Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një rajon që kupton hallin e pafund të refugjatëve

Nën 11, 2015

Herët në mëngjes, shoferi i autobusit lëshon muzikë turbo folk me zë të lartë për t’i zgjuar pasagjerët e tij, duke i njoftuar se autobusi është gati të arrijë stacionin kryesor në Beograd. Deri para disa muajve, parku afër stacionit ishte vetëm një vend i zakonshëm të cilin udhëtarët e shikonin  prej dritareve të autobusit; turistët duke u munduar ta paramendojnë qytetin përtej parkut, dhe vendasit duke menduar se së shpejti do të kalonin rrugët e njohura që i çojnë në shtëpitë e tyre të ngrohta. Këto ditë, arritja në stacionin e autobusëve të kryeqytetit simpatik të Serbisë të detyron të jesh dëshmitar i një paraqitjeje të shkurtër të katasrofës më të madhe humanitare në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore; e tërë kjo në një park që është shndërruar në kamp të refugjatëve.

Një burrit të vjetër, që i dridhen duart prej të ftohtit të mëngjesit, mund t’iu ketë djegur shtëpia në vendlindje, gruaja që del prej tendës mund të ketë qenë dëshmitare e vrasjes së të dashurve të saj; kur i shikon ata refugjatë një nga një, nuk mund t’i sheh më thjeshtë si ‘masa’ fatkeqe që duan të arrijnë në Evropën ‘paqësore’, por trazohesh me çdo fytyrë të dëshpëruar që fsheh nga një histori të mundimit.Shumë pasagjerë nga autobusi i bashkohen dhjetëra vullnetarëve lokal që ndalen në park për t’u sjellur ushqim dhe rroba para se të shkojnë në punë. Edhe për turistët, bëhet e vështirë të fillojnë të eksplorojnë destinacionin e tyre të ri pa kaluar pak kohë me refugjatët në park, duke iu uruar fat. Por janë pasagjerët lokal ata që, së bashku me gati çdokënd nga rajoni që ka përjetuar konfliktin e armatosur të ish-Jugosllavisë, mund të parashikojnë me saktësi se edhe pasi të përfundojnë luftërat e pamëshirshme, marrëdhëniet dhe dinamikat e pushtetit nuk do të krijojnë vend të sigurt dhe përfundim të drejtë për çdo refugjat.”Milicia erdhën në shtëpitë tona dhe thanë ‘i keni pesë minuta për të dalur nga shtëpia ose iu djegim së bashku me të”, tha Ranya Kaml, një prej qindra refugjatëve në park. Zemërimi në zërin e saj tregon dëshpërimin e saj me dhunën sektare në Irak.

27 vjeçarja që tani e pastrehë mendoi se do ta kalonte tërë jetën e saj në Bagdad me bashkëshortin dhe dy fëmijët. “Bagdadi ishte i bukur dhe tash është bërë lum i gjakut”, tha ajo. “Mërzitem kur e di se fëmijët e mi nuk do t’i kenë kujtimet e atdheut të tyre, ashtu siç ishte më parë”.

Ranya dëshiron të shkojë në Holandë me familjen e saj. “Nuk e di si duket Holanda, por sigurisht është e bukur sepse atje ka paqe”, tha Ranya. “Do të qëndrojmë atje deri sa milicia dhe ushtarët të ndalen së luftuari. Pastaj dua të kthehem në Bagdadin tim”.

Historia e Ranyas, plot luftë e dëbim, tingëllon e njohur për shumë shqiptarë të Kosovës. Qindra mijëra shqiptarë të Kosovës ishin në situatën e Ranyas gjatë fushatës së spastrimit etnik nga paramilitarët serb në 1999, para se të futeshin në trena e të deportoheshin për në shtete fqinje. Pas tërheqjes së forcave serbe, që shënoi fundin e luftës, shumica e refugjatëve shqiptarë të Kosovës zgjodhën që t’i rindërtojnë jetët dhe shtëpitë e tyre nga fillimi në Kosovën që tani më në fund ishte e lirë.

16 vite pas luftës në Kosovë, në çerekun e parë të këtij viti, kosovarët së bashku me sirianët dhe afganët përbënë gjysmën e të gjithë azilkërkuesve në Evropë. Varfëria dhe mungesa e perspektivës në një vend ku papunësia është më e lartë se 35 përqind dhe rroga mesatare është nën 400 euro i detyroi rreth 50,000 njerëz të kërkojnë jetë më të mirë në Bashkimin Evropian; proceset tranzicionale të një vendi pas konfliktit, të vështira e të pafundme, nuk e kanë bërë të mjaftueshme paqën, që Ranya e dëshiron shumë, për të ndërtuar jetë më të mirë. Shpesh dëgjojme raste se njerëzit pendohen se janë rivendosur në atdheun e tyre kur e kishin mundësinë të qëndrojnë në BE ose në shtete tjera të zhvilluara që i strehuan kur ishin refugjatë.

Për Ranyan, këto shqetësime ende janë shumë të largëta edhe për t’u menduar. Tani për tani, si një prej mijëra refugjatëve që kanë mbetur në një ndalim dhe qëndrim të pacaktuar, deri sa shtetet evropiane bëjnë pazar për një qasje të përbashkët politike, shqetësimet prioritare të saj kanë të bëjnë me mbijetesë.

Paralelet e situatës së Ranyas dhe situatës së refugjatëve të këtij rajoni në vitet e 90-a nuk janë krejtësisht të njëjta – bota sot është vend tjetër, mirëpritja ndaj refugjatëve nuk është e njejtë. Gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë, BE-ja dukej se tregohej shumë më zemërgjërë me refugjatët. Konteksti sigurisht se ishte ndryshe, numrat më të vegjël dhe përqëndrimi i njerëzve që i ikën konfliktit ishte i shpërndarë përgjatë një dekade të tërë. Sot, mijëra refugjatë që po i ikin tmerrit të luftës dhe persekutimit përballen me një kontinent të pajisur dobët që nuk ka plan të koordinuar për t’u përballur me këtë krizë. Si rezultat i kësaj, individët e cenueshëm shpeshherë nuk mirëpriten, e madje edhe abuzohen e diskriminohen prej momentit që të arrijnë në brigjet evropiane.

Në parkun afër stacionit të autobusëve në Beograd, një derdhje e përzemërt e vullnetarizmit jep një formë të pushimit të përkohshëm për refugjatët e dëshpëruar. Të vetëdijshëm për hallin e tyre, si dhe shumë duke kujtuar mirëpritjen e ngrohtë që e përjetuan vet kur kishin nevojë, nuk ka mungesë të ndihmës prej individëve dhe grupeve të organizuara lokale.

“Njerëzit janë shumë të mirë këtu, dhe po na sjellin ushqim e dhurata për fëmijët e mi”, tha Ranya me gëzim, deri sa shikonte barin e parkut.

Vetëm disa metra larg, Boris Avlijas, një burrë i ri në 30 e pak vjeçar u jep një kuti të madhe me qumësht një familjes së refugjatëve. “Isha vet refugjat prej Bosnjes”, shpjegon ai deri sa është duke punuar. “Dhe mu kujtohet se si na ndihmuan, kështu që po e kthej nderin. Këtyre njerëzve nuk u duhet vetëm ushqimi, por edhe bamirësia dhe mirëpritja e ngrohët prej njerëzve tjerë, sepse vendet tjera nuk po u ndihmojnë. Dhe nuk është shumë për neve nëse sjellim ushqim, por për ata është shumë”.

Boris ishte shumë i ri kur familja e tij iku nga Sarajeva në 1992 gjatë Luftës së Bosnjes dhe tani është një prej mijëra ish-refugjatëve serb që asnjëherë nuk janë kthyer përherë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Sot ai nuk mund ta përfytyrojë jetën në ndonjë vend tjetër përpos Beogradit, dhe shkon në Sarajevë vetëm për vizita të shkurtëra.

Por jo të gjithë e kishin fatin e Boris që arriti të integrohet në vendin e tij të ri: mijëra serbë, shqiptarë, boshnjakë, dhe kroatë mbesin të zhvendosur brenda vendit, ose me status të refugjatit, pa kënaqësinë e ngrohtësisë së shtëpisë së tyre, ose integrimit në shoqëri. Për rreth 70 njerëz në Krnjaca në periferi të Beogradit, idea e pronësisë së një shtëpie të thjeshtë me oborr ekziston vetëm në kujtime nga e kaluara; këta janë vetëm disa nga200,000 persona të zhvendosur brenda vendit në shtetet e ish-Jugosllavisë. Në qendrën e fundit kolektive në Beograd, kushtet e jetesës janë të mjerueshme, dhe ekzistenca e banorëve të saj praktikisht e harruar. Ka qendra të tilla nëpër tërë rajonin e ish-Jugosllavisë, dhe mijëra njerëz të pafat kanë histori unike, por njëlloj dëshpruese.

Megjithatë, është një komunitet që nuk mundet as ta rikujtojë ‘shtëpinë’ e ngrohtë prej para luftërave të Jugosllavisë: ekziston një amnezi publike kur flitet për romët, ashkalinjët dhe egjiptianët.

20 vjeçari Bajram Gashi, ashkali i zhvendosur nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999, u jep sanduiça shumë refugjatëve në parkun e Beogradit, duke kontrolluar me kujdes se të gjithë e kanë marrë nga një. “Po mundohem t’u ndihmojë këtyre njerëzve fatkeq sepse e di se si është të jesh në rrugë, pa askënd”, thotë Bajrami. Ai është pjesë e një organizate të bamirësisë për romë në Beograd, dhe vjen në park çdo ditë. Kujtimi i persekutimit ia shkatërroi ëndrrën Bajramit për kthim në Kosovë pas fundit të konfliktit. “Nuk dua të kthehem atje”, thotë ai. “E dini se është shumë vështirë për neve edhe këtu. Por atje ishte luftë, dhe pashë shumë gjëra të këqija”.

Histori të ngjashme me atë të Bajramit janë të zakonshme në mesin e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve të zhvendosur në Ballkan, dhe nuk i përkasin vetëm një epoke të largët e të errët. Brenda parkut të Beogradit, 14 vjeçari Mazhar Ali nga Ghazni në Afganistan rrëfen për përvoja të ngjashme të diskriminimit sistematik. Ai është nga fisi Hazara dhe u rrit me histori të persekutimit të komunitetit të tij përgjatë shekujve. Në kohët moderne, dallimet etnike dhe fetare e të qenit shiit shkaktuan vrasje, masakra dhe spastrim etnik të fiseve Hazara nga talebanët dhe ekstremistët suni.

“Babai im e shiti shtëpinë dhe unë erdha këtu me ato para”, shpjegon Mazhar, deri sa kalon kohë me disa refugjatë tjerë, moshatarë të tij, të cilët i njoftoi në Iran. Familja pati para për ta çuar vetëm një person në Evropë, kështu që si fëmiu më i vjetër, ai u dërgua vet nga Afganistani, për të kërkuar të ardhme më të mirë, ndërsa familja e tij iu bashkua 1.6 milion refugjatëve në Pakistanin e afërt.

Si për Bajramin, edhe për Mazhar e shumë Hazara tjerë, kujtimet e atdheut janë të dominuara me përvoja të dhimbjes dhe vuajtjes. “Nuk kam kujtime të mira të Afganistanit dhe nuk mendoj se do isha kthyer ndonjëherë atje”, thotë Mazhar. “Po ndihem shumë i mërzitur për familjen time sepse janë larg. Shpresoj t’i shoh shumë shpejt”. Fjalët e Mazhar janë kujtesë e zymtë se historitë e refugjatëve nuk janë të njëjta – jo të gjithë duan të kthehen në atdhe.

Ballkani Perëndimor, duke qenë përsëri në qendër të krizës së refugjatëve në Evropë, është me gjasë edhe pjesa e kontinentit që më së miri i kupton traumat, shqetësimet dhe përvojat e llojllojshme të individëve të përfshirë. Përvoja e rajonit gjithashtu thekson një realitet mizor: Për ata njerëz që një ditë mund të jenë të gatshëm dhe të aftë të kthehen në vendlindjet e tyre, prap se prap ka shumë gjasa se do të gjejnë gjithçka të ndryshuar përgjithmonë. Kur dhe nëse kthehet paqja, njerëzit e këtij rajoni janë shumë të vetëdijshëm se me të vjen edhe ndryshimi i dinamikave të pushtetit, kujtimet që nuk mund të fshihen lehtë, dhe për shumë, edhe mungesa e fundit të duhur.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM