Build Skills with our trainings

Sign up now!

Librat shkollor me paragjykime e diskriminime

Gus 18, 2021

Rina Krasniqi këtë vit ka mbaruar klasën e 11-të në Gjimnazin Shoqëror në Podujevë. Gjatë shfletimit të librave të vitit shkollor 2020/2021 kishte hasur paragjykime në librin e Biologjisë,  ajo kishte mësuar se si fëmijët me Sindromen Down ashtuquhen “Idiotia Mongoloide”.

“Në mësojmë vazhdimisht koncepte e terma të cilat nuk përkojnë asgjë me atë që është në të vërtetë, në librat që ne lexojmë gjëra të cilat janë me përmbajtje paragjykuese e diskriminuese duke filluar nga libri i Biologjisë i klasës së 11, pra është e papranueshme që të mësojmë dhe ta zhvillojmë personalitetin tonë me terme të gabuara, duke i quajtur fëmijët me “Sindrom Down”,  Idiotia Mongoloide, thotë nxënësja Rina Krasniqi.

Teksti shkollor ”Biologjia” i quan ”idiotë”, ”mongoloidë” dhe që ”jetojnë 10-16 vjet” personat me sindromin Down.

Teksti shkollor ”Biologjia” i quan ”idiotë”, ”mongoloidë” dhe që ”jetojnë 10-16 vjet” personat me sindromin Down.

Po për të njëjtin libër shkollor ka reaguar edhe sociologu Labinot Kunushevci, që sipas tij në librin e Biologjisë ka përmbajtje të pasaktë dhe jorelevante, fyese dhe johumane, primitive dhe të vjetruar, që nuk korrespondon me studimet dhe gjetjet e reja shkencore për sindromin Down. Sipas tij, qasja e përdorur në artikulimin e problemit është qasje primitive dhe raciste që përdorë klasifikimin etnik ”mongoloidë” dhe atë të aftësive më të ulëta psikologjike ”idiotë” që nuk korrespondojnë me karakteristikat moderne të personave me sindromin Down.

Konushevci në një intervistë për KosovaLive shprehet i pakënaqur me librat shkollor e sidomos të drejtimeve natyror dhe shoqëror.

“Gabimet më të mëdha, përmbajtësore shkencore dhe logjike, kryesisht gjenden në tekste të lëndëve shoqërore dhe natyrore. Ato përmbajnë shumë pasaktësi shkencore, versione të vjetruara shkencore, paragjykime dhe stereotipe, fyerje dhe gjuhë vulgare, diskriminime, mungesë të qasjes humane, socio-kulturore, multidimensionale dhe multidisiplinare. Të shpjeguara jashtë konteksteve specifike, duke injoruar shumë rrethana, fakte e faktorë.” ka theksuar Labinot Konushevci, sociolog.

Meqenëse përmbajtjet e materialeve shkollore janë stereotipizuese,  rishikimin e dokumenteve kryesore të arsimit po e sheh të nevojshme edhe Arlinda Beka, mësimdhënëse në Fakultetin e  Edukimit.

“Hartimi i dokumenteve kurrikulare duhet të bëhet nga grupe të ekspertëve të fushave të ndryshme, në mënyrë që të parashikohen me saktësi të gjitha njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat që duhet t’i zotërojnë gjeneratat e reja. Në vendin tonë, duke filluar nga hartimi i dokumentit të parë kurrikular (2001) dhe Kurrikulat e vitit 2011, hartimi i këtyre dokumenteve nuk është bërë mbi bazat e vlerësimit të sistemit të arsimit por kanë qenë ngushtë të lidhura me ndryshimet politike të vendit”,shprehet Beka në një intervistë për KosovaLive.

Sipas saj përmbajtja e librit duhet të shikohet nga ekspertët e fushave  të ndryshme dhe para se të shpërndahet tek nxënësit duhet të rishikohet edhe nga recensentë të fushave përkatëse. Në vendin tonë çdo tekst ka recensentë, por asnjëherë nuk e kam dëgjuar ndonjë deklaratë të tyre lidhur me gabimet e theksuara që janë identifikuar nëpër tekste.

Nga Instituti EdGuard, drejtor ekzekutiv, Rinor Qehaja, shprehet se në përgjithësi të gjitha tekstet shkollore mungojnë në cilësi dhe në veçanti në përshtatje me kurrikulë dhe kjo është evidente për të gjitha tekstet shkollore pa përjashtim.

MASHTI duhet të përditësoj legjislacionin për tekste shkollore, të garantoj transparencë dhe meritokraci në përzgjedhje, të largoj pronësinë e procesit nga shtëpitë botuese, të përkrah me ngritje të kapaciteteve autorët dhe recensentët, dhe mbi të gjitha të përgatis rrugëtimin për tekste shkollore të përkthyera”, theksoi Qehaja.

Nga ana tjetër këto paragjykime e diskriminime nuk janë të pranishme vetëm në librat e shkollave të mesme por më to përballen edhe nxënësit e shkollave fillore. Qindra nxënës në Kosovë  të shkollave fillore mësojnë si duhet ta vlerësosh tjetrin në bazë të gjinisë.

Mësimdhënsia e shkollës fillore në Podujevë Fatmire Gashi shprehet se këto ndarje që bëhën ndërmjet këtyre teksteve ndikojnë në mënyrën e të menduarit kritik të fëmijëve.

Në po këtë vit që lamë pas e kemi diskutuar në klasë njësinë mësimore “Djali është djalë”, në librin e Leximit të klasës së katërt, në faqen 235. Tekstet shkollore duhet të ndërrohen sepse këto tekste shpërfaqin diskriminim gjinor dhe përhapin sterotipet gjinore në klasë e më gjerë, poashtu ndryshojnë perceptimet e fëmijëve mbi një dukuri të caktuar”, ka thënë ajo.

Teksti shkollor ”Leximi”, fq 235 diskriminon vajzat me titullin “DJALI ËSHTË DJALË” Teksti shkollor ”Leximi”, fq 235 diskriminon vajzat me titullin “DJALI ËSHTË DJALË”

Kurse nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur për KosovaLive se këtë vit nxënësit do të mund të mësojnë nga librat e rinj për klasat 3,8 dhe për klasën e 12.

“Ju njoftojmë se nga viti shkollor 2021/2022 do të hyjnë në fuqi tekstet e reja për klasat 3, 8 dhe 12 të cilat janë në proces të vlerësimit. Në fund të vitit parashihet të miratohet edhe Ligji i ri për tekste shkollore dhe më pas do të vazhdohet me botimin e teksteve të reja edhe për klasat tjera”,tregojnë nga MASHTI.

Tutje nga ky institucion kanë bërë të ditur për KosovaLive se nga ky vit do të hyjnë në përdorim edhe tekstet alternativ ashtu siç e parasheh ligji. Sipas tyre këto tekste janë miratuar para dy vitesh por nuk është zbatuar ligji për këto materiale mësimore i cili thekson se recensentët mund të propozojnë një ose më tepër dorëshkrime për botim, duke siguruar burime alternative të informacionit dhe duke u ofruar shkollave mundësinë e zgjedhjes së lirë nga mësimdhënësit të tekstit që dëshirojnë të përdorin prandaj deri tash këto tekste nuk kanë qenë në përdorim.

Ndërsa ligji për botimin e tekste shkollore në Kosovë daton që nga  29 qershorit të vitit 2006 dhe ka hyrë në fuqi me 1 shkurti të vitit 2007. Në këtë ligj thuhet se teksti shkollor është i hartuar në bazë të planit dhe programit mësimor dhe i formësuar në pikëpamje didaktike, duke marrë parasysh aftësitë psikofizike të nxënësve dhe veçoritë e lëndës mësimore.

Valona Hasani

Gazetaria e Paqes në mes të Rinjve Kosovar mbështetet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), e financuar nga USAID dhe implementuar nga Rinia Aktive e Graçanicës dhe KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM