BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialog për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre, kanë krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj. Themelimi bëhet 30 ditë pas takimit të nivelit të lartë të Dialogut në Ohër të Maqedonisë së Veriut, siç është përcaktuar në Aneksin e Zbatimit.
Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkovic.
Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel. Termat e Referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj, thuhet në komunikatën për media e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.




