Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas bisedës me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj është njoftuar për gjendjen emergjente në këtë komunë.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka shkruar se në pamundësi për të qenë pranë qytetarëve të helmuar meqë është në vizitë zyrtare jashtë vendit, sot në Deçan kanë shkuar zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.
Të dashur qytetarë të Komunës së Deçanit,
Në pamundësi për të qenë pranë jush, meqë jam në vizitë zyrtare jashtë vendit, kam komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse.
Në bisedë me kryetarin e Komunës, Bashkim Ramosaj, jam njoftuar për gjendjen emergjente në Komunën e Deçanit.
Për të konkretizuar mbështetjen e Qeverisë dhe për t’u njoftuar nga afër me situatën, sot në Deçan janë zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Qeveria e Republikës së Kosovës, do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të prekur nga infeksioni, deri në përmirësimin e gjendjes.
Bashkëndjej brengën dhe shqetësimin tuaj dhe ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë.