Build Skills with our trainings

Sign up now!

Vota për emra të rinj deputetësh, një votë e shpresës për ndryshime

Sht 7, 2017

Florina Imeri, nëntëmbëdhjetëvjeçare, thotë se ka votuar për deputetët e rinj në parlament, që të ketë ndryshime pozitive për të gjithë.

“Në krahasim me potencialin e vendeve të Evropës, Kosova nuk i përmbush kërkesat e të rinjve për shkollim dhe punësim”, thotë ajo.

Deputete për herë të pare, Valentina Bunjaku Rexhepi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për KosovaLive thotë se do të angazhohet mu për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë kosovarë.

“Dihet se të rinjtë janë ardhmëria e vendit për një shtet të zhvilluar. Avancimi i sistemit edukativo-arsimor si dhe hapja e vendeve të reja të punës është parandalim për ndërgjegjësim se perspektiva e tyre është në Kosovë e jo emigrimi i tyre nëpër Evropë”, thotë Bunjaku-Rexhepi.

Ajo konsideron se këto synime arrihen me ndryshime dhe reforma të thella.

“Këto nuk janë synime vetëm personale, janë qëllime të përbashkëta. Shpresojmë të kontribuojmë të gjithë bashkë në këtë drejtim”, thotë ajo.

Deputetët e rinj thonë se do të punojnë për të rinjtë, duke krijuar qendra për ta, punë dhe shkollim sa më të mirë.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut këto ditë organizoi një debat në Qendrën Kulturore të Bashkimit Evropian me disa nga deputetët e rinj rreth perspektivës për bashkëpunim rajonal. Theks i veçantë iu kushtua fuqizimit të të rinjve.

Kjo organizatë, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të forumeve rinore që veprojnë si pjesë e partive politike nga shtete të ndryshme, si organizët rajonale, përpos Prishtinës, ka zyra në Beograd, Sarajevë, Podgoricë dhe Zagreb. Objektiv ka edukimin politik të të rinjve për të drejtat e njeriut.

Deputeti i ri Betim Popaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) konsideron se rinia po e kërkon ta tejkalojmë të kaluarën.

“Të rinjtë tanë nuk po shohin perspektivë në këtë vend. Çdo i dyti i ri po mendon se si të migrojë jashtë vendit, kështu që përmes politikave konkrete, përmes të zgjedhurve duhet të bëjmë çmos që kësaj rinie t’i japim hapësirë, sepse kemi talent jo vetëm në politikë por edhe në sport e kulturë”, thotë ai.

Mimoza Gabrani, aktiviste e shoqërisë civile thotë se shteti nuk ofron përkrahje për studentë.

“Në Kosovë janë mundësi të pakta për të diplomuarit”, thotë Gabrani.

Popaj konsideron se nuk duhet t’i përcjellim vetëm studentët por duhet të jemi më shumë të pranishëm në terren.

“Duhet të hulumtojmë në zona më të thella, mos t’i përcjellim vetëm gjërat pozitive, por t’i japim vëmendje anës negative. Kemi të rinj që udhëtojnë nga 5-6 kilometra në këmbë, të rinjtë tanë nga mosha 15-16-vjeçare po migrojnë. Ne po bëjmë shumë pak në këtë drejtim, çdo ditë e më shumë, vendi po zbrazet nga rinia”, thotë Popaj.

Deputeti nga Aleanca Kosova e Re, Korab Sejdiu thotë se kolegët e tij, kryesisht ata të rinj në Kuvend, duhet të fokusohen në fuqizimin e të rinjve.

“Kam garuar si deputet me tri pika kyçe, njëra ndër to është fuqizimi i të rinjve. Dy pikat kyçe tjera janë hapja e një qendre për studentë që duan të studiojnë jashtë vendit, si dhe çështja tjetër, praktika në biznese me pagesë, lehtësim tatimor i biznesit nga shteti”, thotë Sejdiu.

Saranda Bogujevci deputete nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se do të angazhohet që studimet universitare të jenë pa pagesë dhe ligji t’ua njohë punën praktike dhe për krijimin e hapësirës më të madhe ku ata mund të punojnë.

“Të rinjtë në Kosovë po bëjnë ndalim të shkollimit fillor. Shumë të rinj punojnë fizikisht nën moshën 18-vjeçare ku inspektoriati nuk është i pranishëm nëpër terren”, thotë Popaj.

Shumë të rinj konsiderojnë se interesat e tyre duhet të jenë prioritet për deputetët e rinj dhe kolegët e tyre.

Teuta Hoxha, drejtoreshë e organizatës “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, thotë se duke pasur parasysh se sistemi i edukimit ka dështuar, të rinjtë tanë po e shohin një shpresë edhe tek edukimi joformal që e ofrojnë organizatat e ndryshme joqeveritare.

“Gjatë punës me ta vërehet se janë mjaft të interesuar për ndryshime, kjo edhe për shkak të mundësive më të mira që i kanë krahasuar me gjeneratat e vjetra. Natyrisht që këtu nuk vlejnë mundësitë e lëvizjes së lirë. Është tejet shqetësues fakti që prindërit tanë kanë pasur më shumë mundësi udhëtimi, sesa ne që kemi sot, për shkak të vizave”, tha Hoxha për KosovaLive.

Megjithatë, ajo konsideron se rezultatet e këtyre zgjedhjeve kanë treguar një vetëdijësim qytetar duke votuar edhe një numër të konsiderueshëm i të rinjve, por edhe duke mos i votuar ata të rinj që nuk kanë qenë të zëshëm për të ngritur problemet e të rinjve në Kuvendin e Kosovës.

“Mendoj që interesat e të rinjve duhet të jenë një nga prioritetet kryesore të mandatarëve të rinj, duke pasur parasysh që kemi 65% të rinj nga 18 vjeç deri në 30”, thotë ajo.

Hoxha gjithashtu konsideron se të rinjtë nuk duhet t’i drejtohen për interesat e tyre vetëm Ministrisë së Rinisë, Kulturës dhe Sportit, por edhe Ministrisë së Ekonomisë.

Ajo thotë që vetëm një bashkëpunim gjithëpërfshirës do të sjellë rezultatet e duhura.

Studentja Fitore Hyseni shpreson se deputetët e rinj do t’i mbajnë premtimet dhe s’do të jenë vetëm numër në parlament.

“Të ketë sa më shumë aktivitete ku të rinjtë takohen me deputetët që edhe ata të luajnë rol në procesin e vendimmarrjes, në çështje të ndryshme si dhe të ketë aktivitete për të rinj”, thotë ajo.

Të rinjtë tanë po shpresojnë ende që me zgjedhjet e fundit dhe me deputetët e rinj do të ketë ndryshime.

Njomza Berisha

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM