Mungesa e të dhënave në nivelin kombëtar për potencialin hulumtues në vend për të bërë politika të bazuara në të dhëna është sfidë e kahmotshme, të cilën MASHTI e ka adresuar në dy dimensione.
E para, ka filluar komunikimin zyrtar me platformat Scimago dhe Scopus për listimin e Kosovës si shtet në këto platforma dhe afilimin e institucioneve të Kosovës në platforma që në muajin mars 2022.
Dimensioni i dytë është se MASHTI është duke e ndërtuar platformën në nivelin kombëtar (platformën KRIS – Sistemi Informativ i Hulumtimit në Kosovë), e cila së shpejti do të pilotohet.
Komunikimi për anëtarësim në platformën Scopus, është bërë përmes zyrtarëve të MASHTI-t dhe ndihmës së partnerëve, të cilët zyrtarisht, më datën 14 shtator 2022 kanë konfirmuar njohjen e Kosovës nga Scopus duke na dërguar edhe argumente për këtë.
MAShTI falënderon të gjithë ata që kanë kontribuar për të arritur këtë rezultat, i cili padyshim është arritje e madhe për Kosovën dhe komunitetin hulumtues, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.
“Përkundër nismave individuale të hulumtuesve që Kosova të jetë e listuar në një nga platformat më të rëndësishme shkencore në botë, siç është platforma Scopus, deri më tani ka munguar pjesa institucionale e veprimit. Si rezultat, e gjithë puna e hulumtuesve tanë nga Kosova deri më tani i është faturuar Serbisë.
MASHTI ka marrë masa, duke e adresuar këtë problem dhe sot kam kënaqësinë të ndajë lajmin e mirë me gjithë komunitetin hulumtues se, tashmë puna hulumtuese e tyre i njihet Kosovës.
Kjo është edhe një mundësi që të masim potencialin hulumtues në vend dhe do të na ndihmojë si shtet që të bëjmë politika të bazuara në të dhëna, sepse ato mund t’i marrim nga Platforma.
Kjo është mundësuar falë përkushtimit të zyrtarëve të MASHTI dhe ndihmës së madhe të partnerëve zhvillimorë. I falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim, në veçanti Programin Fulbright dhe Dr. Jaimie Rubin, e cila do të vijë të punojë me ne në MASHTI në mars të vitit 2023.
Ky është një sukses i rëndësishëm për të gjithë ne, ndërsa unë jam e lumtur që me programet mbështetëse, të cilat po i financojmë si Ministri, po i arrijmë edhe qëllimet tona”, ka thënë ministrja Nagavci.