Build Skills with our trainings

Sign up now!

Një ish-pikë e fortë turistike ʺpushon” si peng i politikës

Tet 4, 2017

Mirsat Nimanaj, zyrtar aktual për planifikim, zhvillim dhe menaxhim të projekteve për turizëm në Deçan, tregon se ka pasur fatin që si fëmijë në vitet ‘78-‘79 të qëndrojë në pushimoren ʺPishat e Deçanitʺ ku si të gjithë fëmijët e tjerë është relaksuar në këtë ambient natyror, me ajër të pastër, ujë të ftohtë….

E ndërtuar qysh më 1932, rrëzë Bjeshkëve të Nemuna, në një lartësi mbidetare 670 m, kjo pushimore e fëmijëve dhe e të rinjëve atëbotë ishte e vetmja e asaj natyre e destinuar për rekreacion, rehabilitim dhe edukim të fëmijëve në Kosovë.

Pushimorja kishte kapacitet prej 550 deri në 600 shtretër të vendosur në pesë objekte bashkë me objektet e tjera përcjellëse, në mesin e tyre edhe terrenet sportive, amfiteatri i hapur por edhe ambulanca shëndetësore.

Në kapacitetet e saj brenda një viti kanë mundur të pushojnë dhe të këndellen në aspektin psiko-fizik rreth 14.000 fëmijë.

Sot aty mund të gjenden gërmadhat e një hoteli, por jo më të dëgjohen zëra gazmorë të fëmijëve apo brohoritje të futbollistëve që ushtronin atje dikur.

Që nga paslufta hapësira ku gjendej kjo pushimore është në kompetencën e KFOR-it italian, dhe rrjedhimisht e pashfrytëzuar për destinimin fillestar.

Fëmijët deçanas janë rritur me rrëfimet për pushimoren dhe kënaqësinë që dhuronte vizita e saj, por shumë nga ta nuk e kanë parë as në fotografi, sepse ato janë të pakta.

ʺSa i përket gjendjes momentale të pushimores, krejt kjo që po ndodh është e paarsyeshme. Një lak në fyt për turizmin deçanas, që dikur falë pushimores ka qenë i zhvilluarʺ, thotë Nimanaj.

Sali Kastrati, drejtor i pushimores gjatë viteve ‘89-‘90, e kujton me nostalgji kohën kur pushimoren e vizitonin nxënës nga e gjithë Jugosllavia e atëhershme, madje edhe nga vendet e largëta të Lindjes.

Secila shkollë kosovare dërgonte fëmijët atje gjatë sezonit të verës, ndërkohë që gjatë dimrit kapacitetet mbusheshin me sportistët.

“Kjo pushimore krahinore ka qenë shembullore për krejt Kosovën. Ka pasur rregull e disiplinë, çdo gjë ka qenë me orar, plus asaj nxënësit kanë bërë ushtrimet e mëngjesit çdo ditë. Shëndetit i është kushtuar rëndësi parësore dhe çdo gjë ka qenë edukative”, kujton Kastrati duke i përmendur edhe garat e shkollave, garat e motoristëve, konferencat e ndryshme, simpoziumet shkencore që organizoheshin aty. “Në vizitë vinin edhe gjithë murgjit e ish-Jugosllavisë”, kujton ai.

Sipas Halil Tolajt, drejtor i atëhershëm i Inspektoratit në Deçan, numri i fëmijëve nga Kosova që e vizitonin pushimoren ishte shumë i madh, ndërsa së paku 84-85 fëmijë vinin nga e gjithë bota brenda vitit.

Krahas hotelit të mirënjohur të Deçanit ʺIliriaʺ (Visoki Decani i dikurshëm), që ishte cak i shumë turistëve nga e gjithë Jugosllavia e atëhershme dhe atyre nga bota dhe nikoqir i shumë ngjarjeve të rëndësishme kulturore, në mesin e tyre edhe Mitingut të Poezisë dhe Kolonisë së Piktorëve, ʺPishat e Deçanitʺ ishin një ndër shtyllat e zhvillimit turistik e të gjithëmbarshëm ekonomik të këtij vendi pitoresk.

Gazetari Adem Lushaj, ndryshe i magjistruar në turizëm, thotë së hapësirat e këtij objekti turistik që nga vitet e ‘90-ta, nuk mund të shfrytëzohen nga qytetarët deçanas, si rrjedhojë e zhvillimeve politike. Fillimisht aty ishin instaluar masat e dhunshme të Qeverisë së Serbisë (1990-1999), më pastaj janë vendosur forcat paqeruajtëse të KFOR-it italian.

“Hapësira turistike mbetet peng i politikës të ndikuar nga Manastiri i Deçanit. Mosshfrytëzimi i pushimores dhe hapësirave turistike përreth ishte temë e kundërshtimeve të shumta të institucioneve komunale dhe qytetarëve, ngase konsiderohet se kësaj komune po i shkaktohen humbje të mëdhaʺ, thotë ai për këtë objekt që më parë ishte konsideruar pasuri shoqërore, e themeluar me fond të posaçëm të fondit për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale në Kosovë.

Lushaj thotë se mosfunksionalizimi i kësaj pushimoreje e ka lënë Deçanin me pothuajse zero pika turistike dhe 0% mundësi reale për zhvillimin e turizmit.

ʺMosfunksionalizimi i kësaj pushimoreje ka shkaktuar dëme të papërshkrueshme, nuk ekzistojnë as shifra. Janë mbyllur rrugët për investitorët e huaj. Turizmi është gjenerator i punësimit dhe zhvillimit të shpejtë ekonomik, gjë që mungon në këtë komunëʺ, thotë Lushaj.

Halil Tolaj, tani drejtor për Ekonomi dhe Zhvillim në komunën e Deçanit, rrëfen se funksionimi i pushimores mundësohej përmes financimit nga burime të ndryshme.

“Secila komunë ka paguar për nxënësit e vet, ka pasur edhe donacione të ndryshme. Ishte një industri rentabileʺ, thotë Tolaj.

Ai njëherit rrëfen se kanë dërguar shkresa në formë kërkese që KFOR-i italian të paguajë një lloj qiraje për shfrytëzim të objektit, gjë që, sipas tij, nuk është mundësuar asnjëherë.

Shkodran Imeraj, anëtar i Shoqatës së Historianëve ʺAli Hadriʺ në Deçan tregon për një plan që kjo shoqatë kishte hartuar më 2016.

ʺNë bazë të planit tonë rreth 25 faqesh që kemi paraqitur në Komunën e Deçanit dhe që ia kemi dërguar të gjitha institucioneve vendore e ndërkombëtare (në vitin 2016) lidhur me zgjidhjen e çështjes kontestuese në mes të ndërmarrjeve, komunës dhe qytetarëve në njërën anë, dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër në lidhje me pronat dhe ndërmarrjet ‘Apiko’ dhe ‘Iliria’, e kemi paraparë edhe rifunksionimin e Pushimores së Fëmijëveʺ, kumton ai.

Aktivisti i shoqërisë civile, Adem Lushaj përmend se më 2010 ishte formuar një komision që do të pranonte bartjen e përgjegjësive prej UNMIK-ut dhe KFOR-it tek institucionet komunale, por kjo nuk është bërë.

“Arsyeja është sepse ata kërkonin që njëfarë forme t’i jepet pushimorja e fëmijëve CARITAS-it italian për 30 vite, ndërsa ne si shoqëri civile ishim kundër. Nga praktika është treguar se këto janë lojëra, manipulime dhe të gjitha ndikimet i ka Manastiri i Deçanit. Pushimorja është peng i politikës dhe ndikimit që ka Manastiri në këtë politikëʺ, thotë ai.

Petar Rojevic, përfaqësues i Manastirit të Deçanit, refuzoi të përgjigjet në pyetjen se a është situata me Manastirin pengesë për kthimin e Pushimores së Fëmijëve nën kompetencë institucionale.

“Unë nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse shumica e përgjigjeve tona zakonisht janë keqinterpretuar më parë”, u përgjigj shkurt ai.

Nafije Sylejmani


PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM