Ministria e Shëndetësisë ka publikuar udhëzuesin për COVID-19, se cfarë duhet të dihet për të mbajtur fëmijët të sigurt nga kjo pandemi.
Pandemia COVID-19 ka sjellë me vete sfida të reja për familjet në të gjithë globin. Ky udhëzues ofron informacione të sakta dhe të besueshme për mënyrat më të mira për të mbajtur fëmijët të sigurt nga COVID-19.
SI NDIKON COVID-19 TE FËMIJËT DHE ADOLESHENTËT
Ashtu si të rriturit, fëmijët dhe adoleshentët mund të:
- Sëmuren rëndë nga COVID-19
- Kenë probleme shëndetësore afatshkurtra dhe afatgjata
- Përhapin COVID-19 te të tjerët, në shtëpi, shkollë, etj.
Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur paraprakisht se si fëmijët ose adoleshentët do të përballen me COVID-19. Megjithatë, fëmijët me probleme shëndetësore ose që kanë sistem imunitar të dobësuar kanë më shumë gjasa të sëmuren rëndë nga COVID-19. Por, edhe fëmijët pa probleme shëndetësore mund të përjetojnë gjendje të rëndë nga COVID-19. Në fakt pothuajse gjysma e fëmijëve më të vegjël se 18 vjeç të shtruar në spital me COVID-19 nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër kronike .
Pra, COVID-19 mund t’i bëjë fëmijët dhe adoleshentët e çdo moshe të sëmuren rëndë dhe ndonjëherë të kërkojnë trajtim në spital.
A mund të përjetojnë efekte afatgjata fëmijët që infektohen me COVID-19?
Kushdo që ka pasur COVID-19 mund të përballet me COVID-19 të zgjatur. Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët me COVID-19 të lehtë dhe të rëndë kanë përjetuar simptoma afatgjata. Simptomat më të zakonshme te fëmijët përfshijnë:
- Lodhje
- Dhimbje koke
- Probleme me gjumin
- Probleme me përqendrimin
- Dhimbje të muskujve dhe kyçeve
- Kollë.
Këto simptoma mund të ndikojnë në aftësinë e fëmijëve për të ndjekur shkollën ose për të kryer aktivitetet e tyre të zakonshme. Në rast të simptomave afatgjate të COVID-19, flisni me mjekët dhe mësimdhënësit për nevojat e fëmijëve tuaj.
VAKSINIMI I FËMIJËVE KUNDËR COVID-19
Vaksinimi kundër COVID-19 është mënyra kryesore për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 dhe ndërlikimet e tij. Kosova filloi vaksinimin kundër COVID-19 me 29 Mars 2021 në popullatën 16+. Me 2 Nëntor 2021 Ministria e Shëndetësisë aprovoi edhe vaksinimin e grup-moshës 12-15 vjeç me dozën e parë dhe të dytë (seria primare) . Ndërsa, me rekomandim të Komitetit për vaksinim u aprovua edhe doza pediatrike për grup-moshën 5-11 vjeç. Sa i përket dozës përforcuese, popullata e kualifikueshme është 12+. Kjo dozë rekomandohet të jepet së paku 5 muaj nga marrja e dozës së dytë të vaksinës.
Vaksina e aprovuar për personat mbi 5 vjeç e cila jepet në Kosovë është vaksina Pfizer BioN/Tech. Për grup-moshën 5-11 vjeç jepen dozat pediatrike (që janë doza më të vogla, të përshtatshme për këtë grup-moshë), ndërsa për grup-moshën 12+ jepen dozat e rregullta
Vaksinimi kundër COVID-19 i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të ndihmojë në menaxhimin e pandemisë duke:
- Mbrojtur fëmijët nga gjendja e rënduar shëndetësore në rast të infektimit
- Lejuar vazhdimin e aktiviteteve në shkollë ose në çerdhe
- Lejuar pjesëmarrjen e sigurt në sporte, vendet e lojës dhe aktivitete të tjera në grup.
Si u përcaktua siguria, efektiviteti dhe efikasiteti i vaksinave Pfizer-BioN/Tech COVID-19 për përdorim te fëmijët dhe adoleshentët?
Komiteti për përdorimin e produkteve mjekësore te njerëzit (CHMP) të Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) me 28 maj 2021 rekomandoi përdorimin e vaksinës Pfizer-BioN/Tech te fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Kurse, me 25 nëntor 2021 u rekomandua fillimi i përdorimit të dozës pediatrike te fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Efektiviteti dhe efikasiteti i vaksinës u hulumtuan dhe u testuan në fëmijë të moshës 5-11 dhe 12-15 vjeç. Studimet u miratuan nga Komiteti Pediatrik (PDCO) i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA). Studimet treguan se përgjigja imunitare në këto grup-mosha është e krahasueshme me përgjigjen imunitare të grup-moshës 16-25 vjeç (e matur nga niveli i antitrupave kundër SARS-CoV-2).
Provat klinike dhe monitorimi i vazhdueshëm i sigurisë tregojnë se vaksinimi COVID-19 është i sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.
A ka kundërindikacion ndaj vaksinave kundër COVID-19?
Reagimi alergjik (anafilaksia) pas marrjes së vaksinave kundër COVID-19 (mARN) është raportuar rrallë. Nëse ndodh reagimi alergjik pas dozës së parë të vaksinës, nuk duhet të jepet doza e dytë e vaksinës. Prandaj, reagimi i mëhershëm alergjik ndaj ndonjë përbërësi të vaksinës është kundërindikacion i vaksinës.
