Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin.
Presidentja Osmani ka thënë se do ta kujtojnë avokatin Kelmendi për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojnë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë, thuhet në faqen zyrtare të Zyrës së Presidentes.
Në ditën kur NATO vendosi t’i japë fund regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit me fillimin e sulmeve ajrore, avokati Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastrioti dhe Kushtrimi u rrëmbyen nga forcat serbe dhe u ekzekutuan në mënyrë barbare.
Ekzekutimi i avokatit Kelmendi dhe djemve të tij ishte i planifikuar dhe shpërfaqje e egërsisë së regjimit kriminal serb në kohën kur liria jonë nisi të dukej në horizont.
Do ta kujtojmë avokatin Kelmendi për angazhimin e palodhshëm në fushën e drejtësisë dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë që vrasësit e tij dhe të dy djemve të vihen para drejtësisë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për avokatin dhe bijtë e tij!