Build Skills with our trainings

Sign up now!

Diskriminimi gjinor në punë/sim ende nuk adresohet si duhet

Shk 24, 2022

Merita Hoxha nga Peja, kishte 22 vite që punonte për Korporatën Energjetike të Kosovës KEK. Në vitin 2016 gjatë kohës së privatizimit të sektorit të furnizimit dhe inkasimit ku ajo vetë punonte, gjërat morën një kahje tjetër. Në tërë Kosovën u vendosën njehësorët digjitalë, gjë e cila për punëtorët e KEDS-it ishte një lloj obligimi i menjëhershëm.

Ekipi erdhi në shtëpinë time për vendosjen e njehësorit të ri dhe duke i pasur kolegë m’a konfirmuan se njehësori i vjetër ishte i papërdorur qysh nga koha e vendosjes së tij në ‘86-tën. Morën njehësorin tim të vjetër dhe vazhduan punën e tyre’, shprehet ajo.

Për të Procedura vazhdoi: njehësorët e vjetër u dërguan për verifikim në rast se ishin keqpërdorur, dhe doli që edhe njehësori i saj i vjetër të ketë qenë i tillë.

Merita shko në shtëpi se nga sot s’je më punëtore e KEDS-it, më tha shefi atë ditë pa m’a treguar arsyen e përjashtimit. Shkova në zyre te drejtori me shpresë që e tërë kjo do të rishikohej përsëri për ndonjë keqkuptim të mundshëm”,  rrëfen ajo.

Hoxha tregon se nga momenti kur hyri në dhomë reagimi i drejtorit ishte një injorim i plotë. Ai jo vetëm që s’kishte pranuar ta dëgjonte e të fliste për t’i treguar arsyen por madje ia dorëzoi letrën e përjashtimit të menjëhershëm. Arsyen e përjashtimit do t’a kuptonte vetëm nga ajo letër.

Duke e ditur që një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë, Hoxha bën të ditur se ajo nuk u ndal për t’i kërkuar të drejtat e saj dhe për ta vërtetuar të kundërten.

Bëra gati të gjitha dokumentet e faturat e nevojshme dhe i dorëzova fizikisht mu në selinë e KEK-ut në Prishtinë. Vetëm pas dy jave më lajmëruan që mund të kthehesha me pretekst që kishte ndodhur një gabim gjatë procedurës”,  përfundon ajo.

Viti 2016 shfaqte nevojën e rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës. Kosova atë vit, me 18% të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore kundrejt 53% të pjesëmarrjes së meshkujve, shënoi një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në botë. Për këtë arsye strategjia sektoriale 2018-2022 e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale synon uljen e nivelit të papunësisë dhe mosaktivitetit ekonomik me fokus të veçantë te gratë.

Violeta Blakçori, studente master në diplomaci njëherësh aktiviste feministe, thekson se shteti i Kosovës ka shumë punë për të bërë në aspektin e zbatimit praktik të ligjeve për të drejtat e grave.

Për t’u dalë në ndihmë grave që përjetojnë çfarëdolloj diskriminimi apo padrejtësie në punë e kudo, mundësi e mirë është bashkëpunimi me organizatat joqeveritare feministe apo për të drejtat e grave. Dalja dhe përkrahja në protesta, krijimi i hapësirave publike ose ‘safe spaces’ si dhe krijimi i fondacioneve janë gjithashtu me shumë vlerë drejt këtij synimi”,  thotë ajo për KosovaLive.

Një tjetër hap i  rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të grave në sektorin e punësimit, sipas saj do të ishte rregullimi i politikave të vendit.

“Bashkëpunimet e qeverisë më organizatat joqeveritare, duke ofruar grante që gratë të fillojnë biznese bashkë me trajnimet që gratë të marrin pjesë për t’u avancuar në tregun e punës, do të ishte një plus i madh që ato të jenë të pavarura dhe t’i njohin të drejtat e tyre qoftë në sektorin privat, qoftë në atë publik”,  thotë Blakçori.

Violeta Blakçori, master në diplomaci

Problem mjaft i theksuar është edhe çështja e diskriminimit gjinor në konkurset e punës, sidomos në sektorin privat. Nga 562 konkurse të shpallura në periudhën janar 2016 – mars 2017 vërehet se në Kosovë ekziton një ndarje në profesione të burrave dhe profesione të grave. Edhe pse Ligji për Barazi gjinore e obligon punëdhënësen apo punëdhënësin në të dy sektorët që në rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmang përfshirjen e elementeve diskriminuese në bazë të gjinisë, në shumë shpallje të përshkrimit të konkurseve specifikohet se kandidatja duhet të jetë patjetër femër, të ketë moshë të caktuar, paraqitje profesionale, p.sh. t’i ofrojë asistencë stomatologut, të jetë komunikuese dhe e përkushtuar.

“Diskriminimi gjinor i grave fillon nga hapja e konkurseve, ku në shumë prej tyre kërkohet mosha e re dhe një paraqitje sexy. Gjëra të tilla ndikojnë që ato ta humbasin vetëbesimin e tyre. Kjo më pas sjell probleme të shumta siç mund të jetë p.sh. presioni, frika, lodhja, divorci në familje, të cilat bëhen një ngarkesë e papërballueshme psikologjike”, thotë Emine Seferaj nga Shoqata e Psikoterapeutëve të Kosovës.

A.B ish punëtore në repartin neonatologjik të spitalit të Pejës tregon për të gjitha padrejtësitë që bënte doktoresha e repartit neonatologjik e cila në të njëjtën kohë ishte shefe në repart.

“Na detyronte të qëndronim deri në orën 20:00  edhe pse puna jonë përfundonte në 19:00. (Madje) kërkonte nga ne që t’i blejmë të gjitha pajisjet që mungonin në repart e sidomos termometrat”,  thotë ajo.

Ajo tregon edhe për mënyren se si shefja e repartit bënte dallime të kategorisë “i pasur” dhe “i varfër”, sa që ua ndalonte të bënin matjen e temperaturës te fëmijët e posalindur nëse ata ishin nga shtresa e varfër ose nga ndonjë familje me të cilën kjo e fundit kishte konflikt.

“Një herë i dola kundër duke hyrë në dhomën e pacientes e cila kishte nevojë për mua dhe po të nesërmen shefja më dërgoi në komision duke më akuzuar se e kisha përshkruar temperaturën e një fëmiu pa e matur fillimisht atë me termometër, ndërkohë që ajo vetë bënte gjëra të tilla gjatë gjithë kohës”,  shprehet ajo.

Besarta Sejdiu, master në juridik, thotë se Republika e Kosovës ka një kuadër ligjor që ofron garanci të mbrojtjes së grave në kontekst të punësimit dhe trajtimit të barabartë të tyre në vendin e punës dhe se barazia gjinore është kategori kushtetuese e cila konsiderohet vlerë themelore e një shoqërie demokratke.

“Ligji i Punës i Republikës së Kosovës grave u garanton mbrojtje të veçantë, ndalon diskriminimin, parasheh pushimin prindëror, pushimin e lehonisë, kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së njëjtë. Gjithashtu rendi ynë juridik e ka harmonizar legjislacionin në pajtim me direktivat e BE-së, ku në këtë kontekst kemi një ligj të veçantë për mbrojtjen nga diskriminimi’,  thotë ajo.

Diskriminimi me bazë gjinore në polici raportohet dukshëm më pak nga gratë sesa nga burrat. Përqindja e raportuar e rasteve të diskriminimit, gratë (13%) kundrejt burrave (22%) tregon qartasi për vetëdijen e pamjaftueshme lidhur me diskriminimin me bazë gjinore. Një gjë e tillë rezulton në njohjen jo të plotë të procedurave tjera që ato mund të ndjekin në pajtim me kuadrin ligjor.

“Policia dhe prokuroria janë institucionet në të cilat duhet të drejtohen gratë të cilat pretendojnë për ngacmim seksual nga punëdhënësit apo të tjerë në vendin e tyre të punës. Këto institucione janë përgjegjëse për hetimin dhe inicimin e procedurave penale kundrejt atyre personave, ndaj të cilëve ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale”, ka thotë Sejdiu.

Sejdiu rikujton se në rastet e trajtimit të pabarabartë dhe kur vlerësohet se punëdhënësi vepron në kundërshtim me të drejtat dhe detyrimet e kontraktuara ka disa mundësi ligjore. Lidhur me këtë ajo shton se Inspektorati i Punës duhet të kujdeset që të zbatohet Ligji i Punës dhe ta trajtojë çdo kërkesë nga punonjësit që lidhet me shkeljet e mundshme të të drejtave të punës.

“Mund të iniciojë një kontest gjygjësor, mund të parashtrojë një ankesë në Inspektoratin e Punës, por së pari është e arsyeshme të parashtrohet ankesë në procedurë të brendshme, tek organi në të cilin është duke e ushtruar punën. Në çdo rast IP dhe gjykata do të jenë mundësitë ligjore të cilave mund t’u drejtohen”,  thotë ajo.

Mirishahe Syla, këshilltare për gjininë dhe përfshirjen, thekson se problemet më të mëdha që gratë hasin në sektorin privat dhe publik të punës janë probleme të cilat lidhen me politikat adekuate të balancimit të punës dhe jetës private.

“Çështja e lejes prindërore është një nga çështjet që mbeten jo mirë të rregulluara e që ndikon shumë në diskriminimin e grave në tregun e punës. Ato e kanë vështirë të gjejnë punë për shkak se sektori privat nuk pranon të mbulojë obligimet financiare ndaj punëtoreve që lindin, kurse institucionet publike nuk kanë politika që e adresojnë këtë çështje”, thotë ajo.

Edhe pse sektori publik ka disa çështje më mirë të rregulluara se ai privat, Syla thotë se problem madhor vazhdon të mbetet diskriminimi që gratë përjetojnë në vendin e tyre të punës.

“Si një ndër problemet kryesore është ngacmimi seksual ndaj grave në vendin e tyre të punës, që për fat të keq vazhdon të mbetet shumë pak i raportuar”, thotë ajo.

Në vitin 2016 raportimi i ngacmimit seksual në vendin e punës është vetëm 4% i raportuar tek autoritetet përkatëse, shifër kjo që tregon një lloj hezitimi për raportimin e ngacmimit seksual në vendin e punës. Nga përgjigjet e dhëna, gratë të cilat kishin përjetuar ngacmim seksual në vendet e tyre të punës dalin t’u kenë treguar këtë një shoku/shoqeje (41%), një të njohuri, kolegut (28%) ose pjesëtarit të familjes (21%). Vetëm 2% është përqindja e grave që kanë raportuar rastin në polici, duke mos lënë anash rastet që ngacmimi seksual nuk është raportuar fare, gjë kjo e cila përfshin një të tretën e grave. Diferencë në shifër ka edhe në rastet e raportimit të ngacmimeve seksuale te menaxherët e tyre në vendin e punës. Dukshëm më i vogël është numri i grave (7%) kundrejt burrave (12%) të cilat kanë raportuar rastet e ngacmimeve seksuale te menaxherët e tyre.

Dukuria e ngacmimit seksual mbetet e pranishme edhe në institucionet publike të Kosovës. Nga përgjigjet të cilat janë marrë 35.6% e respondentëve mendojnë se ngacmimi seksual është i pranishëm në institucionet publike të Kosovës dhe 9% pranojnë ta kenë përjetuar më shumë se tri herë këtë lloj ngacmimi. Nga hulumtimet dalin të jenë rreth tri nga katër gra me pozita të larta në vend të punës, të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual në ambientin e tyre të punës.

Duhet përmendur se në vitin 2020 me qëllim të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskrminimi dhe të Ligjit për Barazi Gjinore, u nënshkrua politika kundër ngacmimit seksual në administratën publike në Kosovë. Kjo politikë kundër ngacmimit seksual, shërben si udhëzues për parandalimin e të gjitha formave të ngacmimit seksual në vendin e punës, në mënyrë që të krijohet një ambient pune sa më i sigurt në të gjitha organet e administratës publike në Kosovë. Qëllimi i kësaj politike është parandalimi dhe sanksionimi i çdo forme të ngacmimit seksual në ambientin e punës.

“Organi i punësimit – udhëheqësi/ja i/e drejtpërdrejt, ka për obligim të sigurojë mbrojtje të personalitetit të personelit të tij, të marrë masa të mbrojtjës dhe të ndalojë të gjitha aktet e ngacmimeve seksuale të bëra ndaj një anëtari/je të personelit të vetë nga një bashkëpunëtor/e, nga një person në kuadër të punës”, thuhet aty.

Orgesa Roka

Projekti “Forcimi i Mediave të Pavarura dhe Promovimi i Sigurisë së Gazetarëve në Kosovë” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Albany Associates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM