Filharmonia e Kosovës ka bërë të ditur se papritmas ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi.
I lindur më 05.11.1990, Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës. Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë (Klasa: B. Gashi) ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës (Klasa: A. Goshev dhe A. Canaj).
Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj.
Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”.
Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”.
Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend. Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë, thuhet në postimin në Facebook të Filarmonisë së Kosovës.






