Në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës aktivistët e shoqërisë civile kanë organizuar një protestë kundër profesor Ardian Kastratit për arsye se po akuzohet për gjuhë seksiste ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” njofton se ka ndjekur me shqetësim situatën e krijuar si pasojë e një shkrimi të publikuar në llogarinë në facebook nga Ardian Kastrati, profesor asistent në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Universiteti i Prishtinës ka mirëpritur krijimin e institucioneve të reja dhe shpreson në stabilizimin e rrethanave politike në vend.
Por, në situatën e krijuar nga rasti i lartpërmendur, UP-ja njofton opinionin që, si institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, kërkon nga personeli i tij, që pavarësisht institucionit ku janë të angazhuar, me sjelljet, qëndrimet dhe deklaratat e tyre, të ruajnë imazhin e UP-së.
Në këto rrethana, UP-ja distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit si dhe dënon fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.
Në suazat e përgjegjësive të veta statutare, UP-ja, në ditët në vijim, do ta trajtojë rastin në fjalë, në përputhje edhe me ligjet në fuqi thuhet në faqen zyrtare të UP-së.