Build Skills with our trainings

Sign up now!

Numri më alarmant i përdoruesve të marihuanës janë shkollarët e mesëm

Shk 25, 2017

Që nga fillimi i vitit shkollor 2016-2017, Drejtoria Rajonale e Policisë për rajonin e Prishtinës (DRP) ka inicuar gjithsej katër raste për përdorimin apo shpërndarjen e drogave në objektet shkollore dhe ka arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë të mitur. Gjatë këtyre operacioneve janë konfiskuar disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë.

Në po të njëjtën periudhë janë evidentuar tre raste në afërsi të shkollave, me ç’rast po ashtu janë konfiskuar disa qese me narkotikë.

Në qendrën rehabilituese “Labyrinth” në Prishtinë konfirmojnë se ka shumë nxënës të shkollave të mesme që shkojnë dhe kërkojnë trajtim dhe sipas tyre, numri më alarmant i përdoruesve të marihuanës janë nxënës të shkollave të mesme.

“Qasja e lehtë ndaj drogave, dëshira për t`i takuar grupit, dëshira për të qenë ‘in’ dhe presioni i bashkëmoshatarëve janë disa nga arsyet kryesore pse të rinjtë përdorin drogë, ose të paktën një herë e provojnë atë”, thotë Gentiana Kuçi-Tishukaj, psikologe në këtë qendër.

Shumë prindër në kryeqendrën e Kosovës shprehen të shqetësuar me afrimin e kohës kur fëmijët e tyre, pas kryerjes së shkollës fillore, duhet të orientohen në ndonjërën prej shkollave të mesme: një shqetësim të tillë shpesh e shprehin edhe kur është fjala për Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Arsyeja për këtë, gjithsesi, janë edhe thashethënat që qarkullojnë në publik për praninë e drogës në mesin e nxënësve.

Zyrtarët e këtij gjimnazi nuk i fajësojnë prindët për hezitimet dhe shqetësimet e tyre.

“Është e vërtetë se në publik thuhet se po konsumohet droga nëpër shkolla dhe nuk e mohoj një gjë të tillë. Por aq sa na kemi kompetenca, aq sa na jemi të angazhuar për të hetuar rastet gjatë procesit mësimor, nuk ka ndodhur që të gjindet dikush në përdorim të drogave në gjimnazin ‘Sami Frashëri”, thotë drejtori Fetah Zejnullahu.

Sipas tij, gjendja nuk është e tillë sikurse flitet në publik.

Edhe pse mohon rastet e konsumimit të drogës në gjimnazin të cilin e drejton, ai shton se pas çdo pushimi bën kontrolla nëpër banjot e shkollës në mos ka diç të dyshimtë.

Policisë, me ligj, nuk i lejohet kontrolli brenda institucioneve arsimore, mirëpo bashkëpunimi me ta realizohet pas ndonjë hetimi të tyre, që më pastaj përcillet me masa kontrolli nga organet e shkollës.

“Unë monitoroj nëpërmjet kamerave në oborr të shkollës, objektin brenda, kam rojen/sigurimin atje dhe brenda kompetencave shumë jemi të përkushtuar”, thotë ai.

Sa i përket konsumimit të drogës në lokalet në afërsi të shkollës, ai thotë se as shkolla e as policia s’mund të bëjnë shumë dhe se kontrolli i lokaleve e produkteve që shiten në to i tejkalon kompetencat e tyre.

Edhe zëvendës-drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU) “Faik Konica” në Prishtinë, Arsim Gashi, mohon që ndonjë nxënës të jetë zënë duke përdorur apo në posedim të drogës brenda objektit shkollor.

“Për atë çka ndodh jashtë shkolle ne nuk mbajmë përgjegjësi”, thotë ai.

Në qendrën rehabilituese “Labyrinth” në Prishtinë, nga viti 2012 kanë kërkuar ndihmë, të paktën një here, rreth 1300 persona. Mosha mesatare e përdoruesve të marihuanës, sipas tyre, është 16 vjeç, ndërsa tek përdorimi i drogave më të rënda, ku mbizotërojnë kokaina dhe heroina, është 22 vjeç. Rasti më ekstrem i paraqitur për të kërkuar ndihmë në këtë qendër ka qenë i moshës 12 vjeç.

Menaxherja e kësaj qendre, Brikena Krasniqi-Hoti ankohet se qendra nuk ka përkrahje institucionale në aspektin financiar, përveç në zbatimin e aktiviteteve. I vetmi burim financimi për këtë qendër aktualisht është Fondi Global, fond ky i partneritetit mes qeverive, shoqërsië civile, sektorit privat dhe njerëzve të prekur.

Sipas Policisë së Kosovës, në vitin 2016 ka pasur 874 arrestime, janë 198 raste të trafikimit, ndërkohë që janë shënuar 799 raste të posedimit dhe 85 raste të kultivimit të drogave.

Në po të njëjtën periudhë vërehet shtimi në konsumimin e disa drogave, në rend të parë marihuana dhe kokaina.

Liridona Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM