Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të helmuara nga ajri pa e ditur

Shk 19, 2020

Shkruan: Lularta Buja

Përkundër disa hapave fillestarë në luftën kundër ndotjes së ajrit, angazhimet institucionale kufizohen kryekëput në trajtimin e kësaj problematike në hapësirat publike. Shumica e trajtimeve të problematikës së ajrit të ndotur nuk kanë përfillur aspak ajrin e ndotur brenda shtëpive, dhe në veçanti ajrin e ndotur që helmon më shumë gratë se burrat.

Të ecësh nëpër rrugët e Prishtinës, veçanërisht gjatë dimrit, gjithnjë e më shpesh mund të hasësh në qytetarë që e kanë të mbuluar gojën me një maskë të bardhë:  një shenjë, qoftë edhe fillestare, e një ndjeshmërie dhe një vetëdijeje në shtim e sipër mbi ajrin e ndotur.

Gjatë janarit të këtij viti, cilësia e ajrit është luhatur në parametrat e rrezikshmërisë për shëndetin. Ja një ilustrim i cilësisë së ajrit, në një mbrëmje janari, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, matur nga pika matëse e cilësisë së ajrit të Ambasadës Amerikane. 

Foto: Ambasada e SHBA-së në Kosovë

Një hap fillestar: informimi në kohë reale

Informimi i publikut lidhur me ndotjen, specifikisht “rreth cilësisë së ajrit” është i përcaktuar në  Ligjin nr.03/L-160 të vitit 2010 “Për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja”.

Ndonëse aty precizohet se “informimi i publikut do të bëhet së paku një herë në muaj përmes mediave elektronike dhe të shkruara”, vetëm tash së voni, për shkak të ndotjes që thuajse rregullisht i tejkalon parametrat e lejuara, qytetarët mund të informohen në kohë reale për cilësinë e ajrit në disa prej vendbanimeve të tyre.

Më 25 tetor të vitit të kaluar, në Prishtinë ishin vendosur katër monitorë, në katër lokacione të ndryshme në kuadër të projektit të bashkëpunimit me JICA-në (Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës).

Përmes këtyre monitorëve qytetarët e Prishtinës tash kanë mundësi të informohen në kohë reale mbi nivelet e ndotjes së ajrit.

Përkundër përmirësimit të informimit të publikut në kohë reale, nuk dëgjohet shumë për ndonjë hap tjetër të ndërmarrë nga institucionet në këtë drejtim.

Një strategji që nuk po zbatohet 

Foto: Lularta Buja

Sa herë që përmendet termi “ajri i ndotur” vijnë parasysh hapësirat publike: sheshet, bulevardet, parqet, urat apo rrugët, ndoshta edhe thjesht qielli lart. Ndërkohë, asocimi më i shpeshtë me shkaktarët e ndotjes janë KEK-u dhe termocentralet, trafiku dhe automjetet…

Sipas Indep, Kosova ka miratuar një kornizë legjislative të mirë-zhvilluar që i ka të përfshira normat e BE-së në kuadrin ligjor kombëtar.

Kështu, edhe Ligji për Mbrojtjen e ajrit Nr. 2004/30 njeh nevojën e harmonizimit të standardeve mjedisore në Kosovë me ato të BE-së.

Por, sa i përket zbatimit, mbetet shumëçka për të dëshiruar.

Përkundër faktit se në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022 janë paraparë objektivat afatshkurtra dhe afatgjate, këto nënkapituj janë të zbrazët dhe nuk përbëjnë  asgjë, që në mos tjetër, ndjell një shqetësim mbi rëndësinë që i ka dhënë ky institucion kësaj strategjie. 

Për më tepër, në faqen e Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022 – ku tregohet përmbajtja “Objektivat” janë renditur si një kapitull më vete, me “Objektiva afatshkurtra” dhe “Objektiva afatgjata” si nënkapituj. Por, ato janë joekzistente. 

Foto: Strategjia për Mbrojtjen e Mjedisit

Rrjedhimisht, si një ndër “hapat” institucional sa i përket cilësisë së ajrit, mbetet vetëm një frazë e përgjithësuar  për  angazhimin në “uljen graduale të ndotjes së ajrit” dhe “ngritjes së vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për çështjet mjedisore”.

(Mos)zbatimi i denjë i kësaj Strategjie ka zënë vend edhe në Raportin e Progresit për vitin 2019.

“Cilësia e ajrit vazhdon të paraqes kërcënim madhor për shëndetin e njerëzve dhe duhet të bëhen përpjekje për të miratuar masat për ta përmirësuar atë, kryesisht duke zbatuar planin për reduktimin e emetimeve, i cili ishte miratuar në vitin 2018. Strategjia e Kosovës për cilësinë e ajrit nuk zbatohet”, pohohet në këtë raport të Bashkimit Europian.

Në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022 si ndotës identifikohen termocentralet (Kosova A dhe B), minierat e hapura të linjitit, kompleksi industrial në Mitrovicë, “Feronikeli” në Gllogovc (Drenas), Fabrika e çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit, sistemet e ngrohjes qendrore (Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë), industria e rëndë bazike në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan, prodhimi i materialeve bazë të asfaltit dhe gurëthyesit, transporti dhe e fundit bujqësia.

Instituti GAP në analizën e “Strategjisë për Mbrojtjen e Mjedisit 2013-2022”  të Ministrisë së Mjedisit të Kosovës, shprehet mjaft kritik ndaj këtij dokumenti duke e quajtur jokonsistent, me elaborime shumë të përgjithshme, dhe me të dhëna të pambështetura e kundërthënëse.

Ajri i ndotur, “i fshehur” brenda amvisërive

Foto: Lularta Buja

Është indikative që në listën e ndotësve kryesorë nuk identifikohen fare lëndët djegëse që përdoren nga qytetarët në shtëpitë e tyre.

Nga një studim i Bankës Botërore dhe EPTISA bëhet e qartë se ekonomitë familjare konsumojnë rreth 48 për qind të të gjithë energjisë në Kosovë, ndërsa 45 për qind e kësaj energjie të konsumuar nga ekonomitë familjare bëhet nga djegia e drunjëve. Një pjesë e madhe e tymit nga kjo djegie mbetet edhe brenda shtëpive.

Edhe Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për vitin 2019 thekson nevojën e masave urgjente dhe një zgjidhje të përhershme për të zvogëluar varësinë e ekonomive familjare nga ngrohja me linjit dhe dru.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pohon se miliona gra në familjet e shtresës së mesme dhe të ulët rrezikojnë përditë shëndetin e tyre shkaku i përdorimit të shporetëve, furrave e stufave. Pasojat e ekspozimit në ajër të ndotur brenda shtëpive janë të tmerrshme, pohon OBSH. Për gratë në vendet me të ardhura të vogla ose të mesme ky është rreziku më i madh për shëndetin e tyre dhe shkaktari kryesor i sëmundjeve si kanceri në mushkëri, sëmundjet pulmonare kronike dhe sëmundjet e zemrës. Më shumë se 60 për qind e viktimave nga të gjitha vdekjet e parakohshme prej ajrit të ndotur brenda shtëpive ne vitin 2012 ishin fëmijë dhe gra.

Foto: Lularta Buja

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gratë përbëjnë shumicën dërrmuese të fuqisë joaktive punëtore në Kosovë me një përqindje prej 77,8 për qind. Si fuqi më e madhe joaktive në tregun e punës, por edhe për shkak të ndarjes së padrejtë të punëve shtëpiake në baza gjinore, gratë kosovare i ekspozohen emetimeve të gazrave toksike në ambient brenda shtëpive të banimit.

Edhe drejtoresha e Institutit Hidro-Meteorologjik të Kosovës (IHMK), Letafete Latifi pajtohet se ndotja kryesore vjen nga përdorimi i lëndëve djegëse për prodhimin e energjisë elektrike dhe emisionet nga sektori i transportit, por…

“…përkeqësimi i cilësisë së ajrit vije (edhe) si rezultat i emisioneve të shkaktuara nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje në sektorin e amvisërisë, ngrohjen e ndërtesave në institucionet publike…”  thotë ajo për KosovaLive.

Djegia e drurit dhe qymyrit, megjithatë janë gjetur në listën e ndotësve të ajrit  në një raport të Agjencisë për Mbrotjen e Mjedisit të Kosovës, mbi gjendjen e ajrit në Kosovë (“Raporti për Gjendjen e Ajrit- 2012”).

Sipas ish-ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, Kosova është duke bërë hapa në këtë drejtim.

 “Sa i përket përdorimit të thëngjillit në ekonomi familjare, fatmirësisht (për shembull në kryeqendrën e Kosovës – v.j.) po vazhdojnë investimet në zgjerimin e rrjetit të koogjenerimit në lagjet e Prishtinës në mënyrë që qytetarët mos të kenë nevojë të përdorin thëngjillin për ngrohje”, ka shpjeguar për KosovaLive.

Kosova deri vonë thuajse e ka bërë të kundërtën, madje duke inkurajuar përdorimin e thëngjillit (qymyrit), një praktikë që, sipas tij, tashmë ka përfunduar.

“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, kemi kërkuar ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut”, deklaroi Matoshi për KosovaLive.

Nga statistikat e ASK-së për papunësinë dhe nga lëndët djegëse që përdorin ekonomitë familjare të identifikuara në Kosovë rezulton se gratë mbase mund të jenë sidomos të goditura nga aspekti i ndotjes së ajrit përbrenda objekteve të mbyllura, respektivisht nga aktivitetet e tyre në amvisëri.

Shtatzanat e rrezikuara

M.Berisha, një grua 32 vjeçare nga Prishtina, po priste që të bëhej nënë për herë të parë duke qenë në muajin e katërt të shtatzënisë kur papritmas iu kishin shfaqur probleme nga të cilat u detyrua të abortonte. Mjekët i kishin thënë se ishte shumë mirë me shëndet e mund të bënte fëmijë. Më pas, ajo mbeti shtatzënë sërish por prap abortoi ndërsa mjekët kosovarë ende nuk kishin shpjegim. Kjo gjë ndodhi edhe për herë të tretë e të katërt.

“Abortova katër herë, humba katër fëmijë, (por) vazhdova të luftoja sepse kisha shumë dëshirë të bëhesha nënë… Mjekët në Kosovë më thoshin (se) isha mirë e mund të bëja fëmijë por nuk më jepnin arsye pse ndodhnin abortet e mia, (prandaj) vendosa të shkoja në Itali dhe vazhdova konsultimet me një gjinekolog atje, i cili më tha se (problemi) kishte qenë te ajri i ndotur në vendin tonë”, thotë Berisha për KosovaLive.

Vlora Ademi-Ibishi, gjinekologe obstetre në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ligjëruese në Universitien e Prishtinës, thotë se në hapësirat e mbyllura si në objekte banimi, ndotësit e ajrit mund të jenë dy deri pesë herë në nivel më të lartë se sa në ambient të hapur.

Shtatzënat të cilat i ekspozohen ajrit të ndotur janë të rrezikuara (madje) edhe nga paraqitja e sëmundjeve tjera gjatë shtatzanisë si sëmundjet e mushkërive, sëmundjet e zemrës të cilat ndikojnë negativisht në shtatzëni si te nëna ashtu edhe te fetusi”, thotë për KosovaLive Ademi-Ibishi.

Kolegia e saj, Merita Krasniqi, gjinekologe thotë se ndotja e ajrit mund të ketë efekt negativ në aktivitetin hormonal duke shkaktuar një soj çrregullimesh të ndryshme si sindromin e vezoreve policistike, sindromin metabolik dhe potencialisht edhe infertilitetin.

Ajo çfarë e mbron hipotezën se ndotja e ajrit mund të shkaktojë çrregullime hormonale është një studim në mesin e vajzave adoleshente ku ndotja e ajrit ka qenë një ndër faktorët e rrezikut në çrregullimin e ciklit menstrual të tyre”, thotë ajo.

Në një pyetësor të përgatitur nga KosovaLive pjesa dërrmuese e respondenteve gra dhe vajza u deklaruan se nuk “ishin mjaftueshëm të informuara rreth rreziqeve nga ajri i ndotur?”.

Viteve të fundit publiku, duke përfshirë vajzat dhe gratë, janë shumë më shumë të informuara sa i përket ndotjes së ajrit, përmes informatave të dala nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), respektivisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës [IHMK], përmes aplikacionit të cilin secili qytetar mund ta shkarkojë, por edhe përmes informatave të dhëna në media”, thotë Hakaj nga Instituti Meteorologjik.

Ndonëse insiston se ajri i ndotur ka ndikim te të gjitha kategoritë e popullatës, pavarësisht moshës dhe gjinisë, edhe drejtoresha e IHMK-së, Latifi pranon “që kategori më e ndjeshme konsiderohen fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna…”

Ajri i ndotur çdo vit shkakton mbi 3 mil. lindje të parakohshme

Ish-udhëheqësja e Divizionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Nezakete Hakaj nuk i sheh gratë në përgjithësi si kategori veçanërisht të rrezikuar nga ndotja, duke konsideruar se në kategorinë e më të rrezikuarve “normalisht… që përfshihen gratë shtatzëna, fëmijët, pleqtë dhe personat me sëmundje kronike janë më të ndijshëm dhe ajri i ndotur ndikon më shumë te ta.”

Çështja e ndotjes së ajrit te ne në Kosovë është e shtruar në atë formë që reflekton kryesisht hallin e përgjithshëm me ajrin e ndotur në hapësira publike, ndërkohë që gati shpërfillet plotësisht ndotja nga ajri brenda shtëpive në të cilën përfshihen kryesisht gratë si kategori potencialisht e rrezikuar..

I kontaktuar nga KosovaLive lidhur me problematikën e kategorive më të rrezikuara nga ndotja, edhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi asnjëherë nuk përmend  “vajza” apo “gratë”, që tregon se kjo problematikë nuk ka ndonjë trajtim specifik në strategjitë e ministrisë përkatëse .

Sipas një studimi nga The Stockholm Environment Institute (SEI) të Universitetit të Jorkut, për çdo vit në botë mbi 3 milionë foshnjesh lindin para kohe si pasojë e ajrit të ndotur. Studimi vjen në përfundim se ajri i ndotur mund të afektojë gratë shtatzëna si Berisha, por mund të afektojë edhe gratë para periudhës së shtatzënisë, e po ashtu edhe fëmijët e tyre të porsalindur. Po sipas këtij studimi, ajri i ndotur është i lidhur edhe me paraqitjen e autizmit te fëmijët, me përkeqësimin e astmës te gratë, ndër shumë pasoja të tjera.

Ky artikull u realizua në kuadër të projektit “Kosovë e Shëndetshme” i cili mbështetet nga Qeveria e Luksemburgut, dhe implementohet nga UNDP Kosovo, UN Volunteers (UNV), World Health Organization (WHO).

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM