Bashkëpunimi për të avancuar drejt integrimit euro-atlantik dhe angazhimi i përbashkët për zhvillim ekonomik dhe sundim të ligjit, ishin tema e takimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Rockefeller Brothers Fund, Stephen Heintz dhe drejtoren e programit për Ballkan Perëndimor të Rockefeller Brothers Fund, Mia Vukojevic.
Në takim, kryeministri Kurti theksoi stabilitetin institucional aktual, indikatorët pozitiv ekonomik dhe reformat në drejtësi.
U bisedua për forcimin e cilësisë së demokracisë nëpërmjet llogaridhënies dhe transparencës, si dhe avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm, duke u fokusuar në energji të ripërtritshme dhe mjedis të shëndetshëm. Duke kundërshtuar invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, u diskutua për efektet në Evropë dhe botë.
Po ashtu, u fol edhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Rockefeller Brothers Fund me organizatat vendore në Kosovë, drejt forcimit të praktikës demokratike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të një të ardhmeje evropiane për rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.




