KMDLNj thërret Qeverinë e Kosovës t’i ulë armët e kërcënimit dhe të gjejë një zgjidhje bashkë me sindikatat. Kosova po përballet me greva dhe kërcënim për greva shkaku se sindikalistët kanë kërkuar rritje të pagave e që po refuzohet nga qeveria. Nga të gjithë segmentet që kanë filluar grevën apo që do të bëjnë grevë së shpejti, arsimi është më i ndjeshmi dhe më kërcënuesi.
KMDLNj është deklaruar shumë herë se greva është mjet i skajshëm apo i fundit i një veprimi sindikalist. Në mungesë të vullnetit, në radhë të parë të qeverisë, që përmes dialogut me sindikata të gjejë zgjidhje sipas kërkesës së sindikatave apo, si zgjidhje kalimtare të jetë një marrëveshje e afatizuar, dy palët kundërshtuese janë barikaduar duke mos ofruar asnjë zgjidhje.
Madje, këto sindikata janë shpërfillur nga qeveria, janë kërcënuar verbalisht dhe tani po kërcënohen se do të mbesin pa paga nëse bëjnë grevë. Natyrisht se, nëse ky kërcënim nga qeveria jetësohet do të ishte shkelje e rëndë e Ligjit të Punës dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut për faktin se organizimi dhe veprimi sindikalist është i rregulluar dhe lejohen me ligj. Vetëm shtetet diktatoriale dhe fashiste kanë vepruar kështu ndaj gevistëve.
KMDLNj fton sindikatat të përpiqen t’i shmangen grevës së përgjithshme deri të shterrje të të gjitha mundësive dhe përkrahë grevën, si e drejtë ligjore dhe e drejtë e njeriut vetëm kur mbetet mjeti i fundit për realizim të drejtave të tyre, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.




