Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ëndrra e Edonës vazhdon të mbetetet e parealizuar shkaku i kushteve ekonomike

Dhj 28, 2023

Edona Krasniqi, 17 vjeçare nga Gjilani, e cila i takon komunitetit ashkali, që kur kishte nisur shkollën fillore kishte ëndërruar të bëhej mjeke.

Mirëpo, ballafaqimi me kushtet e rënda ekonomike kanë bërë që Edona të mos vijojë shkollën e mesme dhe kështu ëndrra e saj të mbeti e parealizuar.

Kjo 17 vjeçare nga Gjilani tregon për KosovaLive rrjedhën e jetës së saj dhe vështirësitë që ka hasur qëkur ka nisur shkollimin, por edhe si është detyruar t’a ndërpresë.

“Kur kam hyrë në klasë të parë, mësuesit na kanë pyetur se çfarë kemi dëshirë të bëhemi kur të rritemi. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të bëhem mjeke. Shkollën fillore e kam përfunduar, por me shumë vështirësi. Nuk kisha para për të blerë libra, krejt çka me kanë ndihmuar shoqet e mia prej komunitetit shumicë”, rrëfen ajo.

Krasniqi tregon  se familja e saj mbijeton vetëm nga ndihmat sociale dhe se ëndrra e saj aktualisht mbetet e parealizuar.

“Tash për tash nuk do të kem mundësi të vazhdojë shkollimin. Jetojmë vetëm prej ndihmës sociale. Përveç babait që mundohet me kanaçe t’i shtojë të ardhurat”, shton Krasniqi.

Fati i Edonës, fatkeqësisht i përcjellë edhe shumë vajza të tjera të komuniteteve jo shumicë në Gjilan, të çilat ëndërrojnë të bëhen mjeke.

Mosvazhdimin e shkollës, përtej atij fillor, e konfirmon edhe drejtori i Shkollës së mesme të Mjekësisë “Dr.Asllan Elezi”, Shaban Tërstena, i cili ka thënë për KosovaLive se prej kur ai e udhëheq këtë shkollës, nuk ka pasur nxënës të këtyre komuniteteve.

“Shkolla e Mesme e Mjekësisë Dr. Asllan Elezi’ në Gjilan, funksionon si shkollë në vete nga  viti 1994. Në bazë të njohurive që kam, nxënës nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, nuk ka pasur, sepse nuk ka pasur asnjëherë as kërkesa nga ndonjë pjestar i këtyre komuniteteve”, ka thënë Tërstena.

Nivelin e lartë të analfabetizmit dhe nivelin e ultë të suksesit në shkollë, e thekson për KosovaLive edhe drejtoresha e organizatës “Balkan Sunflowers”, Ferdane Asllani, sipas së cilës për të adresuar këtë problem, është e rëndësishme që të merren masa për të siguruar qasje të barabartë.

“Në shumë raste, pjesëtarët e komuniteteve egjiptian, ashkali dhe rom kanë hasur në pengesa dhe diskriminim në arsim. Kjo ka ndikuar në nivelin e lartë të analfabetizmit dhe nivelin e ulët të suksesit në shkollë. Për të adresuar këtë problem, është e rëndësishme që të merren masa për të siguruar qasje të barabartë në arsim dhe për të ofruar mbështetje shtesë për studentët dhe nxënës nga këto tri komunitete”, ka thënë Asllani.

Anëtarja e ekipit në Zyrën për Qeverisjes të Mirë, Elizabete Growing, njëherësh edhe ish këshilltare e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pohon se Ministria e Arsimit ka ndarë fonde për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

“Ministria e Arsimit ka ndarë fonde speçifikisht për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian me 200 mijë euro sivjet dhe gjithashtu 200 mijë euro vitin e kaluar për qendrat mësimore. Si përkrahje për studentët e këtyre komuniteteve në shkollat e mesme, ministria ka ndarë 500 bursa çdo vit. Gjithashtu, vitin e kalur MAPL bashkë me MESTI-n kanë ndarë fonde për bursa për 100 studentë të fakulteteve publike prej këtyre komuniteteve”, ka thënë Growing për KosovaLive.

Arritjen e ulët në arsim e dokumentojnë edhe të dhënat zyrtare të Qeverisës së Kosovës “Strategjia për avansimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, ku thuhet se në arsimin parashkollor (përfshirë moshat 0-5) nga komuniteti ashkali janë gjithsej 3, ndërsa nga ai rom janë 4.

Ndërsa, niveli i arsimit parashkollor/parafillor (përfshirë moshat 0-6) nga komuniteti ashkali përfshinë 216 nxënës, ndërsa nga ai rom është 88.

Arsimi fillor/i mesëm i ulët përfshinë 3755 nxënës nga komuniteti ashkali, ndërsa nga ai rom janë 1072. Kurse, arsimi i mesëm i lartë përfshinë 224 nxënës, ndërsa nga ai rom janë 170.

Kushtet e rënda ekonomike çojnë në përjashtimin nga pjesëmarrja në të gjitha fushat e jetës

Në këtë aspekt, Elizabete Growing, ish-këshilltarja e Kurit, thotë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, këtë vit ka ndarë 1 milion euro për projekte në lagje me komunitetet jo shumicë, të cilët kanë përfituar për ndriçim të trotuarëve, asfaltimit etj.

Ish këshilltarja thekson tutje se qeveria punon për dhe me këto komunitete në mënyra të ndryshme.

Sipas saj, ndihmat direkte të qeverisë përfshijnë ndërtimin e shtëpive ose ofrimin e materialit ndërtues, pako higjenike, ushqimore dhe mobilje.

“Këtë vit, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndarë fonde për shtëpi të reja për 19 familje, pako ushqimore dhe higjenike për 373 familje, teknikë të bardhë për 75 familje, mobilje për 58 familje si dhe marteriale ndërtimore për 120 familje. Gjithashtu, MAPL ka ndarë 2 milionë euro për ndërtimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë dhe 1 milion euro për renovimin e shtëpive”, ka thënë Growing për KosovaLive.

Mirëpo, Growing thekson se pavarësisht kësaj komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përjetojnë sfida në aspekte të ndryshme.

Ajo ka thënë për KosovaLive se gjendja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë është e keqe, pavarësisht me çfarë matës llogaritet.

“Vdekshmëria e foshnjeve, braktisja e shkollave, martesat e hershme, analfabetizmi, varëfëria, papunësia – të gjitha lidhen me njëra-tjetrën dhe në të gjitha këto aspekte, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë në një pozitë më të keqe sesa komunitetet e tjera, qofshin komunitete jo shumicë apo edhe shumicë”, ka thënë tutje Growing për KosovaLive.

Ndihmat që qeveria iu ofron këtyre komuniteteve, ish deputeti nga partia rome, Alberti Kinolli thotë se janë të pamjaftueshme.

“Për fat të keq, (komuniteti rom) mbetet komuniteti më i margjinalizuar në Kosovë. Ankesat më të mëdha janë: mospërfshirja e komuniteteve në instituçionet publike prej 10%, ashtu siç e garanton ligji, papunësia, arsimimi, shëndetësia. Ndihma është jo edhe aq e kënaqshme,(ad-hoç)”, ka thënë ai për KosovaLive.

Mirëpo, pavarësisht ndihmave që u ofrohen, komunitetet vazhdojnë të përballen me vështirësi për mbulueshmërinë e shpenzimeve mujore që një familje duhet t’i ketë, e si rrjedhojë shpesh mbesin në mëshirën e ndihmave sociale.

Njëra nga pjesëtarët e komuniteti ashkali të Komunës së Gjilanit, Emina Rama, thotë për KosovaLive se është e pamundur që shpenzimet mujore të mbulohen vetëm përmes ndihmave sociale prej 130 eurove.

“Është e vështirë që veç prej ndihmave soçiale me jetu. Janë të pamjaftueshme 130 euro edhe për t’i mbuluar shpenzimet e shtëpisë, por edhe për t’i shkolluar fëmijët. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, shumica detyrohen që fëmijet t’i ndalojnë nga shkolla”, tha Rama.

 

Yllka Ramadani ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin “Hasan Prishtina”, dega gazetari. Ndërsa, vijoj studimet master në Administratë Publike dhe Diplomaci. Pasionante e gazetarisë, ka zhvilluar shkathtësitë e saj edhe me angazhimin në organizata të ndryshme vendore me synim  të një perspektivë më të gjerë në fushën e gazetarisë.

Artikulli është realizuar në kuadër të programit “Internship & Mentorship” të projektit “Edukimi mediatik si mjet për të luftuar dezinformimin,”

 

 

Ky program implementohet nga KosovaLive dhe është mundësuar nga SustainMedia, një projekt i GIZ, i financuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Gjermane.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

EDUKIM

BARAZI