Build Skills with our trainings

Sign up now!

Autencitetin e Prizrenit po e rrezikon mosrespektimi i ligjit

Jan 8, 2020

Qyteti i Prizrenit gjendet në jugperëndim të Kosovës dhe njihet gjerësisht për vlerën dhe trashëgiminë kulturore. Përpos kalasë të shumënjohur, çdo vizitor mund të shijojë shtëpitë e vjetra, kroin e Shatërvanit, kalldërmat nëpër qytet…

Por çdo objekt i trashëgimisë kulturore ndër shekuj pëson në shkatërrime ose ndryshime. Çdo përpjekje për ruajtjen me një intervenim joprofesional nga ekspertët e fushës mund ta rrezikojë edhe degradimin.

Qendra e Prizrenit e cila është e njohur si “bërthama” e trashëgimisë kulturore, në rreth 10 vitet e fundit po kalon nga një fazë e ndryshimit intensiv.

Rexhep Ahmetaj nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, thotë se kanë bërë ndërhyrje në ndërtesat me vlerë kulturore të cilat kanë qenë në gjendje të rrezikuar.

Në kuadër të programit për ndërhyrje emergjente që ka filluar në vitin 2011, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe degradimit të mëtutjeshëm, kemi ndërhyrë në më shumë se 40 ndërtesa me vlerë të trashëgimisë kulturore. Nëse flasim në përgjithësi për sheshin Shatërvan dhe brigjet e lumit Lumbardh, mendojmë se për këto zona duhet të hartohet një projekt i përgjithshëm i cili do të trajtojë fasadat e ndërtesave, dyshemenë, kalldërmin, mobilierinë urbane dhe shfrytëzimin e hapësirës publike, ku planifikohet hapësira për ulëse, gjelbrim, shfrytëzim nga bizneset etj”, thotë Ahmetaj.

Ai thotë se në kuadër të këtij projekti duhet të jetë edhe rregullimi i hyrjes në qytet dhe parkimit të automjeteve dhe kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet një Plani të Mobilitetit që e trajton lëvizjen e automjeteve në tërë sipërfaqen e Qendrës Historike të Prizrenit.

“Për të ndaluar degradimin dhe për të ruajtur autenticitetin e pjesës së vjetër të qytetit duhet një angazhim më i madh dhe një koordinim më efikas i të gjitha palëve të interesit, duke filluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përfshirë edhe Qeverinë, komunën, drejtoritë komunale si dhe organet e rendit dhe ligjit. Investimet në fushën e trashëgimisë kulturore nuk janë të mjaftueshme. Restaurimi dhe konservimi i objekteve të trashëgimisë është proces kontinual dhe i kushtueshëm, kështu që është e nevojshme të ketë më shumë fonde për mbrojtjen e trashëgimisë në përgjithësi dhe Qendrës Historike të Prizrenit në veçanti”, thotë Ahmetaj.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka planifikuar për vitin 2019 investime në objektet e trashëgimisë kulturore në përgjithësi në vlerë prej 3 milionë euro, ku janë përfshirë edhe intervenimet dhe restaurimet në objektet e trashëgimisë kulturore në Prizren, në vlerë prej mbi 326 mijë euro.

Vjollca Aliu, nga MKRS konsideron se kjo shumë është e pamjaftueshme për t’i përmbushur kërkesat.

Investimet nga komunat janë shumë të vogla edhe pse kemi arritur në një fazë të bashkëpunimit të mirëfilltë me Komunën e Prizrenit… Por, sërish nuk janë të mjaftueshme”, thotë Aliu.

Ajo thotë se institucioneve përgjegjëse të kulturës deri tash nuk u është adresuar asnjë vërejtje ose ankesë nga qytetarët prizrenas për humbjen e origjinalitetit të shkaktuar eventualisht nga renovimet. Megjithatë ajo pranon se, mund të ketë ndonjë pakënaqësi ose ndonjë vërejtje nga ana e qytetarëve, por nuk e përjashton mundësinë e përgjegjësisë edhe nga ana e institucioneve. 

“Edhe pse është e vështirë t’i përmbahemi të gjitha kritereve duhet të ketë bashkëpunim dhe koordinim mes institucioneve dhe pronarëve të trashëgimisë kulturore. Thirrja jonë është pikërisht për ruajtjen e autencitetit. Me keqardhje them se ka plotë raste ku vendimet e institucioneve kompetente nuk e kanë respektuar ligjin për qendrën historike”, thotë Aliu për KosovaLive.

Inxhinieri i ndërtimarisë, Hasan Vezgishi, 74 vjeçar, krahason Prizrenin e vjetër, ashtu si e kujton nga fëmijëria dhe atë të sotëm. 

Shtëpitë e vjetra të cilat janë ndërtuar që nga koha e osmanlinjëve nuk kanë qenë më të larta se dy kate dhe çdo shtëpi kishte ‘kapixhikun’ që shërbente për t’u shoqëruar me fqinjtë. Tani ka edhe shtëpi të vjetra të cilat janë krejtësisht të mbuluara me ndërtesa të reja dhe nuk hyn dot as drita e diellit. Këto ndërtesa janë ndërtuar edhe nëpër toka të plleshme të qytetit ku janë kultivuar pemët dhe perimet.  Sot nëpër ato toka janë ndërtesa të mëdha ‘solitere’ që e shkatërruan dukjen e lagjeve të vjetra. Afër shtëpive të vjetra një ose dy katëshe nuk duhet të lejohen ndërtesat (banesat) e larta që e prishin harmoninë e pjesës së vjetër të qytetit”, rrëfen për KosovaLive, Vezgishi.

Me Ligjin për Qendrën Historike, Prizreni është klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar, që e parashikon mbrojtjen, ruajtjen, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e karakteristikave tradicionale historike urbane të tij.

Në pranverën e këtij viti, MKRS ka hartuar “Planin e Menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit 2019-2028” ku theksohet qartë rreziku për degradim të kësaj qendreje, me arsyetimin se, në mungesë të planifikimit, më shumë se gjysma e shtëpive të vjetra janë shkatërruar brenda më pak se dhjetë vite.

Me ritmin e shpejtë të ndërtimit modern të mekanizuar dhe materialeve të prodhuara në masë, ekziston një ndryshim i pakthyeshëm që po ndodh tani… Megjithatë, nuk është tepër vonë, me një plan të mirë të menaxhimit, institucione me staf të përkushtuar, me zbatim të ligjit si dhe me përkrahjen e shoqërisë, me kohë është e mundur të parandalohet degradimi i mëtutjeshëm i Qendrës Historike të Prizrenit”, shkruan në hyrjen e këtij dokumenti.

Për Valon Xhabalin nga organizata “Ec Ma Ndryshe”, trashëgimia kulturore nuk ka qenë asnjëherë prioritet i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucioneve të tjera përgjegjëse dhe se çdo shumë për investim të ruajtjes së trashëgimisë është i pamjaftueshëm.

“Në dekadën e fundit mbi 65% të shtëpive të vjetra që kanë ekzistuar në zonën e qendrës historike të Prizrenit janë rrënuar dhe sot ato shfrytëzohen si parkingje, zakonisht ilegale dhe si hotele. Ne kemi pasur raste kur kemi bërë edhe padi për këto institucione dhe e kemi përcjellë lëndën në gjykatë”, thotë ai. 

Sipas tij, monitorimi i këtij procesi është maksimumi të cilën mund t’a bëjë një organizatë joqeveritare.

Sevil Liman-Kazaz, drejtoreshë e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë, e sheh ruajtjen e strukturës së vjetër origjinale të qytetit dhe parandalimin  e degradimit të Qendrës historike të një rëndësie të madhe. 

“Rritja e investimeve të tilla dhe veçanërisht zhvillimi i projekteve të përbashkëta me Ministrinë e Kulturës do të japë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Sipas informacionit të marrë në Analizën e Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit të realizuar në vitin 2018, prej 80.000 deri në 100.000 mijë janë vizitorët e përditshëm në qytet”, thotë ajo.

Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton restaurimin e vlerave kulturore, arkeologjike ose historike në pajtim me kartat, konventat dhe instrumentet e tjera. Ky ligj përfshin masat ligjore dhe teknike për invertarizim, hulumtim, dokumentim, përzgjedhje, konzervim, restaurim, administrim, prezantim dhe promovim të trashëgimisë kulturore.

Aktualisht në Kosovë janë vetëm 23 asete në mbrojtje të përhershme ku katër nga këto janë nën mbrojte e UNESCO-s: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës dhe Kisha e Apostujve të Shenjtë në Prizren.

Por edhe pse Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s, kjo organizatë në vitin 2014 ka investuar mbi 163 mijë euro për restaurimin e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës në Prizren.

Ndryshe, në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të MKRS–së theksohen edhe 10 kriteret e vendosura nga UNESCO në rast të listimit të një lokaliteti në Listën Botërore të Trashëgimisë.

Mes të tjerash të bart edhe një dëshmi unike apo së paku të jashtëzakonshme të një tradite kulturore;  të një civilizimi që ka mbijetuar apo është zhdukur dhe të paraqet një shembull të shquar të një tipologjie të ndërtimit, ansamblit arkitektonik, teknologjik apo peizazhi i cili përfaqëson një ose disa faza të rëndësishme në historinë e njerëzimit.

Erma Karahoda

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM