Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës në një strehimore në Pejë ka reaguar duke thënë se dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet, t`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë.
Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit.
E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme.
Presidentja Osmani fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Presidentes.