Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një përmbushje profesionale e arritur përkundër fatit të ndryshuar jetësor

Dhj 11, 2015

Kur u shkrua së pari herë për Lumnije Berishën, nëntorin e vitit 2013, rrjetet sociale e televizionet u mbushën me historinë e vajzës së verbër që po ndiqte vitin e parë të studimeve në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se pasi u bë personazh i mediave për ca ditë, të gjithë e njihnin në rrugë dhe studentë të shumtë vinin për ta takuar në fakultet.

Historia e Lumës që kishte humbur të pamurit në moshën 3 vjeç e gjysmë, si pasojë e një aksidenti, që ia kishte ndryshuar përgjithnjë jetën jo vetëm saj por edhe nënë Nurie, për ca ditë mori vëmendjen dhe admirimin e secilit.

Lumja sot është absolvente në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Tri vite ardhje – vajtje me dorën në krahun e nënës, Lumja akoma udhëhiqet prej zërit të nënës që ia tregon shkallët ku duhet të ecën dhe fjalët që duhet t’i shkruajë.

Në ndërkohë, Lumja vazhdon ta udhëheqë emisionin “Për një botë më të mirë” në Radio Kosovë. Përvec përmbushjes profesionale, këto vite e kanë përmbushur edhe si njeri. Por, pak është bërë për t’i ndihmuar asaj financiarisht apo me literaturën që i duhet.

Për të qenë në hap me studentët e tjerë, Lumës i duhet të qëndrojë akoma deri pas mesnate për t’i shkruar në alfabetin Brajl mësimet që ia dikton nëna e saj, e që më pastaj t’i mësojë.  Ajo ka bërë kërkesa të shumta në fakultet e në OJQ–të përkatëse për t’ia siguruar literaturën e nevojshme në alfabetin Brajl, por nuk ka marrë asnjeherë përgjigje pozitive. Edhe pse studimet po përfundojnë, ajo thotë se këmbëngul në këtë kërkesë që fakulteti të pajiset me këtë lloj literature. Kjo në mënyrë që studentë të tjerë sikur ajo të mos zbrapsen nga krijimi i një jete profesionale për shkak të mosinkurajimit.  Zgjidhja më e mirë që ajo ka mundur të bëjë deri tani, është sigurimi i literaturës disa muaj para provimeve dhe shkrimi i tyre në Brajl.

“Makinën e kam që nga shkolla fillore, keshtu që nuk kam kërkuar ndihmë nga institucionet për këtë gjë por sa i përket pajisjes se fakultetit me literatureë përkatese kërkesa kam bërë vazhdimisht, por pa sukses. Pasi që nuk kam hasur në mirekuptim, fjala bie, sepse ligji i obligon, por që nuk zbatohet, nuk dua të flas për këtë.”

Lumja dëshiron që njerëzit ta dinë që nuk është vetëm ajo person me nevoja të veçanta, që studion në Universitetin e Prishtinë. Sipas saj, ka shumë studentë të zellshëm që po përpiqen dhe ballafaqohen me probleme të shumta gjatë rrugës së tyre. Gjatë një mbrëmjeje në një kafene, me fjalët që i ecnin sipër kafesë, më tha se dëshiron të jetë zë i njerëzve me nevoja të veçanta, të cilët për një arsye apo tjetër, nuk mund ta bëjnë vet.

Përkrah saj, ashtu si në ditën e parë që u takuam, nëna Nuria, me flokë pak më të zbardhura thotë se krejt këto vite ia kanë vlejtur meqë Lumja ka vullnet.

“Nëna eshte nje heroinë e vërtetë, pra është gjithçka për mua në jetë. Ajo më ka ndihmuar shumë, por kurrë nga zëri i saj nuk e kam dërguar fjalën ‘jam lodhë’,” thotë Lumja.

E pak me shaka shton se përveç që e shqetëson lodhja e nënës së saj përgjatë këtyre viteve, e shqetëson edhe rreziku që nëna Nurie mund t’ia marrë diplomën, pasi akoma s’kanë rënë dakord se cilës i takon më shumë.

/Gentiana Paçarizi – Vajzë Dëgjohu!/

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM