Build Skills with our trainings

Sign up now!

Parandalimi shihet si faktor kyç kur rrezikohet siguria

Qer 28, 2019

Në nëntor të vitit 2016 u arrestuan 19 qytetarë të Kosovës dhe 4 të Shqipërisë si të dyshuar për tentim sulm ndaj ekipit kombëtar të Izraelit në futboll, tifozëve izraelitë si dhe institucioneve të Kosovës. Policia e Kosovës dhe AKI në bashkëpunim me institucione partnere me sukses e parandaluan këtë tentim sulmi.

Ky tentim sulmi ngjalli shqetësim të veçantë, sepse shumica e të akuzuarve nuk ishin luftëtarë nga fushëbetejat e Lindjes së Mesme, për çka edhe u nxitën spekulimet për fillet e mundshme të terrorizmit me rrënjë vendore.

Cecile Jäger, 57 vjeçare nga Boni i Gjermanisë, qe një vit e gjysmë jeton në Kosovë me burrin e saj, i cili është duke punuar në një mision ndërkombëtar në Kosovë.

Ajo thotë se në fillim ishin skeptikë se si do të integroheshin në shoqërinë kosovare, duke qenë se Kosova në Gjermani figuronte në listën e shteteve jo të sigurta. Mirëpo tani, ajo thotë se nuk janë vërtetuar informatat në mediat gjermane ose nga rrethanat tjera.

“Tentativat e sulmeve terroriste Kosova ndoshta nuk mund t’i kalojë njëjtë sikurse Gjermania për shkak të zhvillimit që e kemi si shtet në krahasim me Kosovën. Mirëpo, prapëseprapë, deri më tani në Kosovë nuk jam ndier e rrezikuar”, thotë Jäger.

Në një anketë të shkurtër të realizuar nga KosovaLive me grupmosha të ndryshme, 51,6% thonë se ndihen të sigurtë në Kosovë.

Shumica e të anketuarve e kuptojnë thelbin e domethënies së terrorizmit. Disa nga të anketuarit e cilësojnë terrorizmin si krim, dhunë, cënim i të drejtave të njeriut, sulm me baza politike apo religjioze, disa e konsiderojnë si vrasje masive e njerëzve, ndërsa disa të tjerë nuk e dijnë definicionin e saktë të termit terrorizëm.

Amina Kaja, një 17 vjeçare nga Prishtina, thotë se nuk ka dëgjuar shumë për rastet e terrorizmit në Kosovë, por kur ka dëgjuar dhe ka parë nëpër media sulmet dhe skenat të tmershme në vendet e botës, ka qenë e shokuar.

“Kur kam dëgjuar edhe për rastin e kërcënimit me bomba në muajin maj të këtij viti në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurori Speciale në Prishtinë. Jam ndier keq, mirëpo nuk ka ndikuar shumë në përditshmërinë time. As e pasigurt nuk jam ndier, e dija që probabiliteti që të ndodhte përsëri ishte shumë i ulët”, thotë Kaja.

Sipas Policisë së Kosovës, në Këshillin Gjyqësor ishin pranuar tri telefonata kërcënuese nga një person mashkull, i cili kishte lajmëruar për vendosjen e mjeteve shpërthyese në këtë institucion. Ata kishin reaguar shumë shpejt dhe më vonë kishin njoftuar se nuk kishin gjetur asnjë mjet eksploziv.

Kaja mendon se institucionet tona janë të trajnuara për rastet e terrorizmit, kanë detyrë t’i mbrojnë qytetarët dhe të eliminojnë çfarëdo rreziku që mund të ekzistojë ndaj tyre.

Skënder Perteshi, hulumtues dhe koordinator i projekteve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), që në fokus kanë hulumtime rreth pasojave, kërcënimeve, rreziqeve që ndërlidhen me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë, rikujton se terrorizmi është përdorimi i dhunës për të arritur qëllime politike dhe shkaktimi i frikës te qytetarët e tjerë. 

“Terrorizmi nuk ka kufi dhe nuk njeh identitet, mund të jetë i të gjitha etnive. Në bazë të disa analizave nuk ka ndonjë kërcënim dhe nuk është se ka ndonjë sulm direkt të grupeve terroriste në Kosovë”, thotë Perteshi.

Lidhur me riintegrimin e të kthyerve nga Siria dhe Iraku si në çdo vend tjetër, secili person që vjen nga konflikti sjell me vete përvoja të ndryshme, mund të ketë marrë shkathësi të përdorimit të armëve, të ketë ideologji dhe të rritë nivelin e radikalizmit, mund të jetë pjesë e një rrethi ndërkombëtar të terrorizmit, ose kërcënimeve të tjera.

Faktorët shtytës, mund të jenë njohuritë e pakta për fenë, domethënë nuk kanë qenë realisht të informuar se çka po ndodhë në Siri dhe në Irak, thotë ai. 

Shtyrjen e shkuarjes në luftërat e huaja ai e lidh me personalitetin dhe nevojën që t’i përkasin ndonjë grupi. 

“Mund të jetë puna e pabesueshmërisë në institucione, manipulimi mes mediave dhe rrjeteve sociale, mungesa e prespektivës në Kosovë dhe mungesa e një të ardhmeje të qëndrueshme, apo margjinalizimi nga shoqëria”, thotë Perteshi.

Nga hulumtimi i fundit i kësaj Qendre, nga viti i kaluar – “Përtej shkaktarëve: Rreziqet e reja të ekstremizimit të dhunshëm në Kosovë”, del se që nga viti 2016 nuk është raportuar asnjë rast i qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar në Siri e Irak si pjesë e ndonjë organizate terroriste dhe asnjë sulm terrorist nuk është kryer në Kosovë.

Sipas të dhënëve nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovës për Inteligjencë (AKI), gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë parandaluar katër sulme potenciale. Tentim sulmet terroriste u përgatitën nga shtetasit e Kosovës, përkrahësit e Shtetit Islamik, por të cilët nuk kishin marrë pjesë kurrë në konflikte në Siri e Irak. 

Marrë në përgjithësi, nga gjithsej 135 ish luftëtarë të huaj nga Kosova, pesë ishin përfshirë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në ndonjë aktivitet të lidhur me tentim sulme, apo aktivitete terroriste në Kosovë.

Nga viti 2012 gjithsej 403 kosovarë janë përfshirë në konfliktet në Siri e Irak, prej tyre 255 ishin burra, ndërsa pjesa tjetër gra e fëmijë. Në këtë periudhë, në Siri/Irak kanë lindur rreth 40 fëmijë, me të paktën njërin prind me prejardhje prej Kosovës. Në këtë periudhë është raportuar për gjithsej 75 luftëtarë të huaj terrorist (LHT) të Kosovës të vrarë, ndërkohë që rreth 190 mbesin në territorin e Shtetit Islamik.

Në Kosovë, në ndërkohë, janë kthyer 135 individë të cilët po kalojnë nëpër procese gjyqësor. 

Ministria e Punëve të Brendshme muajin që shkoi miratoi “Strategjinë Kundër Terrorizmit 2018-2023”, që bazohet në katër shtylla të cilat janë në harmoni të plotë me Strategjinë e Bashkimit Europian kundër Terrorizmit.

Kjo strategji fokusohet në parandalimin e sulmeve terroriste përmes identifikimit të shkaktarëve, në kundërshtimin e ideologjive dhe doktrinave radikale të cilat i nxisin individët në akte të dhunës.

Në Analizën e Pulsit Publik të UNDP-së, nga vitit 2017 – “Parandalimi i ekstremit të dhunshëm në Kosovë”, theksohet ndikimi në rritje i grupeve të dhunshme ekstremiste në Kosovë, sidomos gjatë vitit 2012 dhe 2013, kur shumica e 316 rasteve të konfirmuara të luftëtarëve të huaj të Kosovës vendosën t’u bashkohen grupe të ndryshme të armatosura në Lindjen e Mesme.

Gjithashtu është theksuar se në këtë periudhë, e deri në 2015, kishte pasur mbi 100 arrestime dhe kishin nisur hetime ndaj 78 personave të dyshuar për përfshirje në aktivitetet e rekrutimit për ISIS-in dhe Al Nusra. Në saje të veprimeve të instutucioneve kompetente kosovare, ishte zvogëluar numri shkuarjeve dhe përfshirjeve të shtetasve të Kosovës në konfliktet e armatosura të huaja.

Në prill 2019, institucionet e Kosovës udhëhoqën një operacion për riatdhesimin e 110 shtetasve të Kosovës nga zonat e konfliktit të huaj, i cili u bë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë në luftën kundër ISIS.

Koordinatori Nacional Kundër Ekstremizmit dhe Terrorizmit, Fatos Makolli, kishte deklaruar se kthimi i shtetasve kosovarë nga Siria, ishte rezultat i punës disa mujore të Qeverisë së Kosovës.

Atëbotë, dilema e qytetarëve ishte nëse kthimi i këtyre grupeve paraqiste kërcënim nga terrorizmi në Kosovë dhe athua Kosova ka kapacitet për integrimin e suksesshëm të këtyre personave.

Sipas Makollit, institucionet e Kosovës kanë kapacitete të mjaftueshme për të trajtuar çdo lloj të terrorizmit dhe ekstremizmit.

Në anën tjetër, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), nga një konferencë në mars të këtij viti ku u trajtuan trendet dhe kërcënimet e reja nga ekstremizmi i dhunshm dhe terrorizmi, kishte nxjerrë disa konkluzione. Kryesorja nga to ishte se mbetet sfida për përmirësimin e programeve të riintegrimit të luftëtarëve të huaj, se si në të ardhmen nuk do të përbënte një kërcënim për sigurinë e Kosovës 

“Asnjë shtet nuk është plotësisht i gatshëm të përballojë një sulm terrorist, mirëpo gjithmonë punohet në parandalim”, tha për KosovaLive, Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

 RENEA BEGOLLI me Djellza Krasniqi, Qëndresa Luma dhe Lularta Buja

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM