Build Skills with our trainings

Sign up now!

Të jesh gazetare në Kosovë ka sfida shtesë

Nën 11, 2020

Gratë në dekadat e fundit gjithmonë e më shumë kanë qenë pjesë e gazetarisë, qoftë ajo gazetari hulumtuese, reporte dhe kohëve të fundit, online. Përveç që gratë hasin probleme të ndryshme në jetën e përditshme vetëm për shkak të gjinisë ato ballafaqohen edhe me më shumë sfida në vendet e punës.

Gazetaria është një profesion mjaft i rrezikshëm dhe gazetarët janë dhe do mbeten gjithmonë shënjestra ndaj kërcënimeve të ndyshme. Veçanërisht gratë, ku për shkak të gjinisë në të shumtën e rasteve kërcënimet ndaj tyre vijnë në formë seksuale.

Arbana Xharra, gazetare hulumtuese, thotë se faktor kryesor se pse gratë hasin në sfida të shumta është mentaliteti patrialkal i shoqërisë sonë që e karakterizon gruan në nivel më të ulët.

“…kërcënimet, trajtimi me lehtësi i keq që u bëhet sepse janë gra, pra në mungesë të mbështetjes institucionale dhe pasigurisë rreziku në ambientin e punës është shumë me i madh për ne, jo se gazetarët burra nuk kërcënohen, por fakti qe gruaja në shoqerinë tonë nuk konsiderohet e barabartë kjo reflekton edhe në fushën e gazetarisë”, thotë ajo

Xharra tregon se sulmet ndaj grave gazetare janë në disa dimensione, pos atyre për shkrim, gratë hasin edhe sulme seksiste, etiketime, presione të cilat vijnë nga vendi i punës si dhe nga jashtë.

“Për të mos harruar këtu mungesën e kontratave që është shumë e shprehur në mediat në Kosovë.”

Mendim të njëjtë shpreh edhe Fitore Rexhepi, prezantuese dhe redaktore në emisionin “Imazh” në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), e cila thotë se shoqëria dhe institucionet janë disa prej faktorëve që gazetaret gra i ballafaqon me sfida.

“Ka edhe nje faktor tjetër, gratë pasi bëhen nëna, ato largohen përpak kohë nga profesioni dhe në gazetari kjo kushton më shumë se sa në profesione të tjera, dhe poashtu rikthimi është më i vështirë, për atë kërkohet mbështetje më shumë për gratë gazetare sepse misionin e kanë më të vështirë”, shprehet ajo.

Në një raport të Qendrës së Mediave të Grave (Women’s Media Center) pohohet se aktualisht ka më shumë gra në programe të gazetarisë dhe universitete, mirëpo ato, megjithatë paraqesin vetëm rreth 41.7% të punjonjësve të redaksisë.

“Media është në një gjendje të përçarjes së madhe, por pavarësisht të gjithë ndryshimit, një gjë mbetet e njëjtë: më pak gra raportojnë lajmet sesa burrat”, shkruan Julie Burton, presidente e WMC (Women’s Media Center), në raportin “Statusi i Gruas në Mediat e SHBA 2019”

Gazetare në Telegrafi.com, Jehona Hulaj, thotë se ka sfida të ndryshme sa i përket karrierës së grave në media.

“Gratë në përgjithësi e kanë më të vështirë dhe përballen me shumë sfida gjatë ndërtimit të karrierës së tyre profesionale. Mendoj se me këtë përballen gratë në të gjithë botën, por ndoshta tek ne vërehet më shumë. Shumica e burrave që janë në pozita udhëheqëse nuk mund të paramendojnë një grua të jetë në pozitën e tyre, ose më mirë të themi nuk mund ta përballojnë që një grua mund të jetë udhëheqëse më e mirë se ai.”

Sipas saj, nuk është e lehtë të jesh gazetare apo gazetar në Kosovë pasi që ky profesion nuk respektohet mjaftueshëm dhe se njëra prej arsyeve mund të jetë politika që e ka sjell gazetarinë në këtë nivel.

Në një raport global mbi statusin e grave në media dhe lajme që shqyrtojnë më shumë se 500 kompani, në gati 60 shtete tregojnë se burrat zënë pjesën dërrmuese te punët e menaxhimit dhe mbledhjen e lajmeve. Në këtë studim, studiuesit zbuluan se 73% të menaxhmentit të lartë e zënë burrat, krahasuar me 27% të grave. Te reporterët, burrat mbajnë dy të tretën e vendeve të punës, krahasuar me 36% që mbahen nga gratë. Sidoqoftë, gratë janë pranë barazisë me 41% sa i përket punëve në mbledhjen e lajmeve, redaktimet dhe shkrimet.

Valmir Haklaj, nga Prishtina, tregon se nuk bën dallim në mes grave dhe burrave në kuadër të punës së gazetarëve. Ai e vlerëson punën e tyre në bazë të përmbajtjes dhe cilësisë së shkrimit dhe jo gjinisë.

Hana Marteti Shala, gazetare në T7, thotë se në emisione televizive, panele diskutimi dhe vendimmarrje gratë janë në numër të vogël gjë që duhet të ndryshojë në mënyrë që të kuptohet rëndësia e gruas dhe mendimi i saj.

“Gratë janë shumë të afta të sjellim mobilizim në çështje të caktura dhe mbi të gjitha karakterizohet nga shumë veti të cilat nuk duhet të mbulohen nga mendimet patrialkale të cilat fatkeqsisht nuk janë përmirësuar as në rrafshin medial.”

Gratë gazetare shumicën e rasteve ndjehen sikurse puna e tyre nuk është duke u marr seriozisht vetëm për faktin që janë gra.

Dorentina Kastrati, gazetare, hulumtuese, koordinatore e projekteve dhe ndihmës- redaktore në KALLXO.com, rrëfen për rastin ku i është dyshuar aftësia e saj si gazetare.

e kam pasur një terren në një fshat më të thellë për një temë të cilën kam qenë duke e hulumtuar, kur kemi arritur në fshat dhe jemi ndalur për të biseduar me një banor … e kujtoj që ka qenë një burrë më në moshë. Fillimisht kur unë kam filluar të bisedoj me të dhe ta pyes për problemin, ai ka refuzuar të flas me mua duke kërkuar të flas me kolegun tim kameraman. Në atë rast unë ia kam shpjeguar që unë jam gazetarja dhe unë do ta realizoj storien kështu që ai duhet të flas me mua dhe t’i përgjigjet pyetjeve të cilat do t’ia parashtroj.”

Raste të tilla kujton edhe Arbana Xharra në fillim të periudhës së saj si gazetare e cila në të shumtën e rasteve nuk është marrë seriozisht nga burrat redaktorë për të cilët ka punuar.

“Njëri prej tyre më pat thënë vite më parë se unë nuk mund të bëhem gazetare hulumtuese sepse për të marrë informata duhet ‘me dal me pi natën për me marrë informata.”

Për gratë gazetare dhe punëtoret e medias, sfidat dhe sulmet në baza gjinore vazhdojnë të jenë pjesë të qëndrueshme në rutinën e tyre. Sulmet që vijnë prej rrjeteve sociale janë shpesh ngacmime seksuale drejtuar imazhit të trupit, drejtuar familjes dhe lidhjeve personale.

Doruntina Baliu, koordinatore e projekteve, gazetare/ hulumtuese dhe redaktore në KALLXO.com, thotë se ngacmimet seksuale duhet të trajtohen më shumë seriozitet dhe mos të futen nën tepih si diçka “që nuk është aq e madhe”.

“…rastet duhet të trajtohen në mënyrë profesionale dhe brenda një ambienti të sigurt që e siguron hierarkia dhe ekzistimi i personave kompetentë siç janë burimet njerëzore në secilën kompani. Më pas sigurisht, që secili rast që përbën vepër penale duhet të adresohet përmes mekanizmave ligjorë”, thotë ajo

Baliu shton se ky veprim krijon një klimë në të cilën viktimat e ngacmimeve seksuale ndihen të sigurtë për raportimin e rasteve si dhe për të dyshuarit të kenë mundësinë e mbrojtjes në rast se ka dyshim për raportim të rremë.

Sipas Agnesa Sejdiut, gazetare në Radio Dukagjini, forma më e mirë që të luftohen ngacmimet seksuale është reagimi.

