Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një ndërlidhje fatkeqe: më pak nxënës, më pak mësimdhënës, më pak cilësi

Shk 8, 2017

Vjet në komunën e Deçanit mësimin në shkollat fillore dhe të mesme i kanë vijuar gjithsej 5,999 nxënës.

Vetëm në vitin 2016 kishte 2,400 nxënës më pak se vitin paraprak të regjistruar në nivel komune.

Krahas zvogëlimit të numrit të nxënësve – plot 2,701 më pak se të themi në vitin 2010, është zvogëluar edhe numri i mësimdhënësve: prej 618, sa ishin gjashtë vjet më parë, sot mësimet i mbajnë gjithsej 570 mësues/arsimtarë.

Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit, pasi shumë mësimdhënës aktualisht janë të detyruar të ligjërojnë edhe lëndë për të cilat nuk kanë kualifikime adekuate.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Kulturë e Arsim (DKA) në Deçan, Qazim Maloku thotë se shkaktar për këtë zhvillim janë migrimi fshat-qytet, planifikimi i popullsisë por në masë të madhe edhe migrimet jashtë vendit.

“Lëvizja demografike dhe planifikimi i popullsisë kanë bërë që numri i nxënësve të jetë çdo ditë në rënie”, thotë ai.

Shkolla Fillore e Mesme e Ulët (SHFMU) “Jusuf Gërvalla” në fshatin Prapaqan është një shembull ilustrativ.

Avdyl Shala, drejtor i kësaj shkolle tregon se në vitin 2016 kanë pasur rreth 50% më pak nxënës se në vitin paraprak.

“Nga 780 nxënës që i kemi pasur në vitin 2015, sivjet kemi 400 nxënës në dy paralelet, këtu dhe në paralelen në fshatin Dubovik”.

Edhe këtu zvogëlimin e numrit të nxënësve e ka përcjellë zvogëlimi i numrit të mësimdhënësve, të cilët, sipas Shalës, “kanë trysni për faktin se të gjithë punojnë me orar të plotë”.

Ai, megjithatë, thekson se nuk janë mësimdhënësit apo shkollat ato që duhet fajësuar dhe konsideron se shkollat duhet të kenë koordinatorë të cilësisë të cilët do t’i mbikëqyrin për së afërmi.

Drejtori i gjimnazit “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, Bekim Mushkolaj mendon se sikur të organizohej sistemi më mirë, profesorët do të duhej të barteshin nëpër shkollat në afërsi në mënyrë që secili të marrë përsipër lëndën për të cilën është i thirrur.

“Në mungesë të organizimit në nivel shtetëror, mësimdhënësit mbeten në të njëjtën shkollë dhe bëhen pothuajse mësues klasor”, thotë ai.

Se kjo dukuri ka ndikuar negativisht në cilësinë e arsimit pajtohet edhe vetë drejtori i DKA-së, Maloku, i cili problemin e sheh në mungesën e konkurrencës si në mes të nxënësve ashtu edhe në mes të mësimdhënësve.

“Kjo është ta servosh pjatën e ta hash zi e pa zi”, tha Maloku.

Mungesa e profesionalizmit, entuziazmit dhe njohurisë paraqet problem në cilësinë e arsimit në të gjitha nivelet, konsideron Dukagjin Pupovci, drejtor i Qendrës Kosovare për Arsim (KEC).

“Unë e shoh si pengesë mungesën e përgjegjësisë, dhe shpeshherë edhe mungesën e përgatitjes profesionale të mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave apo edhe profesorëve të fakultetit”, përfundoi Pupovci.

Bekim Vishaj, zëvendësdrejtor i gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, një pjesë të fajit ua adreson drejtorive komunale që nuk ndërmarrin masa në momentin që i shohin këto dukuri të pranishme nëpër shkolla.

“Që në momentin që fillojnë rregullimet e planprogramit për vitin e ri shkollor, është detyrë e drejtorit të shkollës që t`ia dërgojë drejtorisë komunale për arsim raportin për secilin profesor dhe lëndët që ai ligjëron”, thotë Vishaj.

Sipas tij, një dukuri e tillë ndodh për shkak të mungesës së normave dhe profesorëve u ipen lëndë të rendit të dytë.

Drejtoria e Kulturës e Arsimit në Deçan, arsyetohet se nuk mund të bëjë shumë nëse formula e financimit vazhdon të mbetet “profesor për kokë-nxënësi”.

“Na janë drejtuar shumë akuza që punësimet po bëhen në baza politike apo që nuk po i shkarkojmë mësimdhënësit për arsye të ndryshme, por përderisa nuk ndryshohet formula e financimit DKA-ja nuk mund të bëjë asgjë më shumë”, thotë ai.

Sipas tij, formula e përshtatshme e financimit do të ishte “mësimdhënës-paralele” e jo “mësimdhënës-kokë nxënësi”, pasi kështu si qëndron puna sot, komuna është ajo që është e detyruar t’i paguajë mësimdhënësit nga buxheti i saj.

Liridona Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM