Sipas KMDLNj-së, ata që janë më të rrezikuarit dhe që kanë arsye të bëjnë grevë janë pensionistët dhe përfituesit e ndihmave të skemës sociale që jetojnë në kushte skajshmërisht të rënda dhe të padinjitetshme.
Në kohën kur në Kosovë po përkeqësohet gjendja ekonomike e qytetarëve, qoftë për shkak të inflacionit në rritje të vazhdueshme, si pasojë edhe e krizës globale, qeveria e Kosovës po ndërmerrë masa që kjo gjendje të zbutet e të cilat KMDLNj i vlerëson si masa simbolike. Për shkak të krizës ekonomike dhe me kërkesë të rritjes së pagave apo ndarjes së mjeteve shtesë deri në rritje të pagave, SBASHK ka organizuar një grevë duke e lënë procesin e arsimit të bllokuar më shumë se 20 ditë.
Edhe administrata është në grevë duke bllokuar në masë të madhe ofrimin e shërbimeve në komunën e Prishtines. Sindikalistët shëndetësorë kanë paralajmëruar grevë sikur edhe sindikatat që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e të punësuarve në sektorin privat. Greva e SBASHK-ut, ndonëse është në përputhje me ligjin dhe mandatin që e ka, në mënyrë të drejtpërdrejtë i shkelë të drejtat e nxënësve të të gjitha niveleve për faktin se ua pamundëson vijimin e procesit mësimor.
Për këtë arsye KMDLNj, që nga fillimi ka deklaruar se greva është mjet dhe mundësi e skajshme dhe gjithashtu ka deklaruar se nuk janë përdorur të gjitha mundësitë për parandalimin e grevës e cila ka qenë e paralajmëruar para, së paku 8 muajve. Qeveria është dashur t’i paraprijë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje e që nuk e ka bërë. Në vend se të merret me përpjekjet për parandalimin e grevës, më shumë ka bërë përpjekje ta përçajë dhe ta thyej grevën duke e acaruar situatën me një fjalor nënçmues dhe bullizues ndaj SBASHK-ut dhe kryetarit të saj, Rrahman Jasharaj. Ministri i financave ka kërcënuar grevistët duke ua ndalë pagat për ditët e grevës dhe me ndërmarrjen e masave tjera ndëshkuese, të panatyrshme me mandatin e një ministri dhe ministrie.
Ministrja e Arsimit, tërë kohën ka bërë përpjekje të thyej dhe përçajë grevën duke përkeqësuar gjendjen dhe duke e bërë të pamundur vendosjen e një dialogu normal dhe bashkëpunues. Për këtë arsye dhe shkaku i gjendjes në arsim, ministrja Arbërie Nagavci do të duhej të shkarkohej nga posti. Ndërmjetësimet nga Avokati i Popullit kanë qenë të pasuksesshme për faktin se nuk ishte arritur shkalla e besimit dhe se SBASHK –u nuk e konsideronte si ndërmjetës neutral. Problemi është se e tërë çështja është thjeshtësuar në luftën e kryeministrit Kurti me kryetarin e SBASHK –ut, Rrahman Jasharaj. SBASHK-u dhe qeveria e Kosovës nuk janë larg një zgjidhjeje, mungon vullneti për tejkalim të kapricieve personale. Në këtë rast nuk ka nevojë për ndërmjetësim por për shprehje të vullnetit për tejkalim të gjendjes.
Sipas KMDLNj-së, ata që janë më të rrezikuarit dhe që kanë arsye të bëjnë grevë janë pensionistët dhe përfituesit e ndihmave të skemës sociale që jetojnë në kushte skajshmërisht të rënda dhe të padinjitetshme. Është tmerrësisht brengosës fakti se ministri i Financave nuk pranon ta takojë kryetarin e Pensionistëve të Kosovës edhe pas 10 kërkesave të bëra. Qeveria e Kosovës, me dhënie të ndihmave në çdo 10 muaj për pensionistët (100 euro), nuk është se ua lehtëson gjendjen në kohën kur kemi inflacion thuaja 20 % por se blenë kohë duke shpresuar se do të përmirësohet gjendja dhe se do të stabilizohen çmimet në treg.
Me këtë përkrahje, pensionistët vetëm mund të blejnë një pjesë të barnave dhe asgjë tjetër. Do të ishte shumë më mirë që pensionet të rriten në mënyrë lineare në përputhje me shkallën e inflacionit siç kanë bërë të gjitha shtetet e rajonit. Pensionistët nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohen si kuti elektorale por të trajtohen me dinjitet të plotë të cilat ua garantojnë ligjet në fuqi. Shkelja e të drejtave të njeriut më së shumti shkilen te pensionistët të cilëve për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike u shkilet e drejta elementare e njeriut, e drejta për jetë. Këtë fakt duhet ta kenë parasysh të gjithë politikanët në Kosovë, të pozitës dhe të opozitës, thuhet në komunikatën për media e KMDLNj-së.