“…edhe reagimi në rrjetet sociale, sepse ngacmimet seksuale kudo, janë tërësisht të papranueshme. Mirëpo sfidë mbetet guximi që mund të kenë personat që po ngacmohen. Ka me mijëra raste të cilat heshten nga njerëzit përreth viktimës, dhe pak kush e mer guximin që të flas. Neve na duhet shumëfish më shumë mbështetje për gratë të cilat përjetojnë ngacmime kudo, madje edhe për ato që vendosin të tregojnë hapur për përvojat e tyre.”

Në një studim të Fondacionit Ndërkombëtar të Mediave të Grave (International Women’s Media Foundation) thuhet se gati dy e treta e 977 gazetareve të cilat janë pyetur në një anketë thonë se kanë qenë viktima të kërcënimeve dhe abuzimeve të ndryshme.

Kërcënimet i kanë karakterizuar në tre fusha sipas raportit për Sulmet dhe Ngacmimet e grave gazetare “Attacks and Harassment…”. Ngacmimi i drejtpërdrejtë, i cili i referohet sulmeve të drejtpërdrejta. Shembull në këtë fushë janë: nofkat ofenduese, kërcënimet fizike si dhe ndjekja.

Cenimi i privatësisë, që nënkupton dëmet e bëra viktimës përmes hyrjes së paautorizuar dhe ekspozimit, shpërndarjes së informacionit pa lejen e pronarit. Shembull është: hakimi, ekspozimi i informacionit ose fotove private pa lejen e personit, imitimi, monitorimi dhe gjurmimi online.   Refuzimi i qasjes, që ndodh kur dikush përdor tiparet e teknologjisë me qëllim që t’i bëj dëme viktimës, zakonisht duke ju mohuar qasje në mjete të nevojshme dixhitale, platforma online etj. Shembulli përfshin: dërgimin e një shume të madhe të mesazheve të padëshiruara, keqpërdorimin e mjeteve të raportimit që rezulton në bllokimin e personit nga përdorimi i një platforme, sulme teknike që mbingarkojnë paisjet etj.

Gazetarja Arbana Xharra tregon për sulmin fizik ndaj saj, i cili ndodhi në maj të 2017, që është nxitur nga një fushatë propaganduese në të cilën kanë marrë pjesë edhe gazetarë.

“…është krijuar ambient i favorshëm për të nxitur sulmin. Institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë kanë dështuar sikurse edhe me shumë raste të tjera të zbulojnë se kush më ka atakuar. Në këtë mënyrë u është dhënë komoditet sulmuesve të mi por edhe të tjerëve nga mos ndëshkimi. Jam sulmuar verbalisht në mënyrën më të tmerrshme e fatkeqësisht edhe nga gratë.”

Në një dokument të OSCE për Sigurinë e Grave Gazetare në Internet (SOFJO) thuhet se për shkak të ngacmimeve dhe abuzimeve në internet shumë gazetare kufizohen në punën e tyre dhe e shohin si opsion të vetëm largimin nga ky profesion. Si dhe 40% e gazetareve gra i shmangen raportimit të ngjarjeve të caktuara si pasojë e këtyre ngacmimeve.

Sipas këtij dokumenti gratë gazetare janë shënjestra të shpeshta atëherë kur bien shumë në sy në punën e tyre, pra kur sfidojnë norma ose steriotipe të hershme gjinore. Edhe një studim i vitit të kaluar nga Trollbusters dhe Fondacioni Ndërkombetar i Mediave të Grave mbështet këtë fakt duke shtuar se 40% e grave gazetare që i kanë intervistuar kishin ndalur së publikuari shkrime të cilat e dinin qe do i bënin shënjestra të sulmeve.

Sipas Platformës Regjionale të Ballkani për Avokimin e Lirisë së Medieve dhe Sigurisë së Gazetareve, në Kosovë nuk ka procedura speciale që merren me sulmet ndaj grave gazetare.

Albina Kelmendi

Për autorin/en:

Albina Kelmendi është studente e vitit të dytë në Media dhe Komunikim në kolegjin UBT. Ajo është pjesë e programit “Internship & Mentorship2” në KosovaLive.

Albina, gjithmonë ka pasur pasion gazetarinë dhe ka dashur të jetë e përfshirë në industrinë e medias.

Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina dhe #AlbanyAssociates.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM