në Kosovë ishte gati trefish më i madh se i grave. Gjatë këtij viti ishin të punësuar 340 mijë e 764 burra dhe 127 mijë e 668 gra.

Profesionet të cilat gratë po ia dalin t’i ushtrojnë më shumti, janë ai i arsimit dhe i shëndetësisë. Gjithsej 10 mijë e 333 gra janë të regjistruara si mësimdhënëse të arsimit fillor dhe mesëm të ulët gjatë viteve 2020/2021 në Kosovë, krahasuar me 7 mijë e 20 burra mësimdhënës. Ndërsa, 65 për qind e punonjësve shëndetësorë të punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale janë gra.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë për vitin 2018 ishte 29,6 për qind, gjatë vitit 2019 – 25,7 për qind, ndërsa gjatë vitit 2020 – 25,6 për qind.

Adelina Tërshani, koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave të Kosovës thotë për KosovaLive se përqindja e grave që janë pjesë e fuqisë punëtorë në vend, nuk e kalon as 20 për qindëshin me vite të tëra.

Sipas saj, kjo tregon që nuk ka përkushtim të mjaftueshëm për punësimin e tyre.

Në  Kosovë përqindja e grave që janë pjesë e fuqisë punëtore ka vite të tëra që nuk e kalon as 20% dhe se kjo është  një e dhënë e cila tregon se nuk ka përkushtim të mjaftueshëm shtetëror që sfidat mbi punësimin e grave të adresohen me seriozitet”, thotë ajo.

Tërshani thekson se i mangët ka mbetur edhe përfaqësimi i grave në pozitat kyçe në vend dhe se avancim në detyrë është një nga diskriminimet e shpeshta me të cilat përballen gratë.

Përfaqësimi i grave në pozita kyçe vazhdon të mbetet i mangët në Kosovë. Gratë madje përballen me shumë sfida me bazë gjinore për ngritje në pozita menaxheriale. Hulumtimet tona tregojnë që promovimi në detyrë është njëra ndër diskriminimet më të shpeshta krahas kushteve të këqia të punës, pagës së pabarabartë për punë të barabartë, ngacmimit seksual, shkeljes së drejtës për pushim/ leje të lehonisë dhe të tjera që gratë dhe vajzat i hasin në tregun e punës në Kosovë”, thotë ajo.

Adelina Tërshani gjatë festivalit FemArt

Ajo thotë se Rrjeti i Grave të Kosovës ka strategjinë  katërvjetore pjesë e të cilës  është edhe Programi i Fuqizimit Ekonomik të Grave që ka për qëllim parandalimin e diskriminimit me bazë gjinore që ju ndodhë grave në vendin e punës, krijimin e vendeve të punës që janë miqësore me familjen dhe promovimin e punësimit më të madh të grave në Kosovë.

Se sa i rëndësishëm është punësimi i grave, tregon më së miri Valdete Sahiti nga komuna e Vitisë. Ajo thotë për KosovaLive se i ishte dashur të ndërpresë shkollimin në drejtimin e ekonomisë, për shkak se kishte krijuar familje.

Gjatë kësaj kohe, ajo tregon se ishte ndier shumë pasive, andaj edhe kishte vendosur që ta hapë biznesin e saj për konservim të perimeve.

Pasi që e kam ndërprerë shkollimin universitar për të krijuar familje, për një kohë të gjatë e ndieja veten shumë pasive dhe vendosa qe t’i hyj botës së biznesit, por natyrisht sfidat kanë qenë shumë të mëdha, paragjykimet e mungesa e financave…”, rrëfen ajo.

Me punën që po bën, Sahiti është shprehur se po ia arrin të ndihmojë financiarisht familjen e hapjen e biznesit, u ka ofruar punë edhe grave tjera.

Mendoj se arrij të jem një krah mjaft i  fortë për familjen time sa i përket financave. Gratë janë shtylla e familjes dhe assesi nuk duhet të njihen si amvise”, shton ajo.

Valdete Sahiti në panairin e prodhumeve vendore

Nga ana tjetër, Shkurta Bytyqi, studente në Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës shprehet se ka frikë që pas kryerjes së studimeve nuk do të mund të punësohet në profesionin e saj.

Ajo rikujton se për shkak të papunësisë, e për shkak të pagave të ulëta që ofrohen në Kosovë, të rinjtë po largohen drejt shteteve tjera, ku punëtorëve po u ofrohen kushte më të mira të punës

Nuk kam dhe aq shpresa dhe çdo ditë përballem më frikën se nuk do të mundem të punësohem në drejtimin që unë studioj aktualisht. Papunësia e madhe dhe pagat e ulëta në Kosovë janë faktorët parësorë për largimin nga Kosova që shumë të rinj e bëjnë. Shtetet evropiane ndër të tjerash ofrojnë kushte më të mira për studime duke i pasur parasysh edhe disa faktorë të rëndësishëm që i kanë punëtorët, duke filluar nga sigurimi shëndetësor që në vendin tonë mungon”, thotë ajo.

Por, mundësi për punësim nuk po gjen as Albion Fazliu, 25 vjeçar nga fshati Gradicë. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik por që edhe pas tre viteve që ka përfunduar studimet, nuk ka arritur të gjejë punë.

Unë tashmë tri vite kam përfunduar studimet dhe që nga atëherë e deri më tani nuk më është ofruar ndonjë mundësi punësimi. Kam kërkuar dhe konkurruar në çdo ofertë për punësim, por nuk kam mundur të gjej punë. Shteti jonë në përgjithësi nuk ka kushte dhe ekonomi të zhvilluar për të ofruar mundësi punësimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, puna e parë që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës është hapja e vendeve të reja të punës.

Nëse udhëheqësit politik nuk duan që shteti jonë Kosova ta humbë rininë më të pasur në Ballkan që ka, ai duhet që punësimin e të rinjve ta bëjë prioritare”, ka shtuar ai.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020, 11 mijë e 69 persona që kanë kryer studimet universitare dhe 960 persona që kanë kryer masterin janë regjistruar si punëkërkues.

Njomza Berisha, zyrtare për informim në Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkime (SIT) thotë se është e rëndësishme ngritja e vetëdijës së shoqërisë për fuqizimin e grave e po ashtu edhe për barazinë gjinore në të gjitha fushat.

“Për SIT është e rëndësishme që të ngrisim vetëdijen e shoqërisë për fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore në të gjitha fushat. SIT përmes aktiviteteve të ndryshme punon ngushtë me këtë grup target për të ndritur vetëdijën dhe për t’i bërë djemtë dhe burrat aleatë të arritjes së barazisë gjinore”, ka shtuar ajo.

Shoqëria kosovare, sipas të gjithë parametrave dhe në përgjithësi, ende konsiderohet si shoqëri patriarkale. Përkundër masave ligjore sipas Kushtetutës dhe ligjeve të ndryshme për sigurimin e barazisë gjinore, dhe përkundër një shoqërie civile në përkrahje të barazisë gjinore, shifrat tregojnë qartë se gratë diskriminohen skajshëm, madje edhe nga vetë institucionet e drejtësisë dhe politikës.

Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, bëhet e ditur se paga mesatare gjatë vitit 2015 në Kosovë ishte 415 euro, gjatë vitit 2016 –  422 euro, gjatë vitit 2017  – 431 euro, gjatë vitit 2018 – 453 euro, gjatë vitit 2019 – 477 euro, ndërsa gjatë vitit 2020 ishte 466 euro.

Me pagat që po marrin në institucionet publike e ato private, janë shprehur të pakënaqur punëtorët shëndetësorë.

Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj ka thënë për KosovaLive se një specialist me përvojë pune më shumë se 10 vite, i cili ka kryer së paku 6 vite studime paguhet më pak se 700 euro.

Punëtorët shëndetësorë janë kategori e veçantë shoqërore që kanë nevojë për përkrahje të madhe, por nuk ju ofrohen kushtet e nevojshme as financiare e as në ndonjë formë tjetër. Një specialist me përvojë pune më shumë se 10 vite në shëndetësi, plus me eksperiencat e tij 6 vite nga studimet, specializimi në maksimum 5 vite dhe 10 vite me eksperiencë pune, ka pagën pak më të lartë se 600 euro, më të ulët se 700”, ka thënë ai.

Naser Gjonbalaj gjatë një tryeze të rrumbullakët të Odës së Mjekëve

Ndryshe, Gjonbalaj thotë se gjatë këtij viti kanë aplikuar 550 mjekë të rinjë, studentë e punëtorë të licencuar për t’u punësuar por ata nuk kanë arritur të gjejnë punë.

Marrë nga mostrat e fundit, përkatësisht të vitit 2021, pra vetëm në këtë vit kanë aplikuar 550 mjekë të rinjë, studentë apo punëtorë të licencuar shëndetësorë për t’u punësuar dhe nuk kanë mundur të gjejnë punë. Për fatkeqësinë tonë, gjatë kohës së pandemisë 130 mjekë kanë emigruar në shtetet europiane, sepse në këto shtete ju ofrohen jo vetëm kushte më të mira, por perspektivë më e mirë”, ka shtuar ai.

Që nga viti 2010 paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për personat nën 35 vjet dhe 170 euro për përsonat mbi 35 vjet. Paga e dinjitetshme dhe njohja e meritave të punëtorëve gjithsesi do të ndikonte drejtëpërsëdrejti edhe në cilësinë e punës.

Rinesa Spahiu

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM