Build Skills with our trainings

Sign up now!

Sporti dhe gratë: Përkundër arritjeve, shumëçka për të dëshiruar

Pri 21, 2020

Njëmbëdhjetë medale të fituara nga arenat botërore, në pesë vjetët që nga anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, gjithsesi hapën një kaptinë të sportit në Kosovë.

Nga ana tjetër, nëntë medalet nga kampionatet botërore të vajzave kosovare, në rend të parë ajo e arta e ambasadorës sonë sportive, xhudistes Majlinda Kelmendi nga Lojërat Olimpike Rio 2016, dhe ato të Nora Gjakovës, Distria Krasniqit…, sikur edhe anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata sportive ndërkombëtare (FIFA, UEFA, FIBA…) patjetër se luajtën rol në zgjimin e interesimit për sportin, në përgjithësi, edhe tek gjinia femërore.

Ish basketbollistja e Sigal Prishtinës, Donjeta Morina rrëfen për fillet e marrjes së saj me sport, kur si 13 vjeçare direkt ka filluar të garojë në kategoritë e super ligës.

“Në periudhën kur kam qenë unë aktive në basketboll ka pas shumë vështirësi sa i përket anës financiare, probleme me salla, stërvitje, pagesa mujore, kurse tani interesimi është rritë”, thotë Donjeta Morina.

Përkundër paragjykimeve jo të pakëta shoqërore për gratë dhe sportin, ajo konsideron se ka qenë me fat meqë ka gëzuar përkrahje pasi që e kanë parë dashurinë e saj të madhe për sportin.

Alba Merovci, gazetare sportive dhe njëherësh nënkryetare e Shoqatës së Gazetarëve Sportiv, tash katër vjet, që nga diplomimi në media dhe komunikim, ushtron profesionin te ne deri dje jo gjithaq të përhapur – të gazetares sportive.

“…fillimet janë gjithmonë të vështira në çdo fushë. Gazetaria është profesion që lidhesh emocionalisht me të, sidomos gazetaria sportive dhe pavarësisht paragjykimeve të bënë të mos dorëzohesh vetëm atëherë kur këtë punë e bënë me hapa të sigurt dhe pa kthim mbrapa”, thotë ajo.

Merovci thotë se në bazë të ‘feedback-ut’ që pranon personalisht, çdo vit vëren një vetëdijësim të njerëzve përballë gazetareve të sportit. Ajo konsideron se inkuadrimi gjithnjë e më i madh i vajzave/grave në sport gjithsesi po ndikon pozitivisht edhe në rritjen e interesimit për të gjitha segmentet e sportit tek gjinia femërore.

Sipas saj, pranimin e vajzave/grave në këtë fushë dhe vetëdijësimin e audiencës e dëshmon edhe fakti se sot shumica e redaksive të sportit në mediat tona, përbëhen të paktën nga një gazetare ose prezantuese.

Gazetari sportiv Lorik Jashanica, thotë se interesimi i femrave për t`u inkuadruar në këtë sektor të gazetarisë është rritur ndjeshëm në vitet e fundit në vendin tonë.

“Pa dyshim se inkuadrimi i femrave në këtë lëmi e rrit edhe më shumë cilësinë e sportit dhe e zhvillon më tej gazetarinë në vendin tonë. Para më shumë se një dekade nuk ka pasur shumë femra të cilat janë interesuar për gazetarinë sportive, megjithatë në vitet e fundit redaksitë e mediumeve në Kosovë kanë filluar t`i japin hapësirë femrave edhe për këtë profesion, e natyrisht se kjo ka ardhur si rezultat i interesimit të tyre për t`u paraqitur në gazeta, portale apo edhe në emisione sportive”, thotë Jashanica.

Ai njëherësh thotë se nuk ka vërejtur asnjëhërë paragjykime nga gazetarët në drejtim të gazetareve femra të cilat vijnë dhe përcjellin dhe punojnë për të informuar publikun.

“Unë zakonisht shoh shumë gazetare femra në shkallët e stadiumeve të ndryshme dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë, pasi ky nuk është profesion i ‘burrave’ por është profesion i të gjithë atyre që e duan sportin dhe e bëjnë me pasion punën e raportimit tek audienca”, shprehet Lorik Jashanica.

Në shtator të vitit 2019 në Kosovë është formuar edhe Shoqata e Gazetarëve të Sportit për qëllim që të informojë dhe promovojë sa më shumë sportin kosovar: Alba Merovci është zgjedhur nënkryetare e shoqatës e Qëndresa Krelani anëtare e bordit.

Institucionet e vendit gjithsesi kanë ndikim dhe rol të madh në inkuadrimin dhe fuqizimin e gruas në sport. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në webfaqen e saj zyrtare  mkrs-ks.org ka të krijuar një faqe të veçantë me të dhëna rreth sportit të femrave. Krahas politikës programore për sportin e femrave, aty mund të gjenden edhe informatat rreth  përkrahjes materiale klubeve të reformuara në bazë të akteve nënligjore, mbështetjes materiale për reprezentacionet e femrave, mbështetje për seminare për trajnere, gjyqtare…

Ndërkohë që për dikë të gjitha këto janë disa zhvillime pozitive, Alba Merovci thotë se sa i përket inkuadrimit të femrave si në lëmin e sportit por edhe në të tjera, mbetet shumë për të dëshiruar.

Konkretisht, sipas saj, vajzat dhe gratë megjithatë nuk janë të përfshira mjaftueshëm në sport.

Inkuadrimi mendohet të jetë si në rolin e sportisteve po ashtu edhe në menaxhimin dhe administrimin e tij. I takon edhe shoqërisë civile që të avokojë dhe insistojë që përmes animimit medial të këtij defekti të ndikojë në institucionet shtetërore që dominohen nga meshkujt që të përfshijnë femrat në sport dhe të punojnë në masivizimin e sportit femëror në Kosovë”, thotë Merovci.

Shpresa e saj e madhe është që në të ardhmen të shtrohet kujdes më i madh për sportin e femrave, të cilit sukseset nuk i mungojnë si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës më vitin 2011 në numrin e përgjithshëm të sportistëve femrat përbënin 25 për qind, ndërkohë që vetëm 16 për qind të tyre ishin të punësuara nëpër organizata apo klube sportive.

Florina Imeri

Ky botim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KosovaLive dhe SIT – Center for Counseling, Social Services and Research dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ.

PUBLIKIME

LAJME

THELLESISHT

DIALOG

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II

Pesë aplikantë që paraqitën një aplikacion për “Grantet e Prodhimit të Përmbajtjes II”, Tv Tema, Internews, RTV Puls, Radio Gorazdevac dhe Besnik Krasniqi do të marrin mbështetje.

BARAZI

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Womair: Informimi i grave dhe burrave për cilësinë e ajrit

Më 19 nëntor, nga ora 10:00 deri në 12:00 në KosovaLive u mbajt ngjarja interaktive “Womair”, e cila kishte për qëllim informimin e djemve, vajzave, grave, burrave, çifteve dhe të gjithë të interesuarve, pa dallim, për mënyrat më efektive për përmirësimin e cilësisë së ajrit në hapësira të brendshme dhe të jashtme.

EDUKIM