Build Skills with our trainings

Sign up now!

Fshatrat e Lipjanit vuajnë nga mungesa e bibliotekave

Tet 23, 2019

Libri dhe leximi në përgjithësi, për shumëkë ka qenë shoqëruesi më i mirë, me anë të të cilët informoheshin dhe kalonin kohën e lirë. Sot, teknologjia ia ka zënë “frymën” librit.

Në fshatrat e Republikës së Kosovës ka mungesë të madhe të bibliotekave. Komuna e Lipjanit ka gjithsej 72 fshatra dhe vetëm në Shalë, Magurë, Gadime dhe Ribar të Madh ka bibliotekë. Këto biblioteka janë pjesë e shkollave të mesme të ulëta dhe kanë mungesë të madhe të literaturës.

Në një prononcim për KosovaLive, Teuta Berisha, zyrtare për Arsim në komunën e Lipjanit, thotë se në shumicën e  shkollave të fshatrave të Lipjanit ka bibliotekë, edhe pse nuk janë funksionale aq sa duhet.

“Ato shfrytëzohen nga nxënësit e shkollave. Objekt i veçantë i bibliotekës gjendet vetëm në Lipjan, ndërsa në fshatra,  përveç në shkolla, nuk ka. Kjo për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ndërsa Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk na ka ndihmuar aspak në këtë aspekt”, thotë Berisha.

Sipas saj, kohëve të fundit interesimi i nxënësve për të lexuar është i vogël, dhe sa u përket bibliotekave në shkolla, nuk mund të thuhet se ka libra të mjaftueshëm.

Ne i kemi funksionalizuar një pjesë të bibliotekave dhe në vitin e ardhshëm do të ndajmë mjete për pasurimin e bibliotekave me tituj të rinj të librave”, thotë Berisha.

Gjithashtu, ajo thotë se kjo do të ndikonte për të mirë, sepse do të rritej interesimi dhe do të nxiteshin lipjanasit për të lexuar.

Hapi i parë që duhet ndërmarrë për shtimin e bibliotekave është fillimisht angazhimi i insitucioneve relevante, si: Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), MASHT, si dhe organizatave të ndryshme duke organizuar ndonjë panair të librave, ose aktivitete të tjera që do t’i nxisnin nxënësit për lexim. Çdo herë duke e menduar të mirën e nxënësve”, përfundoi Teuta Berisha.

Albina Shala, nxënëse e klasës së shtatë, në shkollën e mesme të ulët “Ibrahim Banushi”, në fshatin Shalë, për KosovaLive thotë se është e lumtur që në fshatin e saj ka bibliotekë, ku mund të marrë libra dhe të mësojë.

‘’Unë lexoj shumë, jo veç ato libra që na i cakton arsimtarja e gjuhës shqipe, por edhe të tjera. Ne mund t’i marrim edhe në shtëpi librat”, shprehet nxënësja, Albina.

Sipas saj nuk ka edhe shumë libra në këtë bibliotekë, ata janë kryesisht tituj të vjetër. Nëse do të pasurohej më shumë biblioteka, Albina do të lexonte edhe më shumë.

Shokët e shoqet e mia nuk lexojnë edhe shumë, se disa nga librat edhe s’ju pëlqejnë. Nëse biblioteka do të rregullohej, dhe do të kishim libra më tepër, ne do të mësonim së bashku. Qytetin e kemi larg dhe jemi të vegjël të shkojmë vetëm”, thotë Shala.

Studentja Majlinda Kozhani, banore e fshatit Ribar i Madh, thotë se në këtë fshat është një bibliotekë në një objekt ngjitur me shkollën e mesme të ulët. Edhe pse nuk ka shumë libra, ajo është funksionale.

Të gjithë banorët e fshatit kemi dërguar libra, që të mbushet sado pak biblioteka, por prapë ka mungesë jashtëzakonisht të madhe të librave”, shprehet Kozhani.

Sipas saj, nuk ka edhe shumë banorë të fshatit që mësojnë apo marrin libra në këtë bibliotekë, e krejt kjo për shkak që shumica e librave janë libra për fëmijë.

Më shumë lexojnë fëmijët, nxënësit e ciklit të ulët, librat që i kanë për detyrë nga mësimdhënësit. Kjo është gjë e mirë për ta, ngase s’mund të udhëtojnë vetë deri në qytet, por jo edhe për pjesën tjetër të banorëve’’,  thotë Majlinda Kozhani.

Në një  vlerësim, që ka të bëjë me bibliotekat, kryer nga misioni i përbashkët i The United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization (UNESCO), Këshillit të Evropës (CoE) dhe Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA) ”Vlerësimi i përgjithshëm dhe plani i zhvillimit afatshkurtër dhe afatmesëm’’, thuhet se ligji ekzistues për bibliotekat i përfshin të gjitha llojet e bibliotekave. Sipas ligjit, bibliotekat mund të themelohen nga bashkësitë shoqërore dhe politike, bashkësitë me interes kulturor (administratat kulturore vendore), organizatat rajonale dhe organizata të tjera nëse plotësohen kushte të caktuara sa i përket financimit dhe mbledhjes së librave.

Valmir Mziu, banor i fshatit, thotë se fshati Magure edhe pse është ndër fshatrat më të mëdhenj në Lipjan, posedon një bibliotekë të vogël.

“Është veç një bibliotekë, edhe ajo s’është funksionale vazhdimisht. Vetëm një herë në javë hapet dhe është bibliotekë për fëmijë”, potencoi Mziu.

Ndër të tjera Valmiri, për KosovaLive u shpreh se jo vetëm në fshatin Magure, por pothuajse në të gjithë fshatrat e Lipjanit, është shqetësues fakti që s’kanë një hapësirë të veçantë për bibliotekat, edhe ato fshatra në të cilat ekziston një bibliotekë, është “për gjynah” se si funksionon.

“Ka mungesë të sallave të leximit, të internetit dhe të hapësirave të duhura për nxënësit, studentët dhe të gjithë ata që duan të lexojnë”, përfundoi Mziu.

Elmedina Lekiqi, nga fshati Gadime, për KosovaLive tha se pavarësisht se në fshatin e saj ka bibliotekë, atë mund ta shfrytëzosh vetëm sa je nxënës, sepse është në objekt të shkollës.

“Tani, unë duhet të shkoj në qytet, nëse dua të marr ndonjë libër për ta lexuar, sepse nuk mund të huazoj nga biblioteka që gjendet në fshatin tim”, shprehet Lekiqi.

Gjatë kohës sa ishte nxënëse në shkollën “Zenel Hajdini” në të cilën është biblioteka, ajo thotë se nuk shkonte shpesh për të marrë libra sepse shumica që i duheshin nuk ishin aty.

Mua më shumë më pëlqen të lexoj libra shkencorë e libra historikë dhe këta nuk i gjej në bibliotekë, po ashtu nuk më tërheq shumë ajo bibliotekë. Nuk e di. S’ka aspak kushte të mira”, përfundoi Lekiqi.

Situata në të cilën gjenden dhe mënyra se si funksionojnë bibliotekat, në përgjithësi në Kosovë, e sidomos në fshatra, s’dallon prej gjendjes së paraluftës. Fshatrat e përmendura kanë nga një bibliotekë modeste, por prapë s’mund të thuhet që i plotësojnë kushtet, sepse për shkak të mungesës së fondeve, ato janë të vendosura në objekte jofunksionale për lexim. Objektet nuk janë të ndërtuara sipas standardeve të bibliotekave dhe mossigurimi i ekzemplarëve të detyrueshëm, shumicën e banorëve të fshatrave i detyron t’ia mësyjnë bibliotekës së qytetit.

Në mungesë të lexuesve dhe për shkak të moskujdesit nga organet përkatëse, sot janë mbyllur një numër i madh bibliotekash. Gazeta Jeta në Kosovë, në hulumtimin “Kur shteti i mbyll bibliotekat”, tregon se prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, në Kosovë janë mbyllur mbi 50 biblioteka. Komuna e Prishtinës kryeson me më së shumti biblioteka të mbyllura gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2007, në kryeqytet kanë qenë 57 biblioteka, ndërsa sot janë vetëm 13, pra të mbyllura janë gjithsej 44 biblioteka.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2007 në Kosovë kanë qenë 165 biblioteka, ndërsa matjet e fundit për vitin 2017 të kësaj agjencie flasin për 107 sosh.

Por, në vend të bibliotekave, shumica dërrmuese e fshatrave të kësaj komune tashmë kanë xhamitë e tyre për t’u falur.

Sadije Krasniqi

Ky artikull është prodhuar nga KosovaLive në kuadër të projektit Womedia i cili financohet nga Swiss Agency for Development and Cooperation dhe implementohet nga Enhancing Youth Employment.Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e donatorëve.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM