Ka vdekur kompozitori i njohur dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri, në moshën 85-vjeçare.
Krahas punës së suksesshme krijuese më vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Beqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë.
Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës tek Radio Prishtina e ansambli nacional i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai ishte themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë, tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend.
Homazhe për Beqirin do të bëhen sot në ora 15:00 te Teatri Kombëtar, thuhet në komunikatën për media e MKRS-së.