Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministri portugez i Kulturës, Pedro Adao e Silva, kanë zhvilluar takim në Lisbonë.
Bashkë diskutuan për zhvillimet aktuale dhe planet në fushën e kulturës në të dyja shtetet, po ashtu mbështetjen e promovimit të artistëve dhe kulturës kosovare në botë. Për të thelluar bashkëpunimin, është biseduar edhe për disa nisma të reja dhe projekte të përbashkëta në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore.
Në Lisbonë aktualisht po mbahet Java e Kulturës së Kosovës, në kuadër të së cilës po zhvillohen aktivitete të shumta artistike.
Ministri Çeku, bashkë me zëvendësministren e MASHT-it, Maloku, dhe me ambasadorin Kryeziu, takuan ministrin e edukimit në Portugali, Joao Costa.
Pjesë e diskutimeve ishte edukimi artistik e kulturor për të rinjtë, shkëmbimet e përvojave dhe programeve të edukimit mes Kosovës dhe Portugalisë.
Në kuadër të Javës së Kulturës së Kosovës në Portugali, në Lisbonë u shfaq filmi “Hive”.
Të pranishme ishin regjisorja e filmit Blerta Basholli dhe Fahrije Hoti, të cilat patën edhe bashkëbisedim me publikun, thuhet në postimin në Facebook të MKRS-së.






