Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bënë të ditur se ministrja Arbërie Nagavci bashkë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi kanë nënshkruar protokollin e marrëveshjes së bashkëpunimit për projektin madhor në Albanologji “Enciklopedia Shqiptare”. Ky projekt do të zbatohet nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve tona.
Enciklopedia Shqiptare do të përbëhet nga 10 vëllime, me nga 400 faqe secili, ku do të përfshihen ngjarje historike, kulturore, politike, sociale dhe personalitete që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Ky projekt do të zgjasë rreth 5 vite dhe do të përfshijë edhe institucione të tjera kërkimore shkencore, si dhe studiues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, thuhet në postimin në Facebook të MAShTI-t.