Build Skills with our trainings

Sign up now!

Kosovari ende s’e ka humbur shpresën se shkollimi do t’ia lehtësojë punësimin

Gus 4, 2017

Ylberina Morina, studente e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, konsideron se të rinjve në Kosovë duhet t’u jepet më shumë mundësi për punësim.

“Të rinjtë po e kryejnë shkollën, po e kryejnë edhe masterin pas fakultetit dhe ende po vazhdojnë dhe po kërkojnë punë. Mendoj që pasi ta mbarojmë fakultetin të kemi një punë, atë që ne të gjithë ëndërrojmë sidomos për femra, t’ju krijohet një hapësirë më shumë, sidomos në vendimmarrje”, thotë ajo.

Ylberina së shpejti do t’i kryejë studimet dhe do t’i bashkangjitet një “armate” të tërë të të papunëve në Kosovë.

Numri i punëkërkuesëve në Kosovë është shumëfish më i lartë se numri i vendeve të ofruara të punës. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregon se vetëm vitin e kaluar ishin regjistruar rreth 101.773 punëkërkues, derisa po në këtë vit, ka pasur vetëm 425 vende të punës që janë shpallur publikisht.

Vetëm 48 nga këto vende të punës, si kualifikim kanë kërkuar fakultetin, ndërsa 208 shkollën e mesme.

Problemin më të madh për punësim në Kosovë po e hasin të rinjtë.

Po sipas ASK-së, në mesin e personave të moshës 15-24-vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 52.2 % ishin të papunë vetëm në vitin e kaluar.

Edhe pse numri i vendeve të lira të punës është shumë i vogël në krahasim më punëkërkuesit, të rinjtë në Kosovë vazhdojnë ta kryejnë shkollimin e lartë, duke shpresuar se ai do t’u ndihmojë të gjejnë një punë.

Numri i të diplomuarve në Kosovë gjatë viteve 2014-2015 ishte 7,621, prej të cilëve 6,628 diplomuan në bachelor dhe 993 në master.

Ndërsa, sipas Ministrisë së Mirëqenies Sociale, vetëm në vitin 2015, si të papunë ishin regjistruar 5,052 persona që kishin përfunduar studimet në bachelor dhe 226 në master.

Ndërkohë që në Kosovë nuk po gjejnë punë, shumë të rinj kosovarë çdo vit po e kthejnë vëmendjen nga Evropa Perëndimore, Gjermani në veçanti, për mundësinë e punës sezonale.

Bedri Xhafa, udhëheqës i përgjithshëm në Agjencinë për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK), thotë se prej vitit 2001 ky agjencion ka implementuar projekte mbi 15 milionë euro që i janë sjellë shoqërisë kosovare dhe përmes këtyre janë trajtuar mbi 30 mijë kandidatë dhe mbi 20 mijë janë përkrahur në integrimin ekonomik.

“Viteve të fundit kryesisht po mirremi me punëdhënës në Gjermani, do të thotë i dërgojmë në Gjermani për shkollim, aftësim, punësim. Këtë vit, besoj 150 vetë jemi në proces të dërgimit të tyre të punojnë dy muaj, tre muaj, të sigurojnë të hyra sa t’i mbulojnë shpenzimet e studimeve kur të kthehen”, thotë ai.

Por, nuk janë vetëm të rinjtë që po ballafaqohen me këtë problem ekzistencial. Edhe pse ata vazhdojnë të shpresojnë se kryerja e fakultetit do t’u ndihmojë në punësim, Idriz Krasniqi, i cili është 45-vjeçar nuk ka më asnjë shpresë për këtë gjë.

Ai tregon se para disa vitesh ka kryer studimet universitare, me shpresë se do të gjejë punë.

“Unë kam kryer fakultetin juridik para disa vitesh, mirëpo asnjëherë nuk kam gjetur punë për këtë profesion. Më herët kam punuar në ndërtimtari, por tani nuk po mundem ta bëjë më as këtë punë. Nuk kam më asnjë shpresë për punësim, kjo situatë nuk do të ndryshojë asnjëherë në Kosovë”, thotë ai.

Sipas ASK-së, shkalla e punësimit për tremujorin e parë 2017 është 28.9%. Punësimi më i lartë është te meshkujt – 44.6%, ndërsa punësimi te femrat është 13.0%. Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor (49.8%), ndërsa meshkujt  kryesisht në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë (43.8%).

Shejnaze Ramadani, 40 vjeçe, amvise, thotë se ka shumë dëshirë të gjejë një punë.

Edhe pse kam të kryer vetëm shkollën e mesme, kam aplikuar për shumë punë, por nuk jam pranuar. Nuk më pengon edhe nëse më duhet të punoj si pastruese, pasi që jeta në Kosovë është shumë e vështirë, duhet t’i sigurojmë të ardhurat në një mënyrë”, thotë ajo.

Njomza Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM