Për shumë nga gratë deҫanase puna e dorës nuk është vetëm element i traditës që e kanë ruajtur brez pas brezi, por edhe punë me të cilën ndihmojnë mbajtjen e familjes.
Përkundër faktit se nuk kanë edhe shumë fitim, ato prapë vazhdojnë punën me zell. Ato e duan punën që bëjnë dhe thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër. Shumica janë të moshës së mesme ose më të vjetra, të cilat nuk kanë pasur rastin të arsimohen.
Afërdita H. 40 vjeçare nga Deҫani që me punën e dorës, në bashkëupunim me kunatat e saj Besën dhe Hedijen, punon veshjen popullore që është traditë ta veshin nuset ditën e dytë të martesës.
“Unë punoj ҫorapet, ndërsa kunatat e mia punojnë këmishën, jelekun dhe pshtjellakët. Edhe pse është punë e ngadaltë dhe e mundimshme jam e lumtur që deҫanasit ende ruajnë traditën dhe i blejnë”, thotë Afërdita.
Ajo tregon se rroga e burrit nuk mjafton për të shkolluar pesë fëmijët e saj.
“Kështu ne i shkollojmë fëmijët tanë, pasi që vetë nuk kemi arritur të shkollohemi dhe kjo është rruga e vetme që unë mund të kontriboj në familje”, rrëfen Afërdita.
Zyle Balaj 68 vjeç nga fshati Strellc i komunës së Deҫanit thotë se ka filluar të merret me punën e dorës qysh nga mosha nëntë vjeҫare. Sot punon tirqit për djemtë dhe veshjen rugovase për vajzat.
“Përpara kështu e kam mbajtur familjen, e sot edhe pse djali punon unë dhe reja ime nuk shkëputemi nga tradita. Duam që edhe në të kontribojmë në mënyrën tonë në ekonominë familjare”, thotë Balaj.
Këto gra punojnë të organizuara dhe veshjet i shesin sipas kërkesës së klientëve të cilët zakonisht vijnë në shtëpi. Të interesuarit e tjerë mund të blejnë çdo të shtunë në treg në Pejë. Mundësia e tretë është të shkojnë te objekti i mullirit të dikurshëm të cilin në shfrytëzim, kësaj radhe si pikë shitëse, e jep Kuvendi Komunal i Deçanit për OJQ-në “Jeta”.
Edhe themeluesja e OJQ-së “Jeta” në Deҫan, Safete Gacaferri tregon se ky mulli, ku shiten produktet që gratë i punojnë, është edhe një vend tjetër interesant edhe për qytetarët e Kosovës edhe turistët.
“Është shumë me vend që të promovohet puna e këtyre grave që deri sot nuk e kanë pasur mundësinë”, thotë kryetarja e shoqatës “Jeta”, Safete Gacaferri.
Organizata e saj numëron 280 anëtarë të cilët i ekspozojnë produktet e tyre, zakonisht artizanale për të krijuar të hyra financiare.
OJQ “Jeta” ka zhvilluar një mori aktivitetesh nga të cilat kanë përfituar kryesisht gratë mbajtëse të familjes si: familjet e dëshmorëve, familjet të cilat nuk kanë mbajtës të familjes, gratë të cilave për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të integrohen në shoqëri.
Sociologia, Fitore Shala nga Duboviku i Deҫanit, themeluese e OJQ-së, “Mbroji të Drejtat Tua”, që punojnë projekte për fuqizimin e të rinjëve, thotë se ky është një hap i domosdoshëm dhe shumë pozitiv që këto gra të jenë pjesë aktive e shoqërisë dhe të sigurojnë mirëqenien familjare.
Vitin e kaluar mullirin e kanë vizituar nxënësit nga gjimnazi i Bernit ”Neufield”. Ata u mahnitën nga puna e grave.
“Njëra nga pyetjet që e shtruan ishte a të gjithë punën e kanë bërë me dorë?”, tregon me buzëqeshje Gacaferri.
Tradita e punës së dorës për shumë gra deçanase, në njërën anë është një përpjekje për të ruajtur traditën e kësaj pjese të Kosovës, nga ana tjetër, një pikë mbështetesë për të siguruar një jetesë mesatare për familjen.
Sipas të dhënave statistikore nga komuna e Deçanit, prej fillimit të këtij viti janë të punësuar 138 persona në shërbimin civil, prej tyre 107 meshkuj dhe 32 femra. Edhe në sektorët tjerë më shumë ka të punësuar meshkuj sesa femra.
Vetëm në shëndetësi ka një numër më të madh femrash të punësuara: prej 120 sosh, 84 femra.
Fjolla Hajrizaj