Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr.Rifat Latifi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Austri- Graz, ka vizituar Klinikën Universitare të Stomatologjisë.
Në këtë vizitë, ministri Latifi u takua me Prof. Dr.Wolfgang Kole, drejtor i përgjithshëm i kësaj Klinike Universitare, Prof. Med. Dr. Dent.Norbert Jakse, Drejtor i Departamentit për Mjekësi Dentale dhe Shëndet Oral, Prof. Dr. Martin Lorensoni, Prof. Dr. Karl Glockner, Prof, Dr. dhe Dekan për PHD, Michael Paja, Prof.Dr.Wolfgang Zemann.
Pjesë e delegacionit të ministrit Latifi ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Lulzim Pllana dhe Prof. Dr. Lumnije Kqiku, këshilltare e jashtme e ministrit Latifi e cila është edhe zv.Dekane për PHD e kësaj Klinike Univrrsitare.
Në këtë takim, ministri Latifi shprehu respektin dhe konsideratën e tij, fillimisht për mbështetjen e ofruar nga drejtuesit e këtij Universiteti dhe njëkohësisht edhe për bashkëpunimin e ofruar për të zhvilluar shëndetësinë e Kosovës.
Ministri Latifi u fokusua në ndërtimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojês së ekspertëve nga të dyja vendet.
Po ashtu, në këtë takim ministri Latifi ka kërkuar edhe bashkëpunim sa i përket trajnimit të stafit të mjekëve dhe të infermierëve, në mënyrë që gjeneratat e reja të jenë sa më të përgatitura për shërbim sa më të mirë ndaj pacientëve.
Ndërkaq, drejtuesit e këtij Universiteti u shprehën të gatshëm për të bashkëpunuar me ministrin Latifi, pasi që mbështetja dhe përkushtimi për transformin e shëndetësisë së Kosovës është e domosdoshme, thuhet në postimin në Facebook të MSh-së.






