Build Skills with our trainings

Sign up now!

Në IKSHPK shënohet Dita botërore pa duhan

Maj 31, 2023

Nën moton “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, është shënuar Dita Botërore pa Duhan.

Drejtori i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramadani tha se duhani është kërcënim për shëndetin publik në Kosovë, andaj duhet të ulët niveli i konsumimit të tij.

Ai tha se këtë vit fushata për Ditën Botërore Pa Duhan u bënë thirrje qeverive dhe politikë-bërësve që të zhvillojnë politika dhe strategji të përshtatshme dhe të përkrahin fermerët në rritjen e kulturave ushqimore dhe jo të duhanit, sepse, sipas tij, në këtë mënyrë do t’u siguronin atyre dhe familjeve të tyre një jetë më të mirë.

“Rezultatet e hulumtimit STEPS 2019 treguan se 25.7% e të anketuarve të rritur, në Kosovë përdorin duhan (35.3% meshkuj dhe 15.9% femra), 23.2% e tyre kanë përdorë duhan në baza ditore (32.3% meshkuj kundrejt 13.9% femra). Nga krahasimi i rezultateve të STEPS 2019 në raport me rezultatet e STEPS 2011 del se kemi tendencë të zvogëlimit të përdorimit të duhanit, pasi që në vitin 2011, 28.4% e të anketuarve në Kosovë përdornin duhan (37.4% meshkuj dhe 19.7% femra), dhe 25.6% kanë përdorur duhanin në baza ditore (35.2% meshkuj dhe 16.3% femra)”, tha mes tjerash ai.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha tha se para dhjetë vjetësh, Kosova miratoi Ligjin për Kontrollin e Duhanit, me qëllimin kryesor që të mbrohet shëndeti i popullatës me theks të veçantë që të mbrohen gjeneratat e reja. Por, sipas saj, ndërhyrjet e vazhdueshme të industrisë dhe kompanive të duhanit, përkrahja politike e diskutueshme për zbatimin e ligjit dhe kapacitetet e kufizuar mbikëqyrëse, ndikuan në uljen e nivelit të zbatimit të ligjit duke kufizuar efektet pozitive të ligjit.

“Me qëllim të forcimit të zbatimit dhe monitorimit të ligjit, ditë më parë Qeveria e Kosovës formoi Këshillin Ndërministror për Kontrollin e Duhanit; jemi duke ndërtuar një plan të monitorimit të Ligjit për Kontrolin e Duhanit; do të miratojmë dhe implementojmë së shpejti edhe Udhëzimin Administrativ për Vërejtjet e kombinuara shëndetësore dhe do të mbajmë përgjegjës për zbatim të ligjit të gjitha institucionet që kanë mandate ta zbatojnë ligjin”, tha ajo.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për vazhdimin e aksionit për respektimin e ligjit dhe parandalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura.

Ai tha se MBPZHR, respektivisht AUV, përmes inspektoratit të saj tani e disa muaj ka dinamizuar kontrollet e pirjes së duhanit në hapësira publike. Për një periudhë prej fare pak muajsh, sipas tij, janë inspektuar mbi 4.000 inspektime, dhe janë shqiptuar 535 gjoba.

Shefi i Zyrës së OBSh në Kosovë, Oleksandr Martynenko, dha disa mesazhe kyçe lidhur me Ditën Botërore pa Duhan; ai tha se një person çdo katër sekonda vdes nga duhani. Gjithashtu, ai tha se përdorimi i cigareve elektronike, çamçakëzëve me nikotinë- të gjitha dëmtojnë shëndetin.

Ndërsa, bëri thirrje për zbatim më të rreptë të politikave dhe rregulloreve për ndalimin e duhanit në hapësira publike.

Arben Lila nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), tha se prindërit në Kosovë janë të shqetësuar lidhur me fushatën agresive të rekrutimit të fëmijëve nga industria e duhanit, për duhanpirjen përmes e-cigareve dhe ‘vaping’. Po ashtu, ai tha se duhet të ndalohen rreptësisht reklamat në emisione televizive dhe në radio të këtyre produkteve, thuhet në postimin në Facebook të MSh-së.

 

LATEST PUBLICATIONS

LATEST VIDEOS

LATEST NEWS

LATEST LONGFORM