Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dr. Dafina Gexha, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë mbajtur sot një takim virtual me kryetarët e Komunave të Republikës së Kosovës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional në përballjen me pandeminë Covid-19.
Ministrja Gexha i informoi kryetarët e komunave për gjendjen e përditësuar epidemiologjike dhe rrjedhën e procesit të vaksinimit.
Ministrja Gexha dhe ministri Krasniqi, falënderuan kryetarët e komunave për bashkëpunimin duke pas parasysh se përballja me pandeminë COVID – 19, kërkon përkushtimin e të gjithëve në kapacitete maksimale.
Gjithashtu në përputhje me rekomandimet e IKShPK-së dhe ekspertëve shëndetësor, u theksua se sipas analizës epidemiologjike, do të merren masat e nevojshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, thuhet në komunikatën për media e MSh-së.




