Në prag të vitit të ri shkollor vijnë edhe kritikat e para ndaj mësimdhënësve të ciklit fillor.
Sipas gjuhëtarit Shpëtim Elezi, mësimdhënësit e ciklit fillor nuk e njohin mirë shqipen standarde. Në këtë përfundim Elezi ka ardhur pas një anketimi me disa mësues në shkollat fillore të Kosovës, Preshevës dhe të Bujanovcit. Gjatë prezantimit të punimit të tij në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mbahet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, gjuhëtari Shpëtim Elezi tregoi të gjeturat nga hulumtimi i tij shkencor.
“Përmes pyetjeve të para të anketës (pyetjet 1 – 7) kemi pasur për qëllim që të marrim opinionin e mësimdhënësve lidhur me atë se sa shpesh, kur, ku dhe për çka e përdorin ata shqipen standarde në komunikim me nxënësit e tyre, cilat janë qëndrimet e tyre për shqipen standarde, si dhe a përdorin ata ndonjë varietet tjetër në komunikimin e tyre në shkollë,” shpjegoi Elezi.
Sipas përgjigjeve të mësimdhënësve të anketuar, ata e përdorin gjithmonë shqipen standarde në bashkëbisedim me nxënësit në çdo mjedis shkollor (86%), për tema mësimore e tema të lira në çdo orë të cilësdo lëndë mësimore (77%).
Mirëpo në pyetjen me cilin varietet gjuhësor i kuptojnë më lehtë nxënësit, 65 % prej tyre kanë zgjedhur alternativën: herë në standard e herë në dialekt sipas nevojës, ndërsa vetëm 23 % alternativën: në gjuhën standarde.
Duke u bazuar në përgjigjet e pyetjes së tetë, Shpëtim Elezi ka ardhur në përfundim për nivel tepër të ulët të kompetencës gjuhësore të mësimdhënësve të anketuar. Ky përfundim është nxjerrë pasi mësimdhënësit janë sprovuar me 10 shembuj individual, për të cilët ata është dashur të japin alternativat e sakta të shkrimit të tyre në shqipen standarde. Në përgjithësi, për këta 10 shembuj, 57 % janë përgjigjur pa saktë dhe 43 % saktë.
Pyetja e nëntë, i sfidonte aftësitë e mësimdhënësve për kthimin e një teksti nga dialekti në gjuhë standarde. Ai tekst përmbante edhe 49 gabime drejtshkrimore dhe shembuj që pasqyrojnë katër parimet e drejtshkrimit të shqipes standarde: fonetik, morfologjik, historik-tradicional dhe leksiko-semantik.
“Vështruar në përgjithësi, del se vetëm 13 mësimdhënës ose 20 % hyjnë në dy nivelet e para me kompetencë të mirë dhe shumë të mirë gjuhësore, ndërsa 53 prej tyre ose 80 % hyjnë në dy nivelet e dyta me kompetencë jo të mirë ose të dobët gjuhësore. Gjithashtu, duhet thënë se nuk ka asnjë mësimdhënës pa gabime fare, sikur që nuk ka as edhe me një dhe dy gabime,” tha Shpëtim Elezi.
/Medina Mehmeti “Vajzë dëgjohu”/