EFEKTET ANËSORE TË VAKSINËS COVID-19 TEK ADOLESHENTËT
Fëmijët dhe adoleshentët mund të kenë disa efekte anësore pas marrjes së vaksinës COVID-19 të cilat janë të lehta dhe zakonisht zhduken brenda pak ditësh.
Disa adoleshentë nuk kanë fare efekte anësore. Efektet anësore të zakonshme pas marrjes së dy dozave të para të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 të raportuara në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve janë:
- Lodhje
- Ethe
- Dhimbje koke
- Dhimbje në krahun ku është bërë injektimi
Vendosja e një lecke të ftohtë dhe të lagur në zonën e krahut ku është dhënë vaksina mund të ndihmojë. Pyesni mjekun familjar për këshilla lidhur me menaxhimin e efekteve anësore eventuale.
BRENGAT RRETH VAKSINAVE KUNDËR COVID-19
Lajme të ndryshme rreth vaksinave kundër COVID-19 kanë qarkulluar nëpër media përgjatë gjithë pandemisë. Një pjesë e këtyre lajmeve kanë qenë dezinformata që kanë shkaktuar pasiguri, mosbesim dhe kanë ndikuar në hezitimin e njerëzve për t’u vaksinuar. Të pa baza janë dezinformatat se vaksina kundër COVID-19 mund të ndikojë në fertilitet, në kodin gjenetik apo aspekte të tjera shëndetësore. Siguria e vaksinës është e dëshmuar nga institucionet më të besueshme shëndetësore dhe vaksinimi mbetet mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga COVID-19.
PËRGATITJA E FËMIJËVE PËR VAKSINIM
Përvoja e marrjes së vaksinës kundër COVID-19 do të jetë shumë e ngjashme me përvojën e marrjes së vaksinave të tjera të rregullta. Përdorni këshillat në vazhdim për të mbështetur fëmijën tuaj para, gjatë dhe pas vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19.
- Bisedoni me fëmijën tuaj përpara vaksinimit se çfarë të presë.
- Ndihmojini në lehtësimin e stresit nga vaksinimi.
- Lexoni rreth mënyrave për të menaxhuar frikën nga gjilpërat.
- Tregojini ofruesit të vaksinës për çdo alergji që mund të ketë fëmija juaj.
- Kërkojini fëmijës tuaj të qëndrojë ulur për 15-30 minuta pas vaksinimit, në mënyrë që fëmija juaj të mund të vëzhgohet në rast se ka ndonjë reagim alergjik.
- Pyetni profesionistin shëndetësor për këshilla mbi përdorimin barnave që mund të merrni në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijën tuaj.
*Nuk rekomandohet përdorimi i barnave para vaksinimit për të parandaluar efektet anësore.
- Sigurohuni që fëmija juaj të marrë kartën e vaksinimit kundër COVID-19 përpara se të largohet nga vendi i vaksinimit.
SI TË FLISNI ME FËMIJËT TUAJ PËR VAKSINAT KUNDËR COVID-19?
Lajmet për vaksinat kundër COVID-19 kanë ndikuar në jetën tonë të përditshme dhe është e natyrshme që fëmijët janë kureshtarë dhe kanë pyetje. Këtu janë disa këshilla për të ndihmuar në shpjegimin e pyetjeve të tyre në mënyrë të thjeshtë.
Pyesni dhe dëgjoni
Ftojeni fëmijën tuaj të flasë mbi atë që ka dëgjuar për vaksinat kundër COVID-19 dhe dëgjoni përgjigjet e tyre. Është e rëndësishme të jeni të vëmendshëm dhe të merrni seriozisht çdo frikë që ata kanë. Jini të durueshëm, pandemia dhe dezinformatat kanë shkaktuar shumë shqetësime dhe pasiguri për të gjithë. Bëjini atyre të ditur se gjithmonë mund të flasin me ju për shqetësimet e tyre.
Jini të sinqertë me ta
Fëmijët kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh, por kjo duhet t’u shpjegohet në një mënyrë të përshtatshme për moshën. Mbani në mend se fëmijët i marrin sinjalet emocionale nga të rriturit, kështu që edhe nëse jeni të shqetësuar për fëmijën tuaj, përpiquni të mos e shprehni frikën para tyre.
Përgjigjuni pyetjeve të tyre
Ky udhëzues përmban informata që mund t’ju ndihmojnë të përgjigjeni në pyetjet që fëmija juaj mund të ketë në lidhje me vaksinat kundër COVID-19.
Mos harroni:
Prindërit kanë si synim mirëqenien e fëmijëve të tyre. Mbani në mend se, ashtu si vaksinat e tjera, vaksina kundër COVID-19 vepron si një mburojë, duke i mbajtur familjet dhe komunitetet të sigurta, thuhet në postimin në Facebook të MSh-së.
Burimet:
https://www.mayoclinic.org/…/covid-19…/art-20513332
https://www.toronto.ca/…/covid-19-vaccine-eligibility…/
https://www.cdc.gov/…/recommendations/children-teens.html
https://www.unicef.org/…/coronavirus-covid-19-guide…
https://www.cdc.gov/…/pfizer-bioNTech-children…
https://www.ema.europa.eu/…/comirnaty-covid-19-vaccine…
Udhëzuesi me “Informata për vaksinën Pfizer BioN/Tech kundër COVID-19” nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë.






