Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se sot teksa shënohet përvjetori i vdekjes së Adem Demaçit, është e pamundur të mos kujtojmë figurën e tij të një personaliteti të papërsëritshëm, kontributi i të cilit tejkalon suazat e letërsisë. Përtej shkrimeve e ideve atdhetare këmbëngulësia në luftë kundër regjimit serb, në mbrojtje të së drejtës, barazisë, për liri e pavarësi janë shëmbëlltyrë e një figure stoike që angazhimin e tij politik e shihte si mjet e domosdoshmëri për t’i shërbyer kauzës kombëtare, njerëzore, përtej vetes për popullin, pavarësisht pasojave dhe vuajteve personale.
Mehaj në postimin e tij në Facebook ka thënë se Adem Demaçi “Mandela i Ballkanit” që dëshmoi ndërkombëtarisht padrejtësinë që po i bëhej shqiptarëve, ishte prijësi dhe më largpamësi ndër nesh, që e kuptoi me kohë se vetëm liria e fituar me luftë nuk mund të tjetërsohet dhe se nënshtrimi asnjëherë nuk duhet të jetë opsion.
28 vitet e qëndrimit në burg në asnjë formë nuk arritën ta ndalnin mendimin e tij kritik, dhe as rrugëtimin e tij që do mbetet gjithmonë shembull ndër breza.
Baca Adem është themeli i shtetit tonë të pavarur, emblema politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, intelektuali që pavarësisht mosprezencës fizike është përkujtuesi i përjetshëm i destinacionit final, të ardhmes tonë si shtet e komb.
Lavdi për luftëtarin bindjet e të cilit nuk ia mdryshoi asnjëherë as koha dhe as mosha!