Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kryeministri Kurti në promovimin e librit “78 Ditë bombardime të NATO-s”

Shk 17, 2022

Në kuadër të agjendës shtetërore në shënim të 14- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë se Republikës së Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “78 Ditë bombardime të NATO-s” nga autori Shyqri Nimani.

Në këtë vepër, autori ka mbledhur pasqyrimet e shumta të gazetave britanike në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe në Serbi.

“Sot është dita ideale për të shënuar promovimin e librit të z.Shyqri Nimanit – të quajtur “78 ditë bombardime të NATO-s”. Mu në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është mirë të kthehemi e të kujtojmë atë që kemi kaluar, e që na ka sjellë këtu ku jemi sot”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Ai vlerësoi botimet e tilla si domosdoshmëri për të kujtuar dhe dokumentuar të shkuarën, në momentin më vendimtar për brezin tonë dhe jo vetëm.

Së bashku me kryeministrin, në këtë promovim, të pranishëm ishin edhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

 

 

Sot është dita ideale për të shënuar promovimin e librit të z.Shyqri Nimanit – të quajtur “78 ditë bombardime të NATO-s”. Mu në 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, është mirë të kthehemi e të kujtojmë atë që kemi kaluar, e që na ka sjellë këtu ku jemi sot.

 

Z. Nimani në këtë vepër ka mbledhur pasqyrimet e shumta të gazetave britanike në lidhje me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe në Serbi.

 

Jo rastësisht, besoj që, z. Nimani e nisë këtë vepër me një copëz nga “Historia e Ballkanit” e Ferdinand Schevill-it, me ç’rast citati thotë:

 

“Edhe pse të gjithë popujt e Gadishullit Ballkanik kanë ardhur dikur në të kaluarën, vetëm dy popuj janë autoktonë dhe jobarbarë: grekët dhe shqiptarët, vetëm dy gjuhë janë autoktone dhe të mëdha, greqishtja dhe shqipja:
e para e ardhur nga thellësitë e errëta egjeane dhe e shkruar në papirus e në letër; e dyta e ardhur duke kalëruar mbi netët pellazgjike e skalitur vetëm në gurë, në gjak dhe në shpirtra…”

 

Tutje, z.Nimani me përpikëri vë në pah marrëdhëniet shqiptaro-serbe gjatë shekujve, duke u ndalur tek elaboratet e vazhdueshme të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve. Nisur me programin e parë politik për Serbinë e Madhe – ‘Načertanije’, për të vazhduar me ‘Balkansko Poluostrvo’ (Jovan Cvijić), ‘Iseljavanje Arnauta’ (Vaso Čubrilović), ‘Alde Memoire’ (Ivo Andriq) e deri te ‘Marrëveshja xhentëlmene’ që hyn në vargun e dokumenteve antishqiptare për shpërnguljen e tyre në Turqi.

 

Në veprën e tij, z.Nimani na jep një hyrje mbi narrativën e Kosovës. Një hapje sa për të kujtuar lexuesin se bombardimet e NATO-s nuk kanë ndodhur të izoluara. Se ato janë pjesë e një narrative më të gjerë. E një historie më të gjatë. Për të ndërtuar këtë argument, z. Nimani analizon masakrat ndaj shqiptarëve në Luftërat Ballkanike gjatë viteve 1912-1913, bashkë me protestat e shqiptarëve kundër projekteve gjenocidale të Serbisë.

Duke pasuruar narrativën mbi Kosovën, z. Nimani në këtë vepër koncentrohet në marrëdhëniet e shqiptarëve me ndërkombëtarët, specifikisht britanikët dhe amerikanët. Sipas meje, ky është përfundimi më i mirë i hyrjes që mund t’i jetë bërë një vepre si kjo.

 

Në 399 faqet e veta na rikujton miqtë që na kanë ndihmuar, e armiqtë që na kanë penguar.

 

Na rikujton pasqyrën përmes së cilës na ka parë bota përgjatë atyre 78 ditëve në zjarr.

 

Na rikujton sakrificat dhe sfidat që i kemi kaluar si popull, për të arritur ku jemi sot.

 

Por, gjithashtu na kujton që ato 78 ditë në zjarr, kanë lënë mbrapa jo pak tym, e që ndonjëherë shikimi na është zbehur.

 

Por, nuk na është zbehur aq sa për të mos parë rëndësinë e një vepre të tillë. Jo aq sa për të mos pranuar kontributin që një dokumentim i tillë i jep vendit tonë.

 

Veprat si kjo që po promovohet sot janë të domosdoshme. Nuk janë luks. Janë domosdoshmëri për të kujtuar dhe dokumentuar të shkuarën, në momentin më vendimtar për brezin tonë dhe jo vetëm.

 

Janë thirrje për të rikujtuar solidarizimin e treguar nga bota, dhe për të ringjallur të njëjtën ndjeshmëri. Sepse vetëm duke u solidarizuar me tjetrin, mund të arrijmë të bëjmë ndryshimin që duam të shohim në botë.

 

Andaj, në vazhdën e këtij sentimenti, dëshiroj që të përfundoj fjalën time duke zgjedhur të lexoj pikërisht poezinë e dr. Martin Niemoller me të cilën z.Nimani e ka parë të denjë ta përmbyllë veprën e tij. Mbase këto vargje do të na sjellin më afër njëri-tjetrit, por edhe të kaluarës:
 

Së pari ata erdhën për socialistët
Dhe unë nuk fola…
Sepse nuk isha një socialist.
 

Pastaj erdhën për sindikalistët
Dhe unë nuk fola…
Sepse unë nuk isha një sindikalist.
 

Pastaj ata erdhën për hebrenjtë
Dhe unë nuk fola…
Sepse nuk isha një hebre.
 

Pastaj ata erdhën për mua
E atëherë nuk kishte mbetur askush
Të fliste për mua…
 

Ju faleminderit Prof. Shyqri. Urime të gjithëve Dita e Pavarësisë!
 

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM