Kryeministri Albin Kurti ka ngushëlluar familjarët, të afërmit dhe gjithë komunitetit kulturor, me rastin e vdekjes së profesorit, dizajnerit grafik dhe autorit Shyqri Nimani.
Kurti në postimin e tij në Facebook ka thënë se profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend.
Si figurë kozmopolite, ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të koleksionit të saj.
Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi.
Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008.
Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij.