Build Skills with our trainings

Sign up now!

Siguria e gazetarëve në raportimin e korrupsionit në Kosovë

Shk 26, 2021

Pse duhet të ndihet i rrezikuar një gazetar, i cili shkruan një artikull ose realizon një emision për raportimin e korrupsionit, krimit të organizuar, keqpërdorimit të parasë publike, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe i cili tregon të vërtetën në interes të opinionit publik?

Në vendin tonë, disa gazetarë përveç që janë kërcënuar, ata edhe janë sulmuar fizikisht nga personat e përfshirë në afera korruptive.

Një ndër rastet që ka ndodhur viteve të fundit është sulmi ndaj gazetares Arbana Xharra, e cila në vazhdim flet për gjendjen e sigurisë së gazetarëve dhe për rastin e saj në fjalë.

“Me vetë faktin që nuk ndëshkohen të korruptuarit në Kosovë, kjo e bën këtë vend të pasigurt për gazetarët që e trajtojnë korrupsionin. Qysh në dy dekadat e fundit, në fazën e zhvillimit të shtetit të Kosovës, janë raportuar në vazhdimësi emrat e të korruptuarve, rastet konkrete dhe njëkohësisht, gazetarëve çdoherë u është bërë më e vështirë të raportojnë në mungesë të funksionimit të shtetit ligjor. Në Ballkan e kemi gjendjen pak a shumë të njëjtë të mediave, sikurse edhe skenën politike. Gazetarët në vendet e Ballkanit ballafaqohen me të njëjtat probleme për shkak të fuqisë që politika e korruptuar dhe bizneset e lidhura me të kanë mbi organet e sigurisë. Janë të pakta ato media financiarisht të pavarura, pronarët e të cilave nuk ndikohen nga grupe interesi. Shpeshherë gazetarët janë të detyruar të mos shkruajnë sepse pronarët u bëjnë presion. Unë jam kërcënuar vazhdimisht, por i kam nënvlerësuar
kërcënimet, duke mos besuar asnjëherë se mund të sulmohem fizikisht. Gjithashtu, kam dërguar me qindra kërcënime në polici. Dy vjet më parë kërcënuesit me vizatuan kryqa në derë të shtëpisë dhe pak ditë më vonë u sulmova e policia ende thotë se nuk ka zbuluar asgjë.

Ky është mesazh i qartë edhe për gazetarët e tjerë. Unë kam marrë kërcënime dhe jam paditur direkt nga ata persona që janë të përfshirë në korrupsion e krim të organizuar, me vite të tëra kam qenë nëpër procese gjyqësore. BE dhe SHBA më kanë shpërblyer me çmime ndërkombëtare për punën që kam bërë. Ambasada Amerikane ka qenë gjithmonë e hapur për mua. Ka ndodhur që përfaqësues të diplomacisë amerikane, pas kërcënimeve që unë dhe
fëmijët kemi marrë, më kanë ftuar të qëndroj në shtëpinë e tyre. U jam shumë mirënjohëse për vlerësimin që ma kanë bërë në vazhdimësi”, ka thënë Arbana Xharra për KosovaLive.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, tregon se nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve.

“Në kuptim të sigurisë, Kosova nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të siguruar mbrojtjen e gazetarëve. Policia, prokuroria dhe gjykatat nuk janë aspak të përgatitura për të mbrojtur gazetarët nga kërcënimet dhe sulmet, sidomos kur bëhet fjalë për parandalimin e rreziqeve.

Po ashtu, ndjekja penale e atyre që sulmojnë gazetarët nuk bëhet sipas standardeve më të mira. Si policia, ashtu edhe prokuroria, duket se rastet e sulmeve ndaj gazetarëve nuk i marrin me prioritet, e sa i përket gjykatave, në më shumë se tri raste gjykata ka dënuar sulmuesit e gazetarëve me gjoba qesharake. Shteti i Kosovës duhet të krijojë ambient të sigurtë për të bërë gazetari, por kjo nuk pritet të ndodhë meqë asnjë parti politike nuk është e interesuar që e drejta e lirisë së shprehjes dhe e drejta e lirisë së medias të jenë plotësisht të garantuara dhe të respektuara në Kosovë. Të bërit gazetari në Ballkan, në përgjithësi, është vështirë për shkak të ekonomisë së dobët, mungesës së modeleve të reja të financimit të mediave, gjuhës vulgare shpifëse dhe nxitëse të politikanëve kundër gazetarëve.

Situata është tejet e vështirë, sidomos në Shqipëri dhe në Serbi, meqë gazetarët vazhdojnë të jenë target i sulmeve nga ana e politikanëve dhe qeveritë e këtyre dy shteteve ua kanë pamundësuar gazetarëve që të kenë qasje në informacione. Lidhur me pjesëmarrjen në Konferencën e Londrës, mund të them se ishte e rëndësishme, sepse ishte një ndër konferencat më të mëdha globale e organizuar nga Qeveria e Britanisë së Madhe dhe Qeveria e Kanadasë, me qëllim që të diskutohet liria e mediave në tërë botën. Do të thosha se konferencat e tilla janë të mirëseardhura, sepse pjesëmarrësit mund ta kuptojnë situatën nëpër botë, të mësojnë nga praktikat e mira dhe t’i denoncojnë publikisht qeveritë e tyre. Kosova dhe Shqipëria në këtë konferencë u përmendën disa herë, mirëpo si shembuj të këqinj, ku gazetarët fyhen, linçohen dhe politikanët aktivisht mundohen që të dëmtojnë financiarisht mediat e lira, duke i frikësuar bizneset të cilat reklamojnë në këto media”, theksoi Kusari.

Për sigurinë e gazetarëve në rastet e raportimit të korrupsionit flasin edhe burime nga Shërbimi për Informim i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

“Në Kosovë, përkundër përmirësimeve të dukshme krahasuar me më parë, ende nuk janë krijuar kushtet për një raportim objektiv për rastet e korrupsionit, e që në të njëjtën kohë nuk lë hapësirë për t’u përballur me kërcënime verbale, sulme fizike e rrezikim të drejtpërdrejtë të jetës. Realisht, rreziku për raportim të rasteve të korrupsionit rritet në përputhje me rastin; sa më i rëndë të jetë rasti i raportuar, kërcënimi është më i madh. Përkundër kësaj, disa gazetarë e kanë guximin qytetar dhe profesional, përkundër rreziqeve të mëdha dhe pasojave që i kanë, t’i raportojnë rastet e korrupsionit, duke i denoncuar publikisht dhe në këtë mënyrë e alarmojnë prokurorinë e shtetit, e cila fillon hetimin e rasteve. Përkundër përmirësimeve, KMDLNJ vlerëson se ende nuk janë krijuar kushtet e sigurisë, prandaj gazetarët janë të pambrojtur dhe kjo ndikon në mënyrë dekurajuese për gazetarët e tjerë që duan ta bëjnë këtë punë krejtësisht të pavarur dhe në mënyrë profesionale. Këta gazetarë që e kanë guximin dhe gatishmërinë për t’i raportuar rastet e korrupsionit dëmtohen edhe nga disa gazetarë që kanë ndërtuar raport klientelist me të korruptuarit dhe që bëjnë denoncime apo raportime të
rrejshme. Përfundimisht, raportimi i rasteve të korrupsionit hyn në radhët e sporteve të rënda dhe ekstreme. Ka shumë ligje në të cilat mund të thirret gazetari për të siguruar mbrojtje për raportim objektiv të rasteve të korrupsionit, por për KMDLNJ-në dokumente bazë, nga aspekti i të drejtave të njeriut, janë Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së
Kosovës, ku shprehimisht garantohet liria e fjalës dhe e shprehjes, që është brumi kryesor dhe i domosdoshëm nga gazetarët, të cilët gatuajnë lajmet e tyre, në përgjithësi dhe rastet e raportimit të korrupsionit, në veçanti.

KMDLNJ-ja ndërhyn në të gjitha rastet kur gazetarët e paraqesin rastin e kërcënimit përmes deklaratës së nënshkruar në zyrat e këshillit apo, në raste të rralla, kur ka sulme mbi gazetarët e që motivi është i ditur. Në këto raste KMDLNJ-ja e bën një denoncim publik të menjëhershëm për ta sensibilizuar opinionin në ndërkohë që kërkon materiale shtesë për përgatitjen e raportit. Në bazë të vlerësimit, KMDLNJ-ja e paraqet rastin e kërcënimit në polici apo e kontakton prokurorin përgjegjës. KMDLNJ-ja nuk i shqyrton rastet që paraqiten në zyrat e këshillit nëse pala nuk e nënshkruan deklaratën dhe nuk e ka ndonjë dokument identifikimi. Gjatë raportimit të rasteve të korrupsionit, por edhe punës në përgjithësi si gazetar, i shkelet e drejta për punë të papenguar për të informuar publikun mbi zhvillimet në interes të tij, e drejta e lirisë së fjalës, e drejta e shprehjes së lirë, e drejta e lirisë së lëvizjes dhe në disa raste ekstreme, edhe e drejta për jetë.

Reagimi i KMDLNJ-së pas raportimit të rasteve, ka në radhë të parë karakter sensibilizues dhe parandalues. Bëhet një deklaratë për mediat elektronike dhe të shkruara, paraqitet rasti në polici, nëse vlerësohet se është e nevojshme, edhe në prokurori. Pastaj kontaktohen edhe burimet e tjera të informatave për t’u kompletuar rasti. Më pas përgatitet një raport, i cili pastaj dërgohet në të gjitha adresat e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nga to kërkohet të reagojnë në përkrahje të gazetarit të kërcënuar. Materialet e KMDLNJ-së për këto raste, pasi të kompletohen, mund të shërbejnë edhe për hetuesit apo vendimmarrësit e tjerë që trajtojnë këtë çështje.”

Një raport i publikuar nga BIRN në vitin 2018 lidhur me Raportimin e Mediave të Kosovës për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin tregon se mediat në Kosovë janë subjekt i presionit nga politikanët dhe bizneset për të mos i lejuar ato që të raportojnë mbi çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gazetarëve nuk u ofrohet siguri dhe kjo ndikon në raportimin e tyre në çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Institucionet e sundimit të ligjit janë pasive në komunikim me media, dhe qasja në dokumente zyrtare nuk aplikohet në të gjitha rastet, duke bërë kështu rrjedhjen e informatave burim të rëndësishëm për informim. Mediave, në përgjithësi u mungojnë burimet, përfshirë stafin dhe kohën për t’iu dedikuar raportimeve hulumtuese në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Siguria e gazetarëve rrezikohet nga subjektet e pakënaqura për ata që kanë shkruar në artikujt e tyre, dhe siguria e tyre ekonomike nga kërcënimi i humbjes së vendeve të tyre të punës nëse punëdhënësit e tyre dorëzohen ndaj presioneve politike dhe të bizneseve, në shkëmbim të përfitimeve financiare dhe favoreve të tjera nga bizneset dhe politikanët. Kjo ndikon raportimin e tyre në rastet e krimit të organizuar, dhe nxit vetëcenzurën ndërmjet shumë gazetarëve kur ata raportojnë për raste të tilla.

Kreshnik Gashi, gazetar dhe redaktor nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), flet për gjendjen e sigurisë së gazetarëve në Kosovë.

“Raportet tregojnë se në aspektin fizik gazetarët në Kosovë nuk janë shumë të kërcënuar dhe të sulmuar prej grupeve te ndryshme. Kjo na bën në njëfarë forme të sigurt prej sulmeve fizike, të cilat kishin mundur të vijnë pas raportimeve tona, megjithatë siguria e gazetarëve është një koncept shumë më i gjerë, i cili tregon se gazetarët duhet të ndihen komodë në punën të cilën e kryejnë dhe të mos kenë faktorë të tjerë të cilët do t’i bënin të intimidohen
ose të kenë qasje të ndryshme në shkrim.”

Gashi i përmendi vetëm disa prej faktorëve që nuk i bëjnë gazetarët të ndihen të sigurt ta kryejnë punën e tyre dhe ta raportojnë korrupsionin në Kosovë.
Faktori i parë, sipas tij, është gjendja e medias ku ata punojnë dhe mungesa e kontratave të punës për shumë gazetarë që punojnë në media.

“Gazetarët frikësohen me punu ditëve të pushimit, nuk u ofrohet pushimi dhe janë në një situatë ku mund ta humbin punën për shkak të raportimit që ata po e bëjnë. Kjo na çon te një situatë ku gazetarët janë të varur dhe kanë vetëcenzurë të madhe në raportimet e tyre. Duke përdorur vetëcenzurën mbërrijnë ta kryejnë punën e vet dhe nuk mbërrijnë të raportojnë për rastet e korrupsionit.”

Faktori tjetër, sipas tij, që i ka bërë gazetarët të nënshtrohen është fakti se Kosova është një treg i vogël i mediave dhe nëse kanë pasur fatin të punësohen në një media, mundësia për të kaluar në një media tjetër është shumë e rrallë. Tjetër faktor, tregon Gashi, është nënshtrimi i gazetarëve para pronarëve të mediave. Gazetarët nuk kanë mundësi të japin dorëheqje në rastet kur do të kishin pasur presione për të shkruar ose raportuar dhe të gjejnë një vend tjetër të punës, thjeshtë është qasje e mbijetesës, sipas tij.

“Në rastet kur gazetarët që punojnë në mediat e lidhura me politikën dhe bizneset kanë raportuar diçka që nuk u shkon për shtati këtyre partive ose bizneseve, këto të fundit janë angazhuar të ndërtojnë lajme të rreme dhe të krijojnë agjendë e cila e dëmton reputacionin e gazetarëve, në mënyrë që kredibiliteti i stories ose shkrimit të shuhet. Kosova, për shkak të presionit ndërkombëtar dhe për shkak të donacioneve të huaja ka mbërritur të krijojë një
standard të lartë të shprehjes në media dhe në shoqëri.”

Gashi krahason Kosovën me disa vende të Ballkanit dhe mendon se Kosova nuk qëndron keq sa i përket lirisë së shprehjes.

“Në disa vende të rajonit, p.sh në Serbi dhe në Shqipëri, ka një kufizim të madh të lirisë së shprehjes e dëme kolaterale nëse dikush kryen raportime për korrupsion. Në anën tjetër, Maqedonia dhe Mali i Zi qëndrojnë pak më mirë, por dallimi midis Maqedonisë dhe Kosovës është se në këtë aspekt ndoshta Kosova do të kish me marrë më shumë pika brenda konceptit.”

Ndër të tjera, ai flet edhe për rastet e sulmimit të gazetarëve prej kohës kur ai punon për BIRN.

“Ka pasur raste kur gazetarët janë atakuar fizikisht gjatë kohës kur ata kanë kryer punën e tyre në terren. Vetëm prej kohës kur punoj në BIRN kujtoj që kemi pasur mbi 6-7 raste kur kolegët tanë janë sulmuar ose penguar fizikisht në rrugë. Ajo çka vërej është se organet e ndjekjes kanë një problem në ndëshkimin e atyre që kryejnë sulme ose kërcënime ndaj gazetarëve. Ka pasur raste kur gjykatat një kërcënim të gazetarëve e kanë gjykuar vetëm me
gjoba prej 200 eurove. Mendoj se politika e ndëshkimeve ndaj sulmeve të gazetarëve duhet ndërruar. Njëjtë si duhet të ndërrohet edhe forma dhe reagimi i institucioneve, për shkak se një rast i kërcënimit të gazetarëve merr vite e vite, për të mos thënë se shkon deri në 5-6 vjet të trajtohet prej gjykatave dhe të marrë një epilog përfundimtar.”

Për fund, ai shpreh mendimin e tij lidhur me vështirësitë e gazetarëve në hulumtimin dhe raportimin e rasteve të korrupsionit.

“Ekzistojnë një varg prej tyre, të cilat kisha dashur t’i listoj. Çështja e parë është moszbatimi i ligjit për qasje në dokumente publike dhe kjo ka bërë që gazetarët të kenë vështirësi të sigurojnë prova që hulumtimet e tyre të jenë të sakta dhe të kenë bazë ligjore. Shumë raste të korrupsionit nuk zbatohen, për shkak se institucionet nuk ofrojnë qasje në dokumente publike.

Problemi tjetër është fakti që në Kosovë është shumë vështirë të binden njerëzit të flasin dhe të raportojnë korrupsionin, për shkak se pasojat tutje për ta janë të mëdha, e nëse veç vendosin ta denoncojnë një rast të korrupsionit, atëherë do të etiketohen si njerëz spiunë dhe që janë vënë kundër kauzës së njerëzve, të cilët kanë vendosur ta çojnë përpara dhe ta shtyjnë korrupsionin.”

Në një deklaratë në osc.org Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, është shprehur se për fat të keq, disa nga autorët e raportimeve hulumtuese kanë qenë në shënjestër, disa herë me emër, disa herë me insinuatë, të fushatave të njollosjes, etiketimit si tradhtarë dhe spiunë që ndjekin agjenda të huaja. Disa objekte të mediave janë vandalizuar dhe disa gazetarë janë sulmuar fizikisht, madje edhe në pikë të ditës. Ndonëse këto mund të mos jenë ngjarje të përditshme, akuzat e rreme e pengojnë punën e gazetarëve dhe mediave dhe përfundimisht janë të dëmshme për informacionin që publiku i larmishëm kosovar pranon. Për shkak të raportimit të tyre hulumtues, disa gazetare gra gjithashtu kanë qenë subjekt i kërcënimeve, kanosjeve dhe ngacmimeve, përfshirë anëtarët e tyre të familjes. Ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë rreziqet
me të cilat përballen gazetaret gra, të vlerësojmë natyrën dhe shpeshtësinë e këtyre llojeve të krimeve dhe të ofrojmë sugjerime për të siguruar një ambient të sigurt pune për gratë në media.

Saranda Ramaj, gazetare në Koha, tregon për KosovaLive raportimet që ka bërë për rastet që lidheshin me keqpërdorimin e parasë publike.

“Siguria e gazetarëve që raportojnë për korrupsion nuk është në nivelin e duhur, ajo cenohet në disa forma, fillimisht me mirëqenien e tyre fizike. Formë tjetër është tendenca për të nënshtruar gazetarët përmes favoreve që mund të jenë edhe të jashtëligjshme. Bizneset ose zyrtarët publikë, për të cilët gazetarët hulumtues raportojnë, janë të prirë që të tentojnë tu ofrojnë favore gazetarëve në mënyrë që të komprometojnë raportimin profesional. Forma e
tretë, e që për mua është shumë shqetësuese, është linçimi i gazetarëve. Pra, pasi dështojnë të frikësojnë dhe të korruptojnë të njëjtit njerëz, provojnë që tu prijnë fushatave kundër gazetarëve, gjë që është e rrezikshme, për shkak që padrejtësisht mund të ndikojë në kredibilitetin e gazetarëve. Janë katër raste kur unë kam denoncuar në polici persona të ndryshëm. Nuk jam ndier e frikësuar, për shkak se ditën që kam zgjedhur këtë profesion kam pasur parasysh pasojat. Të gjitha rastet e kërcënimeve, presioneve apo shantazheve lidhen me punën time hulumtuese në grupin ‘Koha’. Hulumtimet kishin të bëjnë me paranë publike keqpërdorimin e saj ose me keqpërdorim të detyrës zyrtare prej njerëzve që janë të thirrur ta mbrojnë interesin publik.”

Ramaj thotë se përkundër asaj që ka përjetuar “falë” profesionit të saj, kjo nuk e ka dekurajuar të vazhdojë me punën.

“Rasti i ‘vizitës’ së Ejup Simmices në shtëpinë e prindërve të mi, në të cilën unë nuk jetoj, ka qenë një nga përvojat më të vështira për mua si gazetare, fillimisht sepse prindërit i takojnë moshës së vjetër dhe është problematike për shëndetin e tyre të pranojnë të tilla vizita, por edhe për faktin se si një zyrtar publik merr guximin që të shkojë aq larg në raport me një gazetare. Ky rast më ka bërë të ndihem shumë keq për shkak se e kam parë në praktikë se si puna ime, padrejtësisht mund ta prekë edhe familjen time. Megjithatë, situata të tilla nuk më kanë shtyer ta lë këtë profesion. Gazetaria hulumtuese është e vështirë, megjithatë gazetarët nuk guxojnë të dekurajohen. Roli i gazetarisë së mirëfilltë del në pah vetëm nga gazetarët e ndershëm, me integritet e të cilët nuk dorëzohen karshi sulmeve që ju bëhen”.

Përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) flasin për gjendjen e sigurisë së gazetarëve në rastet e raportimit të korrupsionit dhe numrin e gazetarëve të kërcënuar.

“Në kohën kur po flasim, fenomeni më problematik për tu raportuar nga gazetarët është pikërisht korrupsioni. Njerëz me fuqi politike, biznese apo edhe grupe të ndryshme interesi, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shumë media, kryesisht në ato të platformave online, të cilat i shfrytëzojnë për kundërpërgjigje në rastet e paraqitjes nga gazetarët të ndonjë rasti korruptiv. Kështu, zhvillimet teknologjike, aq sa e kanë lehtësuar raportimin e korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative, po aq edhe e kanë sfiduar gazetarinë e mirëfilltë. Në anën tjetër, fenomeni i vetëcenzurës në raste të caktuara është mjaft i shprehur në gazetarinë kosovare, gjithnjë duke marrë parasysh pamundësinë e gazetarëve për të punuar lirshëm, jo vetëm nga presioni politik dhe nga grupet e ndryshme të interesit, por në radhë të parë edhe nga vetë pronarët e mediave, të cilët janë të varur në masë të madhe nga financimi, qoftë nga politika apo nga biznese të fuqishme të vendit.

AGK-ja i cilëson edhe kushtet ekonomike dhe varësinë e gazetarëve ndaj punëdhënësit, si faktorë që ndikojnë në qasjen e tyre ndaj së vërtetës dhe raportimit objektiv.

“Në rastin e Kosovës vështirësitë janë edhe më të mëdha, sepse kushtet e punës së gazetarëve dhe pagat janë poshtë nivelit të mesatares. Këto rrethana, i bëjnë gazetarët të gjenden në situata të pavolitshme për të paraqitur të vërtetën. Në përgjithësi, kohëve të fundit, janë mbi 20 raste të raportuara në polici, të cilat kanë të bëjnë me forma të ndryshme të pengimit të gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre. Sido që të jetë, gjendja është tejet serioze dhe si organizatë që mbrojmë të drejtat e gazetarëve, kjo na shqetëson shumë. AGK-ja përmes bashkëpunimit me institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, angazhimit në mbrojtjen publike të të drejtave të gazetarëve, si dhe përmes implementimit të projekteve të ndryshme, sidomos në vitin e fundit, ka bërë një progres të shtuar në mbrojtje të lirisë së shprehjes së gazetarëve. AGK-ja së shpejti do të fillojë së implementuari një projekt, i cili siguron konsultime falas ligjore për gazetarët rreth çfarëdo padrejtësie me të cilën ballafaqohen ata. Përmes saj do të sigurohet mbrojtja ligjore falas të paktën për dy raste të gazetarëve, meqë ashtu e parasheh projekti në fjalë.”

Ata thonë se kanë kërkuar mbrojtje ligjore falas nga Oda e Avokatëve të Kosovës për gazetarët që kanë raste të hapura të pengimit në çfarëdo forme të realizimit të detyrës.

“Ndonëse ka mbi 6 muaj që kemi kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës mbrojtje ligjore falas për gazetarët, ende nuk e kemi një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje. Besojmë që në muajt vijues mund ta finalizojmë edhe atë marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që kolegët tanë të mos e kenë edhe barrën e kostos së lartë financiare kur vendosin ta ndjekin ligjërisht të drejtën e tyre.”

AGK-ja shprehet e pakënaqur edhe me trajtimin e rasteve të raportuara. Madje ata thonë se ka rënë edhe numri i rasteve të raportuara, për shkak të humbjes së besimit në drejtësi nga ana e gazetarëve.

“Padiskutim që nuk jemi të kënaqur. Nëse edhe një rast i vetëm i kërcënimit, shantazhit apo sulmit ndaj gazetarëve mbetet i pandriçuar, ne nuk mund të jemi të kënaqur, lëre më që vazhdojnë të jenë mbi dhjetëra raste të gazetarëve të pazbardhura. Çfarë është edhe më dekurajuese është fakti që ka gazetarë, të cilët si rrjedhojë e humbjes së besimit në organe të rendit dhe të drejtësisë nuk i lajmërojnë fare kërcënimet, sulmet apo shantazhet që u bëhen.Për më tepër, edhe nëse rastet ndriçohen dhe hetohen, ndëshkimet janë qesharake. Si emergjente shihet ndryshimi i politikave ndëshkimore kur në pyetje janë kërcënimet, sulmet apo shantazhet ndaj gazetarëve. Se ndëshkimet janë tepër të ulëta, e pranojnë edhe vetë përfaqësues të organeve të drejtësisë, mirëpo fatkeqësisht asnjë masë nuk ndërmerret”, shpreh shqetësimin AGK-ja.

Zyrtarë nga Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës flasin për gjendjen e sigurisë dhe për numrin e gazetarëve të kërcënuar e të sulmuar fizikisht në dy vitet e fundit 2018– 2019.

Policia e Kosovës në bazë të detyrave dhe autorizimeve të saj, mbron jetën, pronën e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe ofron siguri për të gjithë personat. Në këtë rast, policia e Kosovës ka bërë një hap të rëndësishëm dhe nga viti 2018 ka transferuar të gjitha rastet e gazetarëve dhe mediumeve, të cilat lidhen me detyrën e tyre zyrtare, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë.”

Sipas tyre, secili gazetar apo medium në tërë territorin e Republikës së Kosovës mund të raportojë në statcionin më të afërt rastin që mund të ketë ndodhur ndaj tij dhe për rastin njoftohet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, e cila fillon menjëherë trajtimin e tij në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë kompetente. Policia e Kosovës në vitin 2018 ka regjistruar 11 raste ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2019 deri në këtë fazë ka regjistruar 9 raste. Të gjitha rastet janë dërguar në prokuroritë kompetente me kryes të njohur.

Për vitet 2018 dhe 2019, policia thotë se nuk ka pranuar asnjë rast të kanosjes apo sulmit të gazetarëve që është me motiv për shkak të raportimit të rasteve të korrupsionit. Sipas burimeve nga kjo zyrë, policia është duke punuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të rasteve ndaj gazetarëve dhe sapo të sigurojë informacione lidhur me kryesit e këtyre rasteve, do t’i procedojë në prokurori.

“Masat që ka ndërmarrë policia e Kosovës, kanë ndikuar pozitivisht në rënien e rasteve të sulmeve dhe kanosjeve ndaj gazetarëve në Republikën e Kosovës, krahasuar me statistikat e viteve të kaluara. Sapo të merret informacion apo të raportohet ndonjë rast i kanosjes apo sulmit ndaj gazetarëve, ne ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta identifikuar të dyshuarin dhe për t’i proceduar më tutje në Prokurori. Policia e Kosovës ka mekanizmat e brendshëm që bëjnë vlerësimin e rrezikshmërisë së jetës për raste të caktuara dhe në këtë rast edhe për rastin e gazetarëve dhe varësisht nga vlerësimi, merr masat adekuate për ofrimin e sigurisë personave ose gazetarëve dhe familjarëve të tyre. Bashkëpunimi i ngushtë në mes të policisë dhe gazetarëve, ka ndikuar në rënien drastike të rasteve të kanosjeve dhe sulmeve  në vitin 2018 dhe 2019”, thonë ata në intervistën e dhënë për KosovaLive.

Raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” 2018, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës AGK-ja tregon se sa i përket sigurisë së gazetarëve, gazetarët hulumtues janë më të kërcënuarit, për shkak të hulumtimeve të tyre. Kërcënimet vijnë që prej zyrtarëve të lartë shtetërorë e deri të qytetarët e rëndomtë. Në bazë të këtij raporti, disa politikanë dhe institucione shtetërore shpesh dënojnë sulmet ndaj gazetarëve në deklaratat e tyre publike, por ende nuk i njohin mjaft këto sulme si një shkelje të lirisë së shprehjes. Sulme të tilla njihen si një shkelje e lirisë së shprehjes në reagimet publike të Avokatit të Popullit për të Drejtat e Njeriut. Numri i rasteve të pazgjidhura të dhunës apo kërcënimeve është ende shumë i madh, ndërsa disa raste tashmë janë të vjetra.

Besmire Kluna

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM