Resmije Sadiku
Mëngjesin e 24 shtatorit të vitit 2023 Policia e Kosovës u përballë me një sulm nga një grup i organizuar terrorist në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, që rezultoi me vdekjen e rreshterit kosovar Afrim Bunjaku.
Me të ndodhur ky lajm, mediat kosovare ‘u vërshuan’ me lajme që mëtonin të hedhin dritë mbi rastin.
Që nga lajmet e para për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në rrjetet sociale nisi një lloj lufte kibernetike me gjysmë-informacione.
Menjëherë u aludua nga disa media se kush janë sulmuesit, cilat janë motivet e tyre dhe kush i mbështet ata.
Mes lajmeve të shumta janë publikuar edhe fotografi të rreme me lokacione të sulmuesve, si dhe janë postuar deklarata që nuk janë dhënë nga burime zyrtare.
Kontradita në lajme pati edhe për numrin e të plagosurve të sulmuesve.
Mediat kredibile s’ranë pre e lajmeve të rreme
Sipas Hibrid.info, që bënë matjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në vend, mediat kredibile në Kosovë kanë qenë të matura në raportim, porse lajmet e rreme e dezinformatat janë publikuar nga faqe të ndryshme në rrjete sociale, kryesisht në Facebook dhe TikTok.
“Monitorimi i mediave i kryer nga hibrid.info, në lidhje me rastin e Banjskës, tregon se mediat kredibile në Kosovë kanë qenë të matura në raportim, në disa raste kanë publikuar informacione të pakonfirmuara, por duke e bërë të ditur se janë të tilla. Ndërsa përmbajtjet e pa verifikuara, lajmet e rreme e dezinformatat janë publikuar nga faqet e ndryshme në mediat sociale, kryesisht në Facebook dhe TikTok”, thonë nga Hibrid.info në një përgjigje për KosovaLive.
Përmbajtjet e paverifikuara nga sulmi i 24 shtatorit, sipas tyre u publikuan në faqe të ndryshme që vetëquhen “gazeta”.
Pamjet e publikuara nuk ishin nga sulmi në Banjskë, por ishin të realizuara në ShBA, Ukrainë, Bullgari e Azerbajxhan.
“Në median sociale Facebook, faqe të ndryshme që vetëquhen ‘gazeta’ e që shpërndajnë artikuj nga portale të dyshimta, lidhur me rastin e 24 shtatorit në Banjskë kanë publikuar dhjetëra përmbajtje të paverifikuara. Në këto publikime kishte fotografi e video-materiale të vjetra, të cilat nuk kanë paraqitur pamje nga rasti i Banjskës, por të njëjtat janë realizuar nëpër vende tjera si SHBA, Ukrainë, Bullgari e Azerbajxhan”, pohon Hibrid.info.
Arsyeja kryesore për lajmet e rreme dhe dezinformatat në kohë krizash, sipas tyre është numri i madh i mediave online dhe synimi që lajmi të plasohet sa më shpejtë.
Mbi 30 lajme të rreme online për rastin e Banjskës
Kreshnik Gashin, kryeredaktor në Kallxo.com, pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrolluesve të Fakteve (IFCN) të Institutit Poynter që është i përkushtuar në promovimin e ekselencës në vërtetimin e fakteve, pohon se kanë identifikuar mbi 30 lajme të rreme të publikuara në media që nga 24 shtatori.
“Gjatë rastit të Banjskës publiku është dyndur nga informacione të rreme të cilat kanë dezinformuar publikun. në kryptometër janë mbi 30 informacione që i kemi konstatuar si të tilla që nga 24 shtatori”, thotë Gashi.
Përveç lajmeve të rreme të publikuara në media, sipas tij ka pasur edhe informacione që kanë nxitur urrejtje dhe tensione ndëretnike.
“Lajmet e rreme kanë nisë prej lajmeve për numrin e të vrarëve e deri tek informacionet e rreme se KFOR e ka marrë kontrollin e veriut. Kemi pasur edhe informacione që kanë nxitur urrejtje dhe tensione ndëretnike. Situata po ashtu është përdorur për të dhënë informacione të pasakta rreth aktiviteteve të policisë dhe aktiviteteve politike”, tha Gashi për KosovaLive.
Sipas tij, gjatë kësaj kohe gazetarët kanë cituar burime të pasigurta gjatë raportimit për ngjarjet në veri të vendit.
“Kemi vërejtur edhe manipulim të pamjeve dhe falsifikim të fotografive. Përpos kësaj janë publikuar lajme të rreme për ushtrinë e Serbisë dhe po ashtu lajme të rreme për FSK-në. Përpos kësaj kemi vërejtur që gjatë kësaj kohe gazetarët kanë cituar burime të pasigurta të informacionit për ngjarjet në veri. Ka pasur ekspertë të cilët pa asnjë informacion kanë dhënë informacione të pasakta të cilat janë transmetuar pa asnjë verifikim”, deklaroi Gashi.
Gashi thotë se në raste të tilla gazetarët duhet të thirren vetëm në burime të sakta në mënyrë që informimi të jetë sa më i saktë.
Ndërkohë nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës theksojnë është e rëndësishme që në situata të tilla gazetarët dhe mediat të kenë kujdes në mënyrën se si raportojnë dhe çfarë i ofrojnë publikut.
“Sipas Kapitullit VI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, trajtimi i rrëfimeve për tragjeditë duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion”, thuhet në njoftimin e tyre.
Për raportimin etik të mediave në situata të ndjeshme, të krizës dhe tragjedisë mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre.
“Po sipas kodit etik, mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet të raportojnë duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje. Mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit”, kanë theksuar nga KMShK.
Tutje ata kanë theksojnë se mediat nuk duhet që fotografitë ose videot nga vendi i ngjarjes t’i publikojnë pa mbuluar identitetin apo trupin e viktimave pas aksidentit, incidentit, dhunës, fatkeqësisë natyrore apo veprës penale.
“Publikimi i fotografive ose videove të tilla do të konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve të viktimave dhe të ndjeshme për publikun”.
Saktësia, paanshmëria, kodi etik – thelbësorë gjatë raportimit
Profesori i gazetarisë, Dren Gërguri nuk beson që në mediet kryesore online ka pasur dezinformim gjatë krizës në veri.
“Ky fenomen, krahas keqinformimit dhe ç’informimit, në shoqërinë tonë kryesisht shpërndahet në media sociale nga persona që nuk janë të thirrur për të mbajtur shoqërinë të informuar, sepse për këtë qëllim ekziston profesioni i gazetarit. Mendoj se e rëndësishme në këtë mes është që publiku ta kuptojë se duhet ta kërkojë lajmin te gazetarët dhe jo në faqe apo grupe të ndryshme të medieve sociale”, tha Gërguri për KosovaLive.
Ai thekson se në kohë krizash gazetarët kanë një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm te publiku.
“Disa nga gabimet më të shpeshta që mund të bëjnë janë sensacionalizmi, dramatizimi i ngjarjes, cenimi i privatësisë së individëve, etj. Raportimi i saktë, paanshmëria dhe respektimi i kodit etik janë thelbësore për gazetarët gjatë krizave”, deklaroi ai.
Sipas tij, për gazetarët është shumë me rëndësi t’iu përmbahen rregullave bazë të gazetarisë, të verifikojnë çdo informacion dhe të verifikojnë burimet origjinale të çfarëdo lajmi nga mediet tjera.
“Gjithashtu është e rëndësishme që gazetarët të mbajnë hapin me mjetet dhe teknikat e ndryshme që ndihmojnë në verifikim, sepse mënyrat e manipulimit po përsosen, çka e bën të domosdoshme që gazetarët të jenë të përditësuar në këtë aspekt”.
KPM s’ka të dhëna për lajme të rreme më 24 shtator
Zyrtari i Lartë për Marrëdhënie me publikun nga Komisioni i Pavarur për Media, Arsim Dreshaj, pohon se nga monitorimet që kryen KPM, nuk janë gjetur lajme të rreme sa i përket mediave të licencuara në KPM dhe se nuk kanë pranuar as ankesa për këtë çështje.
“Një aspekt tjetër që e ka trajtuar KPM për rastin në fjalë, janë përmbajtjet programore që kanë transmetuar kanalet Arena Sport, ku gjatë transmetimit në Republikën e Kosovës, janë shoqëruar me përmbajtje tekstuale dhe audiovizuale (‘Do të kujtojmë’ “Lavdi heronjve’) e cila mbështet dhe glorifikon aktivitetin terrorist të grupit i cili ka cenuar interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës, veprime këto te cilat janë në kundërshtim me nenin 19, paragrafi 2, të Rregullores KPM-2020/01”, tha Dreshaj.
Ai shton se KPM ka urdhëruar operatoret e shpërndarjes që menjëherë t’i largojnë nga transmetimi kanalet Arena Sport, me qëllim të parandalimit të përmbajtjeve programore të cilat cenojnë interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Gabime gjatë raportimit
Fillimisht, shumë medianë Kosovë dhe llogari të ndryshme në rrjetet sociale raportuan `bimisht për vendndodhjen e sulmit.
U raportua disa herë se ngjarja kishte ndodhur në Leposaviq – njërën nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Por, sulmi kishte ndodhur në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, pak më shumë se 24 kilometra nga Leposaviqi.
Një postim në rrjetin social Facebook ka nxjerrë fotografi të armëve dhe gabimisht ka pretenduar se policia e Kosovës i ka sekuestruar ato në Leposaviq.
Me përshkrimin se bëhet fjalë për një “terrorist” të vrarë nga policia e Kosovës në manastirin në Banjskë, më 25 shtator në rrjetet sociale u shpërnda fotografia e një ushtari nga Azerbajxhani, e cila fillimisht ishte publikuar më 6 prill, 2016. Autori i firmosur është Karo Sahakyan, ndërsa fotografia tregon trupin e një ushtari azerbajxhanas, të shtrirë në vijën e frontit në Nagorno-Karabak – një rajon ky i shkëputur i Azerbajxhanit.
Në rrjetet sociale qarkulloi edhe një fotografi tjetër, me pretendimet se tregon një sulmues të vrarë. Por, në fotografi ishte një ushtar rus i vrarë në Ukrainë, zbuloi ueb-faqja për kontrollimin e dezinformatave nga Kosova, Hibrid.info.
“Vrapi” për postimin e fotos/lajmit pa e verifikuar
Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, Mentor Hoxhaj, në një përgjigje për KosovaLive ka deklaruar se lexuesi ka pranuar lajme të cilat nuk kanë korresponduar me gjendjen reale të sulmit të 24 shtatorit.
Tutje ai thekson se kjo ka ndodhur si pasojë e asaj që mediat kanë “vrapuar” për ta postuar foton ose lamin pa e verifkuar atë.
“Në raste krizash, çfarëdo qofshin ato, rritet interesimi për informacione dhe njëkohësisht shohim rritje të numrit të lajmeve të gabuara dhe të rrejshme. Ne kemi konstatuar një rritje të frikës së qytetarëve, bazuar në lajmet të cilat ju janë ekspozuar”, tha Hoxhaj për KosovaLive.
Sipas Hoxhaj kjo tregon se mënyra se si lexuesi ka “pranuar/lexuar” lajmet nuk ka korresponduar me gjendjen reale të datës 24 Shtator 2024.
Media duhet të kenë kujdes të shtuar në mënyrën se si i hartojnë dhe prezantojnë lajmet thotë Hoxhaj, duke shtuar se kjo do të ndikojë tek lexuesit që informacioni i rezervuar për ta të prezantojë gjendjen reale dhe jo të shtrembëruar.
“Kësaj situate i ka kontribuar dhe shërbimi me foto te gabuara nga një numër i madhe i mediave”, thotë ai.
Sipas Hibrid. info pothuajse 20 për qind e temave, për të cilat shpërndahet keqinformim në media, kanë të bëjnë me Serbinë, sikur lajmet për pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe apo dialogun Kosovë-Serbi.
Veriu i Kosovës kryeson me 12,3% duke u pasuar nga çmimet me 5,2%, dialogu Kosovë – Serbi me 3,1%, skemat sociale me 2,6%, liberalizimi i vizave me 2,4%, komunat me shumicë serbe – 1,9%, pastaj marrëdhëniet Kosovë – Serbi me 1,4%, lufta në Ukrainë me 1,4% dhe grevat në arsim me 1,2%.
Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin”.
Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.