Build Skills with our trainings

Sign up now!

Presidenti Macron konfirmon mbështetjen e Francës për shtetin e së drejtës, sigurinë dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Qer 23, 2021

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti u prit sot në Pallatin Elysée nga Presidenti i Republikës franceze Emmanuel Macron.

Kryeministri Kurti e falënderoi presidentin Macron për mbështetjen e rëndësishme që Franca i ka dhënë Kosovës gjatë më shumë se dy dekadave.

Gjatë takimit të ngrohtë i cili përfundoi me një tête-à-tête ndërmjet dy udhëheqësve u diskutua bashkëpunimi bilateral, përfshirë potenciali ekonomik dhe hapësira për kompanitë franceze për investime në Kosovë, me theks përfshirjen e mërgatës sonë.

U diskutua edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe përparësitë e një qasje konstruktive nga të dyja palët.

Takimit i parapriu takimi ndërmjet dy Ministrave të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Gérald Darmanin, gjatë të cilit takim Ministri Sveçla ritheksoi se janë plotësuar kriteret për liberalizim të vizave dhe se ka rënie drastike viteve të fundit dhe në fushën e migrimit. Dy ministrat u pajtuan ta vazhdojnë dhe thellojnë bashkëpunimin konkret në disa fusha, me qëllim të rritjes së sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Para takimit të dy liderët kanë dhënë nga një deklaratë për media. Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Francës, për drejtësinë e lartë që vendosi në kuadrin e Aleancës Veriatlantike për t’i dhënë fund një regjimi shovinist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe me gjenocid mbi civilët.

Ai tha se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjatë dhe të konceptuar drejtë. Kryeministri ritheksoi se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me të gjitha mundësitë edhe në rajon, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.

 

I nderuari zoti President,

 

Ndjehem i privilegjuar të jem këtu me ju, Presidentin e një shteti të fuqishëm e me histori shumë dimensionale të pranisë në Evropën dhe botën tonë.

 

Është pra privilegj dhe përgjegjësi për mua si kryeministër i shtetit më të ri të Evropës, të jem përpara pallatit presidencial francez, për t’ju garantuar se Kosova do të jetë gjithnjë me aspiratat evropiane dhe demokratike.

 

I nderuari zoti President,

 

Duhet të ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen time dhe të popullit të Kosovës për drejtësinë e lartë që vendosët në kuadrin e Aleancës veri-atlantike, për t’i dhënë fund një regjimi shovenist që synonte territore me çdo kusht, qoftë edhe gjenocid mbi civilët.

 

Ne jemi të ndërgjegjshëm se pas rënies së Murit të Berlinit konfliktet nën federatat arbitrare do të binin mbi popuj që dilnin prej kampit komunist, si popuj të nënpërfaqësuar dhe populli më i nënpërfaqësuar në Ballkan ishim ne.

 

Ne besojmë se cilësia e përfaqësimit të një populli nuk duhet të merret peng nga gjendja që krijon një rrethanë e padrejtë historike. Ne besojmë se Evropa është bashkimi më i mirë për të hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konsoliduar drejtë.

 

Tanimë realiteti i ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj zoti President se ne po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel, sidomos me ardhjen e presidentit amerikan dhe bisedat që pati me udhëheqësit e shteteve evropiane, me udhëheqësit e Evropës apo edhe më gjerë.

 

Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet. Një situatë e menduar më mirë, me pjesëmarrje më të artikuluara, më të drejtpeshuara dhe me një besim më të lartë. Dhe në një situatë të tillë, ne do të kontribuojmë me të gjitha mundësitë tona edhe në rajon, me marrëdhënie të mira miqësore edhe drejt perspektivës dhe integrimeve evropiane.

 

Zoti President,

 

Ndihem i nderuar që do të kem mundësinë të flas me ju, përfaqësuesin më të lartë të popullit francez mbi zhvillimet e Kosovës dhe mbi angazhimet tona qeveritare.

 

Sado i vogël shteti ynë, ai ka për mision të organizojë ndërtimin e vet të plotë institucional, shtetin e së drejtës dhe lirinë e mendimit me të njëjtën cilësi sa edhe shtetet e mëdha e historike, mes të cilëve një prej modeleve më të mirë është Franca.

 

Linjat e veprimit qeveritar kanë të njëjtën larmi në Kosovën e vogël, sa edhe shtetet dhjetëra milionëshe. Numri i talenteve që gëzon dhe duhet të zhvillojë një shoqëri janë po aq të larmishëm, sa edhe një shoqëri që ka punuar pandërprerje nëpër shekuj. Për këtë jam angazhuar si kryeministër, për këtë jemi angazhuar si qeveri, për demokracinë dhe drejtësinë, për paqen dhe mirëqenien, për integrimin dhe zhvillimin.

 

I nderuar zoti President,

 

Ju jeni një prej shteteve që na njohët të parët si subjektivitet politik sovran. Ka ardhur koha që ne të bëjmë të njohur për ju objektivisht aftësitë tona si shoqëri e Kosovës në zhvillim dhe ekonomi. Agjencia Franceze për Zhvillim mund të të jetë një bashkëpunëtor dhe adresë e mirë për përdorimin e inteligjencës dhe vullnetit të njerëzve tanë në Kosovë. Nuk ka asnjë fushë ku Kosova nuk mund të përfitojë nga shkalla e lartë e zhvillimit intelektual, kulturor dhe shkencor e kombit tuaj.

Unë shpresoj shumë nga biseda me ju dhe ju ftoj ta vizitoni vendin tonë, Republikën e Kosovës.

 

Ju faleminderit shumë. Merci beaucoup, monsieur le Président. ​

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM