/Bojana Milovanovic – BETA/ – Derisa zyrtarët nga Beogradi dhe Prishtina takohen në Bruksel, në Kosovë, larg negociatave zyrtare, sikur ende ekzistojnë dy botë paralele – serbe dhe shqiptare, e serbët dhe shqiptarët edhe tutje jetojnë me mexha dhe të ndarë.
Simboli i ndarjes është Mitrovica, në të cilën një urë e gjatë rreth 30 metra, paraqet ndarjen mes botërave paralele. Në njerën nga to, në atë veriore, sundojnë ligjet e shtetit të Serbisë, matanë, në jug, shqiptarët e Kosovës diktojnë rregullat e tyre.
Në vet hyrjen në pjesën veriore të Mitrovicës gjendet Lagja e Boshnjakëve, ku jeton një numër i shqiptarëve të mbetur aty. Mu aty gjenden lokalet e Zyrës për Kosovë e Metohi të qeverisë së Serbisë.
Mitrovicasit rrëfejnë se mu aty, në fqinjësi të afërt, në zgjedhjet e kaluara ishte vendosur edhe shtabi zgjedhor i Hashim Thaçit.
Sa më thellë të hyni në veri të Mitrovicës më të dukshme bëhen simbolet e shtetësisë serbe – nga çdo shtyllë elektrike valojnë flamujt serbë mbishkrimet janë në alfabetin cirilik, lexohet shtypi ditor serb, paguhet në dinarë, me kuponat fiskal me stemën e Serbisë. Aty është edhe prova e përkushtimit ndaj Rusisë – bilbordi me fotografinë e kryetarit Vladimir Putin.
Rruga kryesore e Mitrovicës është rruga Kralja Petra Prvog (Karađorđevića) – Mbreti Petar I (Karagjorgjeviq). Në atë rrugë, përplot kafiteri, jehon gjuha serbe, ka plot të rinj, meqë veriu i Mitrovicës është edhe qendër universitare me rreth 10 mijë studentë. Universiteti dhe shkollat në këtë pjesë të Mitrovicës janë pjesë e sistemit arsimor të Serbisë.
Në rrugët e Mitrovicës thuajse ka më shumë automjete pa tabela regjistrimi se sa me to. Serbët në veri të Mitrovicës nuk i njohin tabelet e regjistrimit të Kosovës, është e qartë se shqiptarët që kalojnë andejpari nuk duan të bijnë në sy dhe i heqin ato. Kështu ndodhi situatata që pastaj përfliten – janë ndeshur serbi dhe shqiptari me automjete pa tabele, e polici u ka këshilluar që këtë ta zgjidhin vet.
Nga Mitrovica në Prishtinë ka gjithsej 40 kilometra, e në atë rrugë ju përcjellin e presin gjuha shqipe, me mbishkrimet dhe simbolet e Kosovës dhe institucioneve kosovare. Valëviten flamujt shqiptarë, paguhet me euro, e në kuponin fiskal është stema e Kosovës.
Rruga kryesore në Prishtinë quhet “Nënë Tereze”, në kafiteritë e panumërta lexohet shtypi në shqipet, flitet me telefona mobil, por operatorët e Serbisë nuk janë në dispozicion, për ta sinjal nuk ka as në roming. Simpatia ndaj Rusisë këtu zëvendësohet me simpati ndaj SHBA-ve – rrugët dhe bulevardet mbajnë emrat: “Bill Clinton”, “George Bush”, “Madeliene Albright”, “Bill Clinton” ka edhe përmendoren e tij, e afër saj është edhe butiku “Hillary”.
Lidhja mes dy botërave paralele në Kosovë megjithatë ekziston – keksi “Plazma” i cili nga Serbia mbërrin në veri të Mitrovicës, por edhe deri te shitoret prishtinase.
Realitetin kosovar ndoshta më së miri e përshkruan një pjesëtar spanjol i misionit të EULEX-it.
“Shqiptarët dhe serbët në Kosovë janë sikur burri dhe grua të cilët janë ndarë, por megjithatë duhet të jetojnë bashkë”.
(Ky tekst është realizuar në kuadër të projektit Kosovo Serbia: LIVE të cilin e financon Bashkimi Evropian në kuadër të Mbështetjes Shoqërisë Civile 2013. Përmbajtja e kësaj storjeje dhe qëndrimet e paraqitura në të janë përgjegjësi ekskluzive e autorit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian.)