Build Skills with our trainings

Sign up now!

Presidentja Osmani: Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe ende janë të hapura

Mar 26, 2023

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, në 24 vjetorin e masakrave të kryera në këto fshatra.

Presidentja Osmani ka thënë se është vështirë të gjenden fjalë për të përshkruar dhembjen që e kaplon gjithë popullin e Kosovës, por në veçanti familjet e Krushës së Madhe dhe të fshatrave përreth ku sikurse çdo vit ne i përkujtojmë 241 burra e djem, 7 fëmijë e 5 gra, në mesin e të cilave njëra shtatzënë, të vrarë mizorisht në mënyrë më makabre nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Teksa kujtojmë këtë ditë tmerri, plagët e Krushës së Madhe ende janë të hapura.

Osmani tha se prej më tepër se njëzetë vjetësh, fati i intelektualit Ukshin Hoti ende mbetet i pazbardhur, i tillë mbetet edhe fati i 64 banorëve të Krushës së Madhe, të cilët ende figurojnë në listat e të zhdukurve me dhunë, zemrat e copëtuara të nënave, të grave, të motrave e të fëmijëve të krushjanëve ende kërkojnë drejtësinë e munguar.

Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen njësoj sikurse edhe gjenocidi që kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, ndaj sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i patriotit të madh Ukshin Hotit dhe i të gjithë krushjanëve të tjerë të zbardhet, thuhet në faqen zyrtare të Presidentes.

 

Asnjëherë nuk duhet të heshtim, e as të dorëzohemi, ngase besojmë ende se shpirti human i botës demokratike nuk do të hesht në kërkim të drejtësisë për jetërat e pafajshme dhe familjarët e tyre të mbijetuar vetëm fizikisht, por me shpirt, me mendje e me zemër të dërmuar nga dhimbja e nga trishtimi i vazhdueshëm.

Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën e cila po tentohet të tjetërsohet, dhe për ta vendosur drejtësinë.

Ne vërtetë jemi të përkushtuar për paqen, por ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme, që ta mbrojmë të vërtetën e patjetërsueshme. Dhe e vërteta është një, e vetëm një. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia kreu gjenocid mbi popullin tonë.

Këtë borxh e kemi ndaj lirisë e ndaj paqes, të cilat qëndrojnë mbi fatin e dhimbshëm të viktimave të Krushës dhe mijëra viktimave të tjera anekënd Kosovës.

Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës sonë.

Por, fatkeqësisht rrëfimi për Krushën e Madhe ende nuk ka mbaruar.

Na duhet ende punë që krushjanët dhe të gjithë qytetarët tanë ta gjejnë paqen.

Ideja e intelektualit Ukshin Hoti për lirinë, republikën dhe demokracinë ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Pra, na mbetet ta shlyejmë borxhin edhe ndaj tij.

Nuk mund të ketë paqe e stabilitet në rajon pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, sikurse edhe pa vënien e autorëve para drejtësisë.

Të vërtetën për Krushën, të zhdukurit me dhunë dhe masakrat e tjera gjithandej Kosovës do ta mbrojmë me vendosmëri e do ta themi kudo e kurdo, e do ta bartim ndër breza.

Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.

 

Të nderuar banorë të Krushës,

Të dashura familje,

Ky përvjetor përkon edhe me fillimin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë, e cila këtu dëshmohet më shumë se çdokund tjetër se sa e drejtë dhe e domosdoshme ka qenë.

Heroizmi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihma nga Aleanca Veri-Atlantike e bën të mundshme realizimin e ëndrrës së shumë brezave për liri e për shtet.

Sot Krusha frymon lirshëm sikurse e gjithë Kosova, por me plagë akoma të hapura. Liria ishte synimi i djemve e vajzave të UÇK-së, ndaj përulemi para sakrificës, vetëmohimit dhe guximit të gjithsecilit prej tyre. Siç dëshmuan ata në luftë, ju dëshmuat me kurajon tuaj, duke e ribërë e ringjallur Krushën, duke i dhënë jetë fshatit dhe duke dëshmuar motiv për secilin që ka pësuar nga lufta.

Sot Krusha ruan në vete dy kujtime: atë për tmerrin e përjetuar më 26 mars ‘99, por edhe rrëfimin e besimit, vullnetit dhe të së ardhmes.

Gratë e Krushës tashmë janë bërë personifikim i guximit, sakrificës dhe forcës duke e shndërruar dhimbjen në forcë për të tashmen dhe të ardhmen.

Ato janë motiv për të ecur përpara. Rrëfimi jetësor i gjithë grave të Krushës është inspirim për të gjithë ne. Është e vërteta juaj, por edhe e vërteta jonë, e mbi të gjitha frymëzim për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Teksa shikojmë përpara, asnjëherë nuk do ta harrojmë të kaluarën, por të përpiqemi ta transformojmë atë në mundësi për brezat e ardhshëm.

 

Ne nuk mund ta ndryshojmë tashmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndryshojmë të ardhmen duke e ndërtuar atë mbi respektin që kemi për të gjithë ata që dhanë jetën për liri!

Krushjanë të nderuar, nderim i jashtëzakonshëm për sakrificën tuaj, qoftë i paharruar kujtimi për të vrarët dhe dëshmorët!

Lavdi gjithë të rënëve!

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM