Build Skills with our trainings

Sign up now!

Ligji mbron të drejtat e punëtorëve, por s’respektohet

Jan 15, 2020

N.H nga Skënderaj, 50 vjeçare, ka gati katër vite që punon si rrobaqepëse pa kontratë pune.

“Orarin e kam 8 orë në ditë, mirëpo shpeshherë punoj jashtë orarit, rrallë paguhem për punën jashtë orarit. Po bëhen 4 vite që punoj dhe akoma nuk kam kontratë pune, paguhem 140 euro në muaj, por nuk e marr me rregull pagën”, thotë ajo duke shtuar se asaj nuk i paguhen as kontributet pensionale.

Paga minimale në sektorin privat në Kosovë për një punëtor nën moshën 35 vjeç është 130 euro, ndërsa për ata që janë mbi 35 vjeç është 170 euro. Por këtë rregull të pagës minimale punëdhënësi i N.H sikur edhe shumë të tjerë nuk e respektojnë. Sipas paragrafit 4 të nenit 7 të ligjit të punës, për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta lajmërojë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në institucionet e tjera të cilat i menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat e tjera të obligueshme.

N.H e cila është nënë thotë se gjatë punës së saj asnjëherë nuk i kujtohet t’i ketë vizituar ndonjë inspektor i punës. Arsyeja që akoma punon me këtë orar dhe pagë të parregullt, pa kontratë, janë fëmijët që e kanë penguar disa herë të mos ta lë punën.

Arbenita Maliqi nga Prishtina, ndërkaq e kishte lënë punën thuajse për të njëjtat arsye: nuk kishte kontratë dhe shpeshherë punonte jashtë orarit pa kompensim për këtë.

Ndërkohë që me Ligjin e Punës qartas rregullohen të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, sfidë e madhe për inspektoratin mbetet zbatimi tij.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i përgjithshëm i të punësuarve në Kosovë më 2018 ishte 345,131 persona, nga ta 81,884 persona ishin të punësuar në sektorin publik.

Rrjedhimisht, në sektorin privat, që punëson dukshëm më tepër, është shënuar edhe numri më i madh i shkeljeve të drejtave të punëtorëve.

Sipas të dhënave të fundit, në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri i të punësuarve në Kosovë ishte 357,300 persona.

Mosrespektimi i të drejtave të punëtorëve nga ana e punëdhënësit, kushtet e punës, puna pa kontrata, puna jashtë orarit pa kompenzim, mospagesa e kontributeve pensionale, shkëputja e kontratës pa paralajmërim janë vetëm disa nga shkeljet më të shpeshta në sektorin privat, që e bën këtë sektor jo aq të dëshirueshëm për punësim.

Valon Leci, ushtrues i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, që mbikëqyr zbatimin e Ligjit të Punës, pranon se ka hapësirë për t’u përmirësuar sepse ka shkelje të ligjit të punës.

“Ky ligj është duke u zbatuar, natyrisht nuk është duke u zbatuar në tërësinë e tij, nuk ka zbatim 100% të ligjit. Përndryshe nuk do të kishte kuptim ekzistenca e institucioneve mbikëqyrëse”, thotë ai.

Sipas Inspektoratit të Kosovës, vetëm nga janari i vitit 2019 deri në muajin shtator janë realizuar mbi 7,000 inspektime, shumica e tyre në sektorin privat dhe janë konstatuar shumë shkelje, ndërkohë që janë shqiptuar rreth 150 gjoba.. Gjatë kësaj periudhe ishin hasur 500 raste të punës pa kontrata pune me ç’rast punëdhënësit janë detyruar që të lidhin kontrata me të punësuarit, ndërkohë.

Vjet Inspektorati kishte hasur në gjithsej 1,251 raste pa kontrata pune. Në këtë periudhë ndaj kompanive të ndryshme ishin shqiptuar 270 gjoba, ndërkohë që bizneseve u ishin bërë edhe 1,340 vëretje.

Leci thotë se një numër i madh i inspektimeve kryhet me ankesë dhe kërkesë të palës.

“Sipas ankesës, domethënë janë inspektime që burojnë nga procedura ankimore, kemi rreth 3000 inspektime të tilla. Ky është një numër shumë i madh i ankesave dhe kjo neve na jep shenjën se ata që konsiderojnë se po i’u shkelen të drejtat kanë fituar një lloj besueshmërie në Inspektoratin e Punës dhe shpresojnë se IP i mbron të drejtat e tyre”, thotë Leci për KosovaLive.

Sivjet, sipas tij, është rritur numri i ankesave dhe ato kanë të bëjnë kryesisht me sektorin publik.

Ankesa nga punëtorët për mbrojtjen e drejtave të tyre në punësim adresohen edhe gjetkë. Më 1 maj 2019 Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kishte dërguar rreth 220 mijë SMS qytetarëve si rikujtim të Ditës së Punëtorëve por të të drejtave të tyre.

Sipas Florent Spahija, këshilltar Ligjor në KDI, si rezultat i kësaj kampanje, gjatë muajit maj kishin pranuar rreth 700 telefonata kryesisht nga punëtorët e sektorit privat


“Numri më i madh i ankesave, ose shkeljet më të shpeshta që iu bëhen punëtorëve janë: orari i gjatë i punës, thyerja e të drejtave në aspektin e pagesës së kontributeve pensionale dhe tatimit (dmth janë pagesë e punëtorit me para në dorë), puna e gjatë natën në orar tepër të zgjatur, pra 12 orë ose 24 orë pandërprerë, pushimet mjekësore nuk aplikohen fare, pushimet javore njëditore”
, thotë Spahija.

Ai përmend edhe raste kur një punëtor nuk paguhet fare edhe përkundër faktit qa ka punuar dy- tre muaj, sikur edhe rastet kur punëtori është lënduar në punë, por procedura në gjykatë ishte stërzgjatur.

Një shkelje tjetër e evidentuar është ajo që iu bëhet lehonave.

E.B, tregon për KosovaLive se kishte punuar në Raiffeisen Bank për një vit me kontratë me kohë të caktuar. Ajo në fund të muajit maj kishte filluar pushimin e lehonisë, ndërsa në fund të muajit qershor i kishte skaduar kontrata. Raiffeisen Bank ia kishte vazhduar kontratën fillimisht tre muaj pastaj edhe dy herë me nga një muaj.

“Një ose dy muaj përpara më kanë njoftuar se kontrata vazhdon deri në fund të dhjetorit ose janarit, nuk po më kujtohet sigurt, edhe me aq përfundon. Edhe një muaj më ka paguar shteti”, tha E.B.

Raiffeisen Bank gjatë asaj periudhe kishte mbyllur 4 degë dhe kishte larguar edhe disa punëtorë të tjerë. Sipas E.B, Raiffeisen iu kishte ofruar pozita tjera në degë tjera të saj vetëm punëtorëve që kanë pasur kontrata afatgjata ose të përgjithshme. Por asaj nuk i kishte ofruar ndonjë pozitë në ndonjë degë tjetër.

Neni 53 i Ligjit të Punës ndalon shkëputjen e kontratës gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë dhe mungesës në punë për shkak të përkujdesjes së veçantë ndaj fëmijës, përveç në rastet e shkëputjes së kontratës sipas nenit 76 të këtij ligji.

Njëzet vite pas luftës, gruaja kosovare vazhdon të diskriminohet në shumë aspekte. Sipas një studimi të Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), vetëm 12% e grave në Kosovë janë të punësuara, e në këtë përqindje të ulët, në mesin e shumë faktorëve tjerë ka ndikuar edhe pushimi i lehonisë i rregulluar sipas ligjit.

Në një tjetër të Odës Ekonomike e Kosovës (OEK) me 500 biznese në rajone të ndryshme në Kosovë, pagesa e lehonës gjatë periudhës së lehonisë, paraqitet të jetë barrë për bizneset. Komuniteti i biznesit në takime me OEK-un kishte kërkuar që të ndryshohet Ligji i Punës në disa nene të cilat i’u shkaktojnë kosto dhe të shtohen disa nene tjera.

Për këtë problem, IKS ka propozuar që lehona të paguhet nga qeveria në gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë me 70% të pagës bazë, ndërsa pjesa e dytë e pushimit prej tre muajsh t’i takojë nënës ose babait. Në rast se e merr nëna pushimin për këtë periudhë, kompensimi të jetë pushim pa pagesë, ndërsa nëse e shfytëzon babai këtë pushim të kompensohet nga qeveria me 50% të pagës mesatare.

U.d kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Valon Leci pranon të kenë hasur në raste të ngjashme.

“Është absolut e ndaluar për çështjen e lehonës, që gjatë pushimit të lehonisë t’i shkëputet kontrata dhe në të gjitha rastet, Inspektorati është shumë strikt këtu-: nuk ka amnisti për të gjithë ata që shkelin të drejtat nga marrëdhënia e punës për lehonat”.

Shumë punëtorë edhe kur i dinë të drejtat e tyre hezitojnë t’i raportojnë në inspektorat shkeljet që iu bëhen nga frika se e humbin vendin e punës.

Rrobaqepëses nga Skënderaj N.H. shpeshherë i kishte shkuar mendja të lërë punën, të ankohet në Inspektorat, por këtë nuk e kishte bërë.

“Sepse kam frikë se do ta humbisja vendin e punës nëse punëdhënësi do e kuptonte se e kam lajmëruar”, thotë ajo duke vërtetuar rastet kur kompanitë private, duke mos e njohur autoritetin shtetëror, në momentin kur kuptojnë se ndonjë punëtor e ka lajmëruar në Inspektorat, atë e pushojnë nga puna.

Inspektorati i Punës, ndërkaq, pohon se i pranon ankesat edhe në mënyrë anonime.

“Absolutisht! Palët kanë të drejtë të bëjnë ankesë edhe të kërkojnë nga Inspektorati i Punës të mbesin anonim, mirëpo edhe mund të na informojnë në mënyrë anonime. Kur pala kërkon të mbetet anonim, ajo do të mbetet anonim, është mekanizëm i Insepktoratit se si e zhvillon inspektimin”, thotë u.d. kryeinspektori Leci.

Një gjë të tillë e mohon Instituti Demokratik i Kosovës, duke thënë se mënyra si e trajton Inspektorati lëndën, është trajtim i drejtëpërdrejtë, nuk ka për qëllim të ruajë privatësinë e palës.

“Ka raste kur kemi provuar raportimin në mënyrë anonime, kemi raportuar përmes telefonit në mënyrë anonime bashkë me palën, i kemi dërguar me e-mail disa herë kërkesë Inspektoratit, por kur kanë pyetur për emrin, mbiemrin kemi kërkuar të mbesim anonim, kurrë asgjë nuk është bërë, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Inspektorati”, thotë këshilltari ligjor i KDI-së, Florent Spahija.

Sipas tij, më e keqja është se shumica e këtyre njerëzve që kanë bërë ankesë, janë roje fizike të objekteve, punojnë në institucione shtetërore…

“Ne paguajmë kompani të cilat i shkelin të drejtat e punëtorëve, domethënë edhe punëtori ia shkel të drejtat vetes duke paguar taksa në këtë shtet”, thotë Spahija.

Shumë punëtorë, kryesisht ata të sektorit privat nuk i dinë të drejtat e tyre dhe nuk e dinë adresën ku duhet të drejtohen në rast se i’u bëhet e padrejtë.

“…Njerëzit thërrasin për t’u informuar se çfarë të drejta kanë ose për të treguar se çfarë shkelje u janë bërë dhe nga kjo e kupton se ata nuk kanë informacion se ku duhet të drejtohen. Mendoj se kjo është pak mungesë e edukimit të dyanshëm, sepse edhe punëdhënësit nuk është se kanë shumë informata se cilat janë të drejtat e punëtorit. E them kushtimisht këtë, jo të gjithë punëdhënësit”, thekson ai.

Sipas tij, në momentin që i shkelen të drejtat një punëtori, tek bizneset e vogla, e para e punës është të drejtohet në Inspektoratin e Punës.

“Tek kompanitë më të mëdha mund të ketë trupa brenda saj që i rregullojnë çështjet e brendshme me rregullore, domethënë nuk merren direkt me inspektoratin. Tek sektori publik në rast se i shkelen të drejtat një punëtori, janë komisionet e brendshme ku mund të ankohen por edhe drejtori i atij departamenti, nëse as kjo nuk bën punë atëherë është Këshilli i Pavarur Mbikqyrës (KPM) që është përgjegjës për shërbimin civil”.

Fisnik Dema nga Zyra për Media e Elkos Group ETC thotë se kjo kompani ka nxjerrë Rregulloren e brendshme 03/17, të bazuar në ligjet vendore me të cilën rregullohen procedurat e ankimimit sipas shkallëve të përcaktuara brenda kompanisë dhe jashtë në institucione tjera.

Në bazë të deklarimeve të tatimeve nga bizneset në Administratën Tatimore të Kosovës, numri i bizneseve aktive në vitin 2018 ishte 66,098 biznese. Nga ana tjetër, numri i inspektorëve në gjithë vendin sipas ushtruesit të detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, është më pak se 50.

Sipas Valon Lecit nga Inspektorati i Punës, ky numër i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm.

“…Nuk kemi buxhet të ndarë për rritjen e numrit të inspektorëve, janë çështje procedurale këto, dhe do të vazhdojmë të kërkojmë edhe më tutje (nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale) rritjen e numrit të inspektorëve, sepse numri aktual i inspektorëve është aq i vogël sa që edhe sikur të ishin të gjithë këta inspektorë vetëm në Prishtinë, është pikëpyetje a do të mjaftonin”, thotë u.d kryeinspekori.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës e sheh këtë si problem duke pasur parasysh se Inspektorati i Punës mbikëqyr sektorin privat dhe atë publik.

“Inspektorati ka një gamë të gjerë të kompetencave, por ka pak staf për mbështetjen e atyre kompetencave. Pra, Inspektorati mundet brenda vitit të vizitojë maksimum 1,000 kompani, e që kjo i bjen se nuk i viziton as 1% të kompanive që janë në Kosovë. Pra ka kompani që nuk është vizituar me vite nga Inspektorati i Punës”, thotë Spahija i KDI-së.

Sipas tij, sikur ky numër i inspektorëve të ishte katër herë më i madh, do të ishte një gjendje më e mirë sa i përket realizimit të të drejtave, meqë edhe kompanitë do të ishin vetëdijësuar që duhet t’i respektojnë të drejtat e punëtorëve.

Donjetë Haxha Maliqi

Artikulli dhe video janë  prodhuar nga KosovaLive në kuadër të programit “Internship & Mentorship”.

Mendimet, të gjeturat dhe përfundimet e paraqitura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk paraqesin pikëpamjet e KosovaLive.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM