Build Skills with our trainings

Sign up now!

Femrat thonë se në sport i mbajti vullneti por edhe mbështetja e prindërve

Mar 24, 2017

Kaltrina Fejza 21 vjeçare nga Drenasi qe nëntë vjet merret intenzivisht me volejboll. Volejbollin e kishte nisur në shkollën fillore, ku ishte spikatur si lojtare e mirë dhe që aty ishte përcaktuar të merrej me këtë sport edhe profesionalisht.

Ajo sot sheh një rritje të vazhdueshme të integrimit të femrave në sport dhe mendon se Kosova do të ketë një të ardhme të ndritur, me plot talente të reja.

Ishte trajneri i atëhershëm i Klubit Volejbollistik “Gryka”, Sadik Krasniqi i cili, para shtatë vitesh, i kishte ofruar Kaltrinës të bëhet pjesë e këtij ekipi. Kaltrina thotë se asnjëherë nuk i kishte munguar as përkrahja e familjes dhe shoqërisë.

“Do të përmend në veçanti babain tim i cili në çdo moment më ka dhënë vullnet, përkrahje, dashuri pa fund. Kurrë nuk ka munguar në ndeshjet e mia duke brohoritur dhe më mbështetur qoftë në humbje apo fitore. Ai është motivi dhe forca ime, gjithçka për mua”, thotë Kaltrina.

Shqipe Zogiani e cila në vitin 2000 kishte fituar medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Shotokanit në Tokio të Japonisë, dhe ishte shpallur edhe kampione evropiane në Shotokan në vitin 2001, kishte filluar të merrej me karate që nga mosha 12 vjeçare.

 “Si çdo fëmijë interesimi për të qenë më e mira, më e sukseshmja, më e forta … ka ndikuar që të ndjekë këtë sport. Sporti i karatesë e jep këtë mundësi”, thotë ajo.

Sukseset e femrave në arenën ndërkombëtare dhe ndryshimi i tempos së jetës në përgjithësi, doemos po ndikojnë në një interesim të shtuar në vitet e fundit që vajzat të kyçen më tepër në aktivitete sportive si individuale ashtu edhe grupore.

Zogiani, megjithatë konsideron se ka nevojë për më shumë investime në insfrastrukturë por edhe në projektet e veçanta për sportin femëror. Ajo thotë se momentalisht, femrat janë duke u inkurajuar si nga Komiteti Olimpik, Departamenti i Sportit, Federatat etj, por një gjë e tillë, nuk është e mjaftueshme.

 “Përkrahje institucionale  në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe cilësisë mes licencimit të trajnerëve dhe forma tjera që janë të njohura në shtetet me sport të avancuar është e domosdoshme posaçërisht në krijimin e kushteve optimale për sporte përkatëse të gjinisë femërore” , thotë Zogiani.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve (MKRS) që nga viti 2001 përmes një politike programore synon  të ndihmojë zhvillimin e sportit femëror përmes përkahjes me rekuizita sportive, kampe verore dhe mbështetje materiale për mbulimin e shpenzimeve të regjistrimit/licencimit, pagesave për zyrtarë, transport dhe uniformë representative të sportit.

Qëllimi kryesor është ngritja e  nivelit të sportit tek femrat, dhe gjetja e mënyrave për të bërë sensibilizimin e opinionit për sportin femëror, në mënyrë që të masivizojë, të përkrahë dhe inkurajojë gjithëpërfshirjen e femrës në punë të drejtpërdrejtë organizative e udhëheqëse në klube e federata dhe administrim të sportit.

Edhe pse disa synime të MKRS-së  janë në zhvillim e sipër, në disa fusha ka edhe rezultate pozitive, mbetet ende punë, ide dhe investime për krijimin e kushteve  dhe infrastrukturës së përshtatshme për inkurajimin e vajzave që të merren më shumë me sporte individuale ose ekipore.

Karatistja Zogiani s’është larguar kurrë nga sporti: pas punës së rregullt në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si përgjegjëse për federatat e sporteve luftarake (boks, xhudo, mundje), është edhe trajnere në klubet e karatesë “IPPON dhe “Vajzat e Dardanisë” në Prishtinë.

Ajo kujton fillet e saj kur filmat e ndryshëm kishin ndikuar në rritjen e interesimitj për t’u marrë me karate, dhe shton se interesimi i kosovareve për t’u marrë me sport gjithmonë ka qenë i madh.

“Mirëpo, në një kohë rrethanat politike dhe gjendja e rëndë e Kosovës para lufte e ka pamundësuar që femra lirshëm të mirret me sport. Gjithashtu edhe infrastruktura e pakënaqshme ka ndikuar që me vështirësi femrat të kyçen në sport”, rrëfen ajo.

Edhe Zogiani pajtohet se për marrje me sport janë një varg prakushtesh. Në klubin e karatesë “IPPON” kushtet për zhvillimin e sportit  janë të rënda, minimale, por kjo është zbutur paksa falë përkrahjes së prindërve.

Sipas saj,  interesimi në mesin e femrave për këtë sport në vazhdimësi është shtuar në këto 20 vjetët e fundit.

“Numri i femrave nëpër klube përafërsisht është i barabartë me të meshkujve. Dallimi (me më parë – v.j.) është enorm sepse tani jemi të lirë, dhe femrës i është dhënë mundësia që të tregohet jo vetëm në rrafshin vendor por edhe në atë ndërkombëtar”, thotë Zogiani.

Nga ana tjetër, të gjitha vështirësitë që e përcjellin sportin, mund të tejkalohen nëse ekziston vullneti.

“Për t’u marrë me sport, e sidomos me volejboll, nuk është e lehtë. Por, nëse e do me zemër pa marrë parasysh çfarë sporti është qoftë  hendboll, basketboll apo volejboll, luftoni dhe mos u dorëzoni sepse nuk ka asgjë që nuk arrihet në jetë”, porosit sportisja e re Kaltrina Fejza.

Puhiza Bekolli

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM