Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot, me rastin e festës së Kurban Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).
Gjatë takimit me myftiun Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të Bashkësisë Islame, kryekuvendari Konjufca tha se vizita të tilla si kjo, nga ana e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, janë shumë të rëndësishme, ngase, siç tha ai, ato tashmë janë tradicionale dhe se kjo traditë duhet të vazhdojë.
Duke e vlerësuar lart rolin e Bashkësia Islame të Kosovës në organizimin e jetës fetare islame në vendin tonë, Konjufca tha se festa e Bajramit sjell në mendje atë kategori të shoqërisë e cila ka nevojë për mirëqenie më të madhe ekonomike.
“Edhe njëherë risollëm në vëmendje mesazin dhe porosinë e shenjtë që e mban kjo festë e rëndësishme, festë e solidaritetit, e mbështetjes së njëri-tjetrit dhe e sakrifikës, por e sakrificës për të mirën e përgjithshme. Pra e një sakrifice, duke na bërë të vetëdijshëm se nëse vetëm disa kanë shumë e janë mirë, në të vërtetë asnjëri nuk ka dhe asnjëri nuk është mirë”, theksoi kryekuvendari Konjufca.
Duke uruar qytetarët e Kosovës për këtë festë, kreu i Kuvendit tha se porosia që përmban Kurban Bajrami është se të gjithë duhet bashkëpunuar dhe qëndruar afër njëri-tjetrit, duke i ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë.
“Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë e ka kultivuar këtë frymë në popullin tonë, të cilën ne e çmojmë dhe e vlerësojmë shumë”, theksoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.