Për të diskutuar për rëndësinë e planifikimit hapësinor në zhvillimin dhe rritjen ekonomike, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar diskutim me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane tha se planifikimi hapësinor është i lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik, ku me këtë rast theksoi qëllimin e këtij diskutimi me Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Zeka theksoi rëndësinë e legalizimit të objekteve pa leje, po ashtu, për planet e Ministrisë për ngritje të vetëdijes publike për procesin e aplikimit, por edhe skenarët alternativë pas skadimit të periudhës për aplikim për legalizim, meqë edhe kjo temë është e lidhur ngushtë ne çështjen e zhvillimit ekonomik.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, theksoi se është i lumtur për mundësinë e diskutimit me ndërmarrjet private dhe vendosjes së bashkëpunimit me përfaqësuesit e sektorit privat, ku si qëllim themelor është arritja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik që respekton planifikimin hapësinor por edhe kërkesat për mbrojtje mjedisore. Ministri Aliu më tutje tha se problem për Ministrinë që ai drejton është çështja e shpronësimit, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
Ministri Aliu vuri theks te veçantë edhe te çështja e legalizimit, duke theksuar nevojën e një fushate të vazhdueshme të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve, por edhe bizneseve, duke nënvizuar edhe kontributin që odat ekonomike mund të bëjnë në këtë aspekt, thuhet në komunikatën për media e OEAK-së.