Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar.
Çeku në postimin e tij në Facebook ka thënë se në marrëveshjen me kryetarin Alban Hyseni, zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit dhe se procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë.
Planifikimi i duhur është thelbësor për suksesin e çdo projekti dhe këtë e kemi bërë me Stadiumin e Gjilanit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me secilin projekt infrastrukturor që e fillojmë. Kështu po sigurohemi se ajo çfarë ka ndodhur në qeverisjet e kaluara të mos përsëritet më.
Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal.
Me vendosmëri po e realizojmë planin investiv për Lojërat Mesdhetare 2030. Po krijojmë një të ardhme më të mirë për sportin!






