Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të mësuarit online, i ndikuar nga Covid-19, nuk ishte pa sfida

Tet 16, 2020

Për  Mujë  Xhekajn,  nxënës  i  klasës  së  12-të  në  gjimnazin  “Gjergj  Kastrioti Skënderbeu”  në Drenas, të mësuarit online ka qenë një përvojë me pritshmëri fillestare të ulëta por me rezultate befasuese.

‟Mësimi online në pandemi ka qenë me sfida të vogla dhe shumë më efektiv se pritshmëritë tona, duke ndikuar pozitivisht tek ne. Kemi pas mjaft kohë për të lexuar dhe na ka mbajtur trurin aktiv dhe të freskët duke u angazhuar vazhdimisht me aktivitete,” u shpreh Xhekaj.

Xhekaj, megjithatë flet edhe për vështirësitë e disa mësimdhënësve për të mbajtur mësimin online në nivel të duhur si rezultat i jofamiljarizimit me teknologjinë.

‟Profesori nuk e ka zotëruar programin Zoom edhe na ka fajësuar neve për mosprezencë, ndërsa nuk ka ditur si të na pranojë neve. Nxënësit nuk kanë të gjithë njëjtë internet dhe jo gjithmonë kemi hasur në mirëkuptim. Po ashtu, vlerësimi nuk është bërë real, ku me raste janë rritur edhe nga dy nota,‟ tha Xhekaj.

Mbyllja e shkollave si një ndër masat vendimtare të parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19 ka rezultuar në përhapjen e një sfide tjetër bashkohore në postmodernitet, e që është të mësuarit online.

Domosdoshmëria e përshtatjes në kushtet e reja globale flet për universalitetin dhe njeriun në qasje holistike si qenie e adaptueshme. Ashtu sikur në gjithë vendet e botës, edhe në Kosovë situata e krijuar me Covid-19 rezultoi me mbyllje të të gjitha institucioneve arsimore, ku Qeveria e Kosovës bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, më 11 mars morën vendimin për mbylljen e tyre.

Pa dyshim, bashkangjitur me mbyllje të shkollave si akteri primar i socializimit dhe izolimit social, vijnë sfidat e të mësuarit online dhe ndikimi në mirëqenien psikologjike te fëmijët, prindërit dhe mësimdhënësit.

Më 18 Mars 2020, Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara vlerësoi se kjo mbyllje mbarëkombëtare po prekë mbi 60% të nxënësve të botës, pra mbi gjysmën e popullsisë globale të nxënësve, që paraqet një sfidë madhore për sistemin e edukimit. Ofrimi i kapaciteteve dhe intervenimi emergjent për mësimdhënie online në kohë të pandemisë është një element thelbësor i përgjigjes institucionale.

Ndërsa një rishikim i 31 studimeve në vitin 2018 që adresuan nëse mbyllja e shkollave kishte një efekt kuantitativ në transmetimin e gripit tregon se mbyllja e shkollave ulë kulmin e shpërthimit  me një mesatare prej 29.7%.

Në Kosovë, numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin parauniversitar publik sipas MASHT-it raportohet të jetë rreth 345.540, ndërsa numri i përgjithshëm i personelit 28.150, nga të cilët 23.234 janë mësimdhënës, ndërsa 3.350 personel ndihmës.

Pavarësisht rrethanave, arsimi është e drejtë fundamentale për të gjithë njerëzit në botë. Si pasojë e pandemisë mësimi në distancë në kontekstin kosovar gjeti mbështetje nga MASHT duke iu ofruar udhëzime për të realizuar mësimin në distancë për arsimin parauniversitar.

Mbi të gjitha vlen të potencohet se ekzistojnë hulumtime që dokumentojnë efekikasitetin e të mësuarit online në krahasim me të mësuarit tradicional në ambiente shkollore.

Sipas hulumtimit të Institutit Pedagogjik të Kosovës evidentohet se i gjithë procesi i vendimarrjes dhe reagimet ishin në përputhje me kërkesat e kohës dhe të situatës, nga vendimi për ndërprerjen e vijimit të mësimit në shkollë, masat mbrojtëse, e deri tek organizimi i mësimit online nga ana e mësimdhënësve dhe e-mësimi.

Të qenit në një situatë që ndikon nxënësit globalisht ngërthen në vete edhe sfida apo vështirësi përgjatë procesit që duhet shqyrtuar. Viteve të fundit, me rritjen e nevojës për përdorim të teknologjisë, një qasje e cila rrit efektivitetin dhe efikasitetin e arsimit është përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Në Kosovë, shumë nga mësimdhënësit por edhe prindërit e nxënësit kanë probleme të theksuara në përdorimin e TIK-ut dhe kanë mungesë të paisjeve elektronike.

Adnan Ibrahimi, mësimdhënës në shkollën fillore “Mehmet Akif” në Istog shpreh nevojën për trajnime për aspektin e teknologjisë duke konsideruar që trajnime nga MASH realizohen pak.

‟Sa i përket MASH-it, edhe pse në dokumente shkruhen, trajnime për teknologji realizohen pak, edhe pse përvojat personale me trajnime më kanë ndihmuar në tejkalimin e ktyre sfidave. Pra, përdorimi i teknologjisë tash edhe pas pandemisë nuk mbetet vetëm opsion por edhe domosdoshmëri, tha Ibrahimi.

Të njëjtën sfidë liston edhe Fitore Berisha, drejtoreshë e kopshtit ‟Ardhmëria‟ në Drenas, duke u shprehur se edukatoret nuk kanë mbajtur trajnime apo ndonjë kurs për përdorim të teknologjisë para pandemisë. Në kohën e pandemisë, Berisha flet për një koordinim dhe bashkëpunim mes drejtoreshave të kopshteve, ministrisë dhe organizatave joqeveritare si UNICEF dhe Save the Children.

“Në kohën e pandemisë, ne drejtoreshat e kopshteve kemi mbajtur një trajnim për përdorimin e platformës online nga MASH bashkë me udhëheqësen e Divizionit për Parafillorë, organizatën Save  the  Children  dhe  UNICEF,  në  mënyrë  që  edukatoret  të  dinë  të  qasen  në  platformë‟,  tha Berisha.

Në anën tjetër, Silvigona Jasiqi, drejtoreshë e kopshtit parashkollor “Dija” në Fushë Kosovë pohon se nuk kanë pasur asnjë trajnim gjatë periudhës së Covid-19. Por, edhe përgjatë kohës së pandemisë ajo argumenton se nga institucionet nuk ka pasur asnjë përkrahje.

“Nuk na kanë përkrahur absolut institucionet. Unë vetë kam dashur t’i ndihmojë fëmijët duke u angazhuar që bashkarisht ta tejkalojmë këtë sfidë,” thotë Jasiqi.

Selvigona Jasiqi, drejtoreshë e kopshtit  parashkollor “Dija” në Fushë Kosovë shprehë motivimin e saj për të mësuarit online pavarësisht mospërkrahjes institucionale.

Në bazë të nenit 5, pika 1.3 dhe 1.4 të Ligjit (04/L-032) për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në zbatim të vendimit 01/07 të datës 11.03. 2020, MASH-i ka filluar zbatimin e mësimit online në të gjitha institucionet arsimore të Republikës së Kosovës. Platforma të   ndryshme   janë   përdorur   për   t‟u   realizuar   mësimi   në   distancë   qoftë   nga   institucione parashkollore, fillore apo të mesme.

Adnan Ibrahimi dhe Fitore Berisha shohin Zoom-in si platformë më të përshatshme, por gjithnjë duke cekur edhe nivelin e vështirësisë që kanë hasur prindërit në përdorimin e teknologjisë si sfidë më vete.

“Meqë është situatë e re, udhëzimet e MASH kanë qenë referencë për zhvillimin e procesit arsimor. Edhe pse filloi transmetimi në TV publik, si rezultat i materialit të pakët që shfaqej, dhe në pamundësi të kyçjes të të gjithë prindërve, ne e pamë të nevojshme të përdorim Zoom për ta plotësuar edhe më tej,‟ deklaroi Ibrahimi.

Mentor   Hajrizi,    mësimdhënës   në   SHFMU   ‟Hilmi   Rakovica‟   në   Prishtinë   konsideron   që ekzistojnë disa vështirësi teknike.

“Vështirësitë mund të jenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga fakti qe shumë nga nxënësit nuk i kanë tekstet bazë të mësimit, shumë prej tyre nuk i kanë as fletoret e punës, u mungon telefoni, laptopi etj‟.

Mentor Hajrizi, mësimdhënës në SHFMU ’’Hilmi Rakovica’’ ka ligjëruar mësimin online për televizionin publik të organizuar nga MASH-i në RTK.

Ndërsa, nevojën për të zhvendosur mësimin në formatin online përgjatë kohës së pandëmisë Hajrizi e sheh edhe si përparësi.

“Nxënësit nuk mendojnë shumë për pandeminë, por merren me detyrat. Ata po asthu janë në rrjedha për mësimin dhe mësohen si ta përdorin më mirë teknologjinë në praktikë,” përfundoi Hajrizi.

Rradhës së përparësive të të mësuarit online, Fidan Shaqiri, drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët ‟Bajram Curri‟ i bashkangjet edhe një komponent tjetër postpandemik.

‟Ta shfrytëzojmë mësimin në distancë edhe gjatë kohës së dimrit, kur për shkaqe të motit shumë të ftohtë po e ndërpresim mësimin. Kështu, përmes mësimit në online mund të vazhdojmë mësimin nga shtëpia,‟ tha Shaqiri.

Përfshirja e prindërve në arsim të fëmijëve dhe ndërtim të raportit bashkëpunues me institucionin konstatohet në bazë të hulumtimeve se ndërlidhet pozitivisht me ecurinë akademike të fëmijëve. Këtë gjë konfirmon edhe mësimëdhënësi klasor Përparim Blakaj duke konsideruar që sfidat nëpër të cilat kanë kaluar dhe vazhdojnë tutje, janë të kalueshme nëse trekendëshi prind-mësimdhënës-nxënës, me në qender nxënësin, mirëfunksionon.

Kurse drejtoreshës së kopshtit, Selvigona Jasiqi, raportet e mira me prindërit i shërbejnë si promotor për të realizuar një libër të veçantë të punës me fëmijë përgjatë pandemisë.

‟Duke parë motivimin e lartë të prindërve, edhe ne jemi të motivuar që të punojmë natë e ditë në këtë periudhë shumë të rëndësishme për mua dhe nxënësit. Kështu, secilin aktivitet të realizuar me fëmijë e kemi vendosur në të ashtuquajturin libër të kujtimeve të mësimit në distancë,‟ tregoi Jasiqi.

Ndër të tjera, sfidë për mësimdhënësit ka qenë edhe metoda e vlerësimit të nxënësve përgjatë pandemisë.

“Kemi qenë konfuzë për kriteret e vlërsimit, mirëpo më pas u lëshua udhëzuesi për vlerësim nga MASH ku përfshihet mënyra e vlerësimit, ku edhe i jepet fokus pjesëmarrjes dhe angazhimit të detyrave që i kemi dhënë. Rregull nga MASH është që nota përfundimtare mos të jetë më e ulët se ajo e 11 marsit,‟ shprehet Ibrahimaj.

Për nivelin e ulët të integrimit të teknologjisë dokumentojnë studime të ndryshime në Kosovë. Sipas raportit nga Instituti Pedagogjik i Kosovës thuhet se përgjatë analizimit të të dhënave, disa shkollave u mungojnë pajisjet teknologjike dhe qasja në to. Po ashtu, potencohet se në shkolla ekziston akoma një qasje tradicionale e mësimdhënies, edhe pse në hulumtim shihet se disa mësimdhënës e përdorin TIK-un përmes fotografive, CD dhe video projektorëve, ndërsa afër 40% të tyre nuk kanë njohuri se si ta përdorin, edhe përkundër faktit se 68% të mësimdhënësve kanë ndjekur trajnime të ndryshme për TIK-un.

“Mënyra se si shkolla jonë na ka informuar mbi qasjen e platformave online ka qenë e duhur. Ka pasur gjëra më pozitive në të mësuarit online, duke u nisur nga disiplina si aspekt kyç i mbarëvajtjes së mësimit e më tej”, thotë Mujë Xhekaj.

Në anën tjetër Fatlinda Leku, nxënëse në shkollën profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, konsideron që ka pasur lëshime nga disa profesorë duke mos e kryer orën plotësisht sa ishte e paraparë.

‟Një gjë që vlen të potencohet është që një pjesë e profesorëve nuk e kanë plotësuar minutazhën e paraparë, duke mos i kushtuar rëndësi nxënësve por vetëm për ta përfunduar temën sa më shpejtë,‟ tha Leku.

Në raportin e IPK-së po ashtu thuhet se sipas të dhënave, ekziston përdorimi i pamjaftueshëm i teknikave mësimore bashkëkohore, si dhe shfrytëzimi i pamjaftueshëm i teknologjisë informative të komunikimit gjatë procesit të mësimdhënies. Vlen të potencohet që “The International Council for Open and Distance Education‟ ka krijuar një website të veçantë për të mbajtur webinare, këshilla për të mësuarit online dhe për të ofruar burime për mësuesit.

Bekon Agushi, mësimdhënës në shkollën fillore ‟Abdullah Krashnica‟ në Preshevë, përpos sfidave të zakonshme gjatë pandemisë, flet edhe për shkollën si storie suksesi në Luginë të Preshevës në aspektin e digjitalizimit online. Institucioni ku Agushi punon është ndër shkollat e pakta në Serbi që kanë tabelë interaktive dhe dixhitalizim të plotë, përkundër faktit që niveli i përkrahjes institucionale nga ana e shtetit të Sërbisë në çështjen e arsimit për shqiptarët atje është i ulët.

‟Shkolla ku punoj është e vetmja në Komunën e Preshevës, që tërësisht është e dixhitalizuar dhe çdo  klasë është  e pajisur me tabela interaktive. Kjo ka rezultuar në përgatitje të lartë dhe motivim të mësimdhënësve në realizim të plotë të mesimit online,‟ tha Agushi.

Në anën tjetër, vargun e pabarazive dhe mangësive për të mësuarit online në raportin e hulumtimit të Institutit për Zhvillimin e Politikave Sociale dokumentohet edhe pjesëmarrja në ligjërata online me vetëm 57 për qind e fëmijëve të familjeve me asistencë sociale.

Në raport përmendet që 11% e familjeve apo 24 nga 227 familje kanë deklaruar se nuk posedojnë televizion në shtëpi, ku shumica i takon komuniteteve. Edhe familjet në zona të thella pa sistem kabllor kanë pasur vështirësi në qasjen në programet e RTK 4. Po ashtu, 36% e pjesëmarrsve kanë deklaruar se nuk kanë qasje në internet. Nga numri përgjithshëm vetëm 8% kanë deklaruar se kanë tablet, kompjuter apo laptop.

Edhe Fatlinda Lekaj flet për nivelin e ulët të pjesëmarrjes aktive të nxënësve në shkollën ku vijon mësimet.

‟Përgjatë periudhës së mësimit online ka nxënës që nuk kanë hyrë në asnjë orë mësimore dhe afro gjysma e nxënësve nuk kanë qenë asnjëherë aktiv, gjë që flet për mos plotësim të kushteve të mësimit në distancë,‟ tha ajo.

Nevoja për të ndryshuar qasje në rrethana të reja për mësimdhënësit, nxënësit dhe çdo akter tjetër në arsim ka rezultuar në rritje të nivelit të stresit si pasojë e mungesës së përvojës dhe nivelit jo të mjaftueshëm të shkathtësive për të mësuarit online.

Drejtori Fidan Shaqiri në aspektin e motivimit për ndryshime sociale flet për një komponent të rëndësishëm që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve psikologjike për mësimëdhënësit në aspektin e menaxhimit të stresit.

‟Nevoja për të marrë pjesë në seanca të vazhdueshme lidhur me trajtimin e stresit të mësimdhënësve dhe mbingarkesës së punës, e sidomos seancat me psikologë janë të nevojshme për t‟u ndjerë të motivuar për ndryshimet eventuale,‟ u shpreh Shaqiri.

Edhe pse ka pasur përpjekje nga MASH-i dhe institucionet tjera relevante në Kosovë, vështirësitë e realizimit të mësimit online kanë qenë reale dhe evidente në terren. Shpresojmë që trendi i ‟dixhitalizimit  global‟  të  kapë  valën  e  saj  edhe  në  Kosovë  duke  avancuar  më tej  mësimin  në distancë, ngaqë pandemia Covid-19 veçse ka shpalosur nivelin e ulët të përgatitjes në këtë fushë dhe nevojën për avancim të njohurive dhe shkathtësive.

Një perspektivë tjetër e mësimit online në pandemi

Në vende të ndryshme të botës, ku niveli digjitalizimit dhe përfshirjes së teknologjisë në mësimdhënie është i lartë, procesi i të mësuarit online ka qenë më i lehtë, por jo për të gjithë.

Edhe pse digjitalizimi i sistemit të edukimit në Itali filloi qysh prej viteve të 2000-ta, dhe është hartuar Plani Nacional për digjitalizimin e shkollave, prapë pandemia e vështirësoi procesin e mësimdhënies te fëmijët nën moshën 6 vjeç, pra në fëmijëri të hershme si fazë kruciale të zhvillimit.

Në nivel global sipas të dhënave të OECD, 95% e studentëve në Zvicër, Norvegji dhe Austri kanë një kompjuter për të përdorur për t’i përfunduar detyrat e shkollës, ndërsa në Indonezi posedojnë kompjuter vetëm 34% e nxënësve.

Dan Domenech, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Mbikëqyrësve Shkollorë (The School Superintendents Association) pohon që shumë shkolla në SHBA mund t’i pajisin me laptopë nxënësit në shtëpi, duke ua lehtësuar procesin e të mësuarit online, gjë që këto përfitime, sipas tij, kanë qenë të pamundura gjatë epidemisë së gripit H1N1 më 2009.

Kështu edhe shkollat publike të Qarkut Miami-Dade kishin njoftuar qysh në fillim të pandemisë se kanë rreth 200,000 pajisje elektronike që mund t’i shpërndajnë te nxënësit në rast të mbylljes së shkollave.

Për të parandaluar përhapjen e pandemisë Covid-19, qindra biblioteka janë mbyllur kudo në botë përkohësisht, por edhe disa kanë lejuar qasje virtualisht edhe përgjatë pandemisë. Libraria ODTU për të mbështetur edukimin për një periudhë të shkurtër kohore ka lejuar qasjen e nxënësve me akses falas. Të njejtin model kanë ndjekur shumica e shteteve të botës, por për nxënësit pa qasje kabllore dhe internet në shtëpi prapë ngelet sfidë përfitimi nga këto mundësi.

Pra, ekziston nevojë e menjëhershme për t’u ofruar edhe më tej mbështetje nxënësve që janë prej familjeve me asistencë sociale në raport me qasjen në të mësuarit online. Përpos kësaj, shihet nevojë e theksuar për ta ngritur cilësinë e mësimdhënies duke integruar teknikat bashkëkohore të mësimdhënies dhe ndërtimin e një raporti bashkëpunues mes shkollave dhe prindërve.

Leutrim Edipi

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Ngritja e Aftësisë Mediale dhe Digjitale”/”Enhancing Media and Digital Literacy”, e mbështetur nga Albany Associates.